Kanë të drejtë të aplikojnë edhe shtetasit shqiptar. Gjithçka do të kryhet online. Kërkesat do të mund të përgatiten e të ruhen nga 4 dhjetori, nisja zyrtare fillon nga mëngjesi i datës 7 dhjetor.
Italia hap dyert për punonjës të rinj në profesione të caktuara. Janë rreth 13.850 kuota të përcaktuara për shtetasit e huaj, ku përfshihen edhe shqiptarët që do të konkurrojnë për të siguruar kontrata sezonale pune, stazhe dhe kurse të formimit profesional, si dhe konvertime të lejeve të qëndrimit për motive punësimi.
Ndarja e kuotave është zyrtarizuar në dekretin e ri të fluksit të aprovuar nga qeveria e këtij vendi. Aplikimet do të bëhen online në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme Italiane, duke plotësuar kërkesat dhe formularët përkatës për secilën kategori. Përgatitja e kërkesave nis gjatë ditës së sotme, ndërsa nisja e tyre zyrtare çelet në mëngjesin e 7 dhjetori.
Aplikimi
Gjithçka bëhet në internet, përmes faqeve online të ministrisë së Brendshme http://nullaostalavoro.interno.it. Fillimisht të interesuarit duhet të regjistrohen, pastaj të hyjnë në sistem me email-in e fjalëkalimin, dhe të përpilojnë formularin që zgjidhet sipas llojit të kërkesë. Kërkesat do të paraqiten vetëm në internet përmes faqeve online të ministrisë së Brendshme (https://nullaostalavoro.interno.it) duke përdorur tetë modele të ndryshme sipas tipologjisë së kërkesës. Nisja e plotësuar këtyre formularëve duhet bërë vetëm në mëngjesin e datës 7 dhjetor, në të kundërt sistemi nuk i pranon. Ekspertët bëjnë me dije se sa më herët të bëhet aplikimi që nga koha e hapjes së pranimeve aq më të larta janë mundësitë për të siguruar një kontratë pune.
Formularët që duhen plotësuar
Në varësi të kërkesës që aplikuesi bën për të siguruar një kontratë pune apo kurs formimi profesional bëhet edhe plotësimi i formularëve të aplikmit që gjenden të detajuara tashmë në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme Italiane. Formulari VA duhet të plotësohet në rastet kur aplikuesi kërkon të bëjë konvertime lejesh qëndrimi për studime, stazh ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur. Formulari VB plotësohet për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur. Formulari Z plotësohet për konvertime lejesh qëndrimi për studime, stazh dhe formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur. Ndërsa formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera evropiane në leje qëndrimi për punë të varur. Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera evropiane, formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera evropiane në leje qëndrimi për punë të pavarur. Ndërsa formulari A-DOM e B-SUB për punonjësit me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil. Pas përpilimit, kërkesa duhet ruajtur (duke shtypur butonin ‘Salva’). Ajo duhet të niset vetëm nga ora 9.00 e datës 7 dhjetor, kur do të nisë gara për një kuotë. Kush nuk është i zoti në kompjuter mund të kërkojë ndihmën falas të shoqatave e patronateve (zyrave të posaçme). Por duhet të mbajë parasysh që nëse këto kanë shumë kërkesa për të nisur, ekziston rreziku që të vihet në radhë e të ketë kështu më pak mundësi për të përfituar një kuotë, pasi ato do të lëshohen sipas renditjes kronologjike të mbërritjes së kërkesave. Para së gjithash kujtohet numri i kuotave dhe ndarja e tyre:
Ndarja e kuotave sipas llojit të punësimit
Hyrje për punë
2.000 për punonjës të pavarur (sipërmarrës që kryejnë aktivitet me interes për ekonominë italiane, profesionist, figura të rëndësishme shoqërish private (jo kooperativa), artistë me famë ndërkombëtare apo me kualifikim të lartë profesional të kërkuar nga ente private e publike);
100 punonjës të pavarur apo të varur me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil.
Konvertime në lejeqëndrime për punë të varur të:
4.000 lejeqëndrimeve për punë sezonale
6.000 lejeqëndrimeve për studime, stazh ose formim profesional
500 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera evropiane.
Konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:
1.000 lejeqëndrimeve për studime, stazh dhe/ose formim profesional
250 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera evropiane.
Somario: Kush nis kërkesat përmes zyrave të posaçme dhe shoqatave rrezikon të humbasë kohë në radhën që krijohet. Sa më herët të dërgohet kërkesa aq më të larta mundësitë për t’u përzgjedhur
