Nesër është radha e Italisë për të debutuar në Europianin e Francës. Dhe kundër Belgjikës, një prej favoriteve të “Euro 2016”-ës, Antonio Konte do të kuptojë se deri ku mund të mbërrijnë të kaltrit në edicionin e 15-të të Europianit.
Dhe duke qenë se skuadra e Vilmots është favorite në letër, tekniku italian po mendon që të ngrejë kurthin e tij, për t’i zënë “djajtë” në befasi. Plani i trajnerit të ardhshëm të Çelsit është të hedhë në fushë një Itali ultra-ofensive, për t’u treguar menjëherë agresive ndaj Belgjikës.
Flitet për një skemë 3-3-4 të axurrëve, ku këtë herë dy anësoret e mesfushës me 5 lojtarë do të kenë detyra sulmuese, më sakte duhet të vënë në presion që në fillim dhe gjatë të gjithë lojës, katër mbrojtësit e Belgjikës.
Mbrojtja do të jetë e blinduar nga juventinët Bufon, Bonuçi, Barzalji e Kielini, ndërsa mesfusha duket e palëvizshme me De Rosin, Motën e Parolon. Aty ku pritet të kemi surpriza janë pikërisht krahët ofensive dhe dy sulmuesit.
Nëse Kandreva është i paprekshëm në korsinë e djathtë, në të majtë, ku shpesh ka luajtur Darmian ose De Shiljo, Konte po mendon të konfirmojë El Sharauin, ndonëse edhe Darmian është përgjigjur fort në stërvitjet e fundit, duke garantuar agresivitet dhe forcë fizike.
Por risia më e madhe mund të jetë një aktivizim nga minuta e parë e Ederit, përkrah Zazas, dy lojtarë që nuk kanë luajtur kurrë së bashku, por Konte mendon se ata të dy janë shumë më agresivë kundrejt mbrojtjes rivale sesa Imobile dhe Pele
