Rishfaqet antraksi, konfirmohen zyrtarisht 5 persona të prekur nga kjo sëmundje, e cila njihet ndryshe edhe si sëmundja e plasjes. Rastet janë konstatuar në një fshat të Tepelenës, ndërkohë që shkak i infektimit është bërë konsumimi i mishit të infektuar, me Antraks. Specialistët e shëndetit apeluan për ndërgjegjësimin e konsumatorit për të mos konsumuar mish të pakontrolluar, ndërsa sa i takon strategjive të kontrollit kërkojnë vaksinimin e bagëtive, sidomos në pjesën jugore të vendit. Personat e prekur po trajtohen në spitalin e Tepelenës dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, situata është në kontroll. Vazhdon hetimi epidemiologjik në vatër për marrjen e masave përkatëse dhe në ditet në vazhdim do të ketë informacion të përditësuar. Në një dalje publike të bërë gjatë ditës së djeshme drejtoresha e shërbimit Veterinar Shpresa Arbi ka deklaruar se rastet e evidentuara në Tepelenë me plasje në 5 persona, janë të izoluara, dhe janë shkaktuar nga papërgjegjshmëria individuale dhe mosndërgjegjësimi i fermerëve në zona të ndryshme të vendit. Sipas saj, Ministria e Bujqësisë pas njoftimeve që mori nga Instituti i Shëndetit Publik në rrethin e Tepelenës në fshatin Arzë e Madhe, mori të gjitha masat, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së plasjes. “E gjithë zona u vu nën kontrollin veterinar dhe u vaksinuan 4 mijë krerë që mbarështoheshin në këtë zonë. Ministria e Bujqësisë, në planin kombëtar të parandalimit të sëmundjes së plasjes ka vaksinuar 165 mijë krerë në qarkun e Gjirokastrës dhe vazhdon monitorimi. Në rang Republike në kuadër të programit kombëtar, janë vaksinuar 410 mijë krerë të imëta, gjedhë, kuaj, derra me vlerë prej 18 milionë lekësh të reja. Si rezultat i planit kombëtar të vaksinimit, pas vitit 2009 deri ne vitin 2013, prirja e sëmundjes paraqet një ulje e të theksuar. Ministria e Bujqësisë ka një fushate ndërgjegjësimi për masat që duhen marrë në rastet kur shfaqen sëmundje të tilla”, ka deklaruar Shpresa Arbi. Ndërsa specialistja e Institutit të Shëndetit Publik Luljeta Alla thotë se mishi i infektuar mund të dallohet vetëm nga specialistët. Antraksi që mund të shkaktohet nga konsumimi i mishit të kafshëve të prekur nga sëmundja e plasjes është i rrezikshëm nëse nuk trajtohet me mjekim të specializuar.
