ITINERARI: Zbulohet kokainë e fshehur mes qymyrit, kapen 53 pako brenda dy çantave në Portin e Durrësit

J L

Teksa jemi mësuar tashmë që në portin e Durrësit të kapen sasi të konsiderueshme kokaine brenda ngarkesave me banane, së fundmi kjo strategji ka ndryshuar nga trafikantët.

Sot mësohet se është kapur një sasi e madhe kokaine, por kësaj radhe e fshehur në një ngarkesë qymyri.

Droga është gjendur në hambarin e anijes “Unistream” me flamur të Antigua Barbuda. Anija u ankorua më 16 maj në kalatën lindore të portit detar të Durrësit. Ajo ka transportuar qymyr me destinacion portin e Durrësit, ndërsa brenda saj janë gjetur të fshehura edhe pakot e kokainës.

Kokaina e gjetur brenda anijes me qymyr ishte brenda dy çantave, e ndarë në 53 pako. Peshimi i sasisë ende vijon, ndërsa deri më tani besohet se bëhet fjalë për 50 kg. Peshimi do të vijojë sërish në orën 10:00. Çantat me kokainë ishin hedhur në mes të qymyrit për t’u fshehur mirëpo u gjetën pas kontrollit në Portin e Durrësit.

Kanë qenë partnerët ndërkombëtarë që kanë sinjalizuar Policinë Shqiptare për sasinë e drogës dhe më pas është kryer edhe operacioni nga Task Forca e Durrësit që ka zbuluar kokainën në anijen që sillte qymyr nga Kolumbia.

Ende nuk ka informacion nëse ka persona të ndaluar apo arrestuar.

Më poshtë është itinerari që ka ndjekur anija “Unistream” deri sa ka mbërritur në portin e Durrësit. Ajo është nisur nga porti i Barranquilla në Kolumbi në 26 prill në orën 11:32 dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit në 16 maj, pra një ditë më parë në orën 08:32.

Nuk dihet nëse sasia e drogës kishte si destinacion final Shqipërinë apo porti i Durrësit ishte përdorur si tranzit nga trafikantët.

j.l./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *