Debutim me Kombëtaren, gol i realizuar për t’i dhënë Shqipërisë avantazhin e përkohshëm, rekord i shënuar dhe aktivizimi në një ndeshje historike si kjo e sotmja ndaj Kosovës, nuk janë gjithçka që Rey Manaj ka arritur ditën e stome. Sulmuesi i talentuar shqiptar, që aktivizohet me skuadrën e Interit në Seria A, ka bërë për vete sot gjithashtu titullin kryesor të sportives italiane“Gazzeta Dello Sport”.
“Gol rekord i Manaj në debutimin e tij. Futet në lojë dhe shënon pas 12 sekondash. Pas vetëm një muaji nga polemikat me De Biasin, interisti debuton me përfaqësuesen dhe realizon golin e tij të parë, pikërisht në prekjen e parë të topit duke sigluar edhe avantazhin e përkohshëm 0-1 të Shqipërisë ndaj Kosovës”, pikërisht kështu e ka etiketuar gjigandja sportive italiane arritjen e Manaj.
“Gazzeta.it” shkon edhe përtej, teksa suksesin e sotëm të sulmuesit të talentuar e lidh ngushtësisht me disa data të tjera historike në karrierën e futbollistit kuqezi që luan me Interin. “Askush nuk mund të thyejë rekordin e tij. Një historik i vogël i Manaj që e bën edhe më të bukur këtë event të fundit është pikërisht fakti që dy vite më parë luante me të rinjtë e Samdorias, një vit më parë me Cremonese në Lega Pro, ndërsa vetëm një muaj më parë sulmonte trajnerin e Kombëtares Gianni De Biasi, duke e konsideruar si gënjeshtar në “Facebook”, pasi kishte keqinterpretuar një intervistë të tijën. Sot sulmuesi 18-vjeçar i Interit, të cilit Mancini i rezervoi hapësira në dy ndeshje në Seria A, pikërisht ndaj Atalantas dhe Sampdorias, veshi për të parën herë bluzën e Kombëtares së Shqipërisë, duke e nderuar me gol në derbin ndaj Kosovës”, rikujton “Gazzeta.it”.
