Italiani dinte më mirë se banka transaksionet e parave, kërkohet ekstradimi

Saimir Lleshi

Shtetasi italian që u arrestuar për vjedhjen e rreth 1 miliardë lekëve në një bankë në Shqipëri mund të ekstradohet drejt vendit fqinj.

Autoritetet italiane kanë kërkuar ekstradimin e tij, ndërsa kërkesa është dorëzuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Ky shtetas rezulton i dënuar në vendin e tij me 8 vite e 11 muaj burg, ndërsa në Tiranë kreu edhe një tjetër vepër penale, çka rrezikon sërish dënim me burg. I arrestuari Stefano Bodurra ka precedentë edhe në Holandë, Belgjikë, Zvicër dhe Francë.

Sipas prokurorisë, në momentin e arrestimit në dhomën e hotelit në “Bulevardi Zogu i Parë”, policia ka gjetur dhe sekuestruar 20 milionë lekë, të cilat mendohet se janë paratë e vjedhura në një bankë të nivelit të dytë.

Policia ka gjetur edhe orë të shtrenjta, e shishe konjaku me vlerë 1 milionë lekë. Për blerjen e tyre, ai ka falsifikuar kartat e bankave.

Italiani 43 vjeçar kishte 4 muaj që kishte hyrë në territorin shqiptar, duke regjistruar në QKR një kompani me emrin HRS Group dhe një dyqan në rrugën “Mine Peza” me emërtimin “Evolveo” ku edhe është pajisur me aparatin POS nga banka e nivelit të dytë.

Më pas, ai ka kryer blerje e transaksione parash nga një kartë në një kartë tjetër. Madje, ai ka shfrytëzuar një gabim teknik që as banka nuk e dinte se e kishte. Tashmë ai pritet të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e sigurisë. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *