Shtohen çdo ditë e më shumë zërat për një marrëveshje pranë finalizimit të trajnerit të kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, me kundërshtarin e kuqezinjve në eliminatoret e Botërorit 2018, Italinë. Mediat italiane raportojnë thuajse çdo ditë për kontakte mes palëve, të cilat De Biazi nuk i ka përgënjeshtruar asnjëherë publikisht. Dje është mësuar se plani i Federatës Italiane (FIGC) është që t’i besojë atij një projekt afatgjatë, i cili do të fillojë me eliminatoret e Botërorit, por do të ketë si qëllim kryesor Europianin 2020.
Sipas “Calciomercato.it”, presidenti i FIGC, Karlo Tavekio dhe De Biazi kanë diskutuar vazhdimisht kohët e fundit rreth këtij projekti katërvjeçar dhe detajeve të punës gjatë këtij mandati. Numri 1 i FIGC nuk dëshiron të përjetojë më situata të ngjashme si ato me Antonio Konten, i cili u largua pas dy vitesh në drejtimin e kombëtares dhe për këtë arsye ka vendosur si kusht kryesor nënshkrimin e një kontrate afatgjatë. Kjo bindje i është shtuar edhe më shumë pas bashkëbisedimeve me De Biazin, i cili ka shprehur gjithmonë dëshirën për të punuar me plane afatgjatë, duke e cilësuar si mënyrën e vetme për të garantuar suksese, siç bëri me Shqipërinë.
Megjithatë, ndryshe nga kontratat që ka nënshkruar me FSHF-në, këtë radhë De Biazi duhet të garantojë suksese në fund të projektit. Kjo është pengesa kryesore në bashkëbisedimet mes palëve, pasi tekniku nuk mund ta garantojë një gjë të tillë pa parë rezultatet që do të arrijë Italia në Euro 2016. Ai do të projektojë Italinë e tij vetëm pas Europianit, ndaj nuk është gati të firmosë para aktivitetit.
Një tjetër shqetësim për trajnerin shqiptar është dëshira e Tavekios për të publikuar një marrëveshje të mundshme para fillimit të aktivitetit në verë. Presidenti i FIGC shtyhet nga sponsorët ta bëjë një gjë të tillë, por De Biazi është i ndërgjegjshëm se zyrtarizimi do ta dëmtonte punën e tij me përfaqësuesen shqiptare në pjesëmarrjen e parë historike në Europian. Ndaj ai ka insistuar gjatë gjithë kësaj kohe që çdo diskutim mes palëve të mos bëhet publik apo të komentohet nga zyrtarët e FIGC, ashtu siç ai ka refuzuar të konfirmojë apo përgënjeshtrojë takimet e tij me palën italiane. Trajneri dëshiron që të bëjë një paraqitje sa më të mirë me Shqipërinë në aktivitet, në mënyrë që emërimi i tij në drejtimin e Italisë të duket si zgjedhja më logjike e mundshme për publikun italian. Në këtë mënyrë do të pranohet më lehtësisht plani që po harton ai për të rindërtuar nga e para një përfaqësuese si Italia, e cila ka humbur shkëlqimin e viteve të kaluara.
