Nis gara për kandidatët që duan të fitojnë një kontratë punësimi në shtetin italian nëpërmjet ndjekjes së kurseve të formimit profesional për 5 javë rresht. Afati përfundimtar i aplikimit skadon më 22 mars. Detajet e plota mbi procedurat e aplikimit, si dhe profesionet që kërkohen
Nis gara për përzgjedhjen e 300 shtetasve shqiptarë që do të marrin pjesë në kurset e formimit profesional dhe gjuhësor të kulturës italiane, duke siguruar më pas edhe një kontratë të rregullt punësimi në këtë shtet. Aplikimet do të kryhen deri në datën 22 mars. Konfirmimi u bë dje, ku Ministri i Punës, Spiro Ksera, dhe Ambasadori italian në Shqipëri, Masimo Gaiani, përuruan sistemin e ri online për punëkërkuesit shqiptarë që kërkojnë të punësohen në tregun italian të punës.
Përzgjedhja e 300 shtetasve shqiptarë do të bëhet nga “Patronato ACLI” dhe nga “entet e autorizuara”. Kandidatët e përzgjedhur do të kenë mundësinë të marrin pjesë në kurset 5-javore të formimit profesional në specialitetin përkatës, e më pas do të nisë procedurat e mëtejshme të zyrtarizimit të kontratës së punës me ndërmarrjet italiane.
Aktualisht janë zbardhur profesionet dhe kriteret që duhet të përmbushin kandidatët që duan të përfitojnë nga ky program. Kështu, të drejtën e aplikimit e kanë të gjithë shtetasit shqiptarë mbi 18 vjeç që besojnë se i plotësojnë kriteret e vendeve të shpallura të punës. Për të aplikuar duhet të plotësoni formularin me të gjitha të dhënat e kërkuara personale dhe profesionale dhe nënshkruajeni atë. Përpara se ta nënshkruani, lexoni me kujdes deklaratat mbi trajnimin e të dhënave personale dhe informacionit.
“Ju mund të aplikoni duke u paraqitur personalisht në Sportelet e Migracionit (SM) në Drejtorinë Rajonale ose Zyrën Vendore të Punësimit të njësisë suaj administrative. Specialisti i SM-së do të kryejë regjistrimin në praninë tuaj dhe do të arkivojë formularin e aplikimit të plotësuar e të nënshkruar nga ju. Gjatë regjistrimit specialisti mund të kërkojë sqarime. Në përfundim të regjistrimit ju do të merrni një vërtetim që aplikimi është regjistruar në sistem, me një kod personal. Ju lutemi, ruajeni kodin tuaj personal!”, detajohet në procedurën e aplikimit.
Aplikimet do të jenë të suksesshme vetëm nëse kryhen në afatet e përcaktuara. Në ditën kur do të bëni aplikimin, ju duhet të keni detyrimisht me vete pasaportën ose letërnjoftimin. Gjithashtu, duhet të paraqisni dokumente mbështetëse për të vërtetuar kualifikimet tuaja dhe përvojën e punës, krahasuar me kriteret, vetëm nëse do të zgjidheni për një intervistë.
Formulari i plotësuar i regjistrimit duhet dorëzuar personalisht, së bashku me një dokument identifikimi në Sportelet e Migracionit pranë Zyrave Rajonale dhe Vendore të Punësimit, ku do të merret një kod personal për kryerjen e regjistrimit.
Regjistrimi është i mundur në Sportelet e Migracionit në qytetet e treguara në vijim: Berat, Bulqizë, Burrel, Delvinë, Devoll, Durrës, Elbasan, Ersekë, Fier, Gjirokastër, Gramsh, Has, Kavajë, Korçë, Krujë, Kuçovë, Kukës, Laç, Lezhë, Librazhd, Lushnjë, Mallakastër, Malësi e Madhe, Mirditë, Peqin, Peshkopi, Pogradec, Pukë, Përmet, Sarandë, Shkodër, Skrapar, Tepelenë, Tiranë, Tropojë, Vlorë.
Kandidatët mund të regjistrohen vetëm në Sportelin e Migracionit të rajonit të tyre administrativ. Çdo aplikant mund të aplikojë për një maksimum prej 3 vendesh të shpallura. Pas verifikimit të aplikimeve të bëra, vetëm rezultatet e kandidatëve të përzgjedhur do të publikohen dhe ata do të informohen mbi hapat e mëtejshëm të aplikimit të tyre, ndaj aplikuesit duhet të jenë të kujdesshëm që të japin të dhëna të sakta gjatë plotësimit të formularit dhe hapave të tjerë të procesit të regjistrimit.
Sektorët e punësimit për të cilët mund të paraqiten kandidaturat janë:
Punonjës shtëpie dhe asistencë familjare
Hoteleri – Turizëm
Punonjës metalesh dhe mekanikë
Fizioterapi dhe Teknikë Ortopedike
Pastrim dhe mirëmbajtje e thjeshtë
Përveç sa më sipër, kërkohen aktivitete të sekretarisë teknike në sektorë të ndryshëm, në mënyrë të veçantë atij tregtar. Ky aktivitet konsiston kryesisht në “përgatitjen e dokumenteve/letrave (sipas rastit edhe përkthime të llojit tregtar), administrim të arkivit dhe korrespondencës (marrje dhe dërgim), filtrim dhe administrim telefonatash; organizim kalendari; pritje vizitorësh; referim për agjentët e shitjes, në rrjetet e mëdha tregtare”.
Kanë të drejtë të aplikojnë shtetasit që:
Kanë mbushur moshën 18 vjeç,
Janë të interesuar të zhvillojnë një aktivitet punësimi në Itali në sektorët e renditur më lart,
Nuk kanë qenë të dënuar nga organet gjyqësore ose në ngarkim të të cilëve nuk janë hapur procedime penale,
Nuk janë të shënuar në sistemin SIS (Schengen Information System) si të papranueshëm në territorin e vendeve të zonës Shengen (në bazë të nenit 32, Titulli III i kodit komunitar të vizave),
Nuk zotërojnë leje qëndrimi për arsye pune në Itali apo leje qëndrimi afatgjatë.
ketu vjen era zhvatje dhe vjedhje
nuk paska Italia punetoret e saj qe do te mari njerez nga Shqiperia