Gardhi rrethues në kufi me Jordanin perëndimor duhet të mbajë larg atentatorët palestinezë. Por vija e tij gjeografike është e kontestuar.
Lugina Cremisal ka thuajse pamje piktoreske në diellin e mëngjesit, me manastiret, pemët e ullinjve dhe fushat në formë brezaresh. Murgeshat e urdhrit të salezianëve kanë këtu një shkollë fillore për fëmijë palestinezë, murgjit prodhojnë verën e njohur Cremisan. Lugina mes Jeruzalemit dhe Betlehemit konsiderohet një oaz i gjelbër. Por ky idil së shpejti mund të marrë fund.
Një gjykatë e posaçme në Tel Aviv e ka cilësuar “të përshtatshëm” ndërtimin e planifikuar të një gardhi kufizues mes për mes zonës. Teorikisht tani mbi luginë mund të vijnë ekskavatorët, një shuplakë e hidhur për banorët palestinezë. Gardhi kufizues mes Izraelit dhe Jordanit perëndimor të pushtuar nga izraelitët, është sipas të dhënave të OKB-së rreth 708 kilometra i gjatë. 62 për qind e tij ka përfunduar. Prej më shumë se gjashtë vjetësh banorët palestinezë të luginës Cremisan përpiqen të ndryshojnë vijën ku kalon gardhi kufizues: me peticione dhe padi në gjykatat izraelite dhe me një meshë të përjavshme në qiell të hapur.

Gardhi kufizues për palestinezët do të thotë para së gjithash më shumë kufizime në jetën e përditshme. Të prekur janë fshatarët, tokat e të cilëve papritur gjenden në anën tjetër të gardhit dhe banorët e Jeruzalemit, të cilët janë të shkëputur nga qyteti i tyre, përshkruan Ray Dolphin nga Zyra e OKB-së për Koordinim Humanitar në Jeruzalem. “Autoritetet izraelite thonë vërtet se do të ndërtojnë porta në gardh, në mënyrë që fshatarët të mund të shkojnë në fushat e tyre”, thotë Dolphin, i cili prej vitesh dokumenton ndërtimin. “Por për këtë atyre iu duhen fletëkalime të posaçme dhe ato është shumë e vështirë të merren.”
Për izraelitët gardhi kufizues është para së gjithash një gardh sigurie, i cili ofron mbrojtje efektive ndaj atentateve terroriste. Dhe kjo është ajo që ka rëndësi, thekson Peter Lerner, zëdhënës i Ushtrisë Izraelite: “Nëse hedhim vështrimin dhjetë vite prapa, ishte e pamundur të uleshe në një kafene apo autobus apo të shkoje në një qendër tregtare. Jetoje me kërcënimin se dikush pranë teje papritur mund të hidhte veten në erë.” Pamjet nga atentatorët vetëvrasës gjatë Intifadës së dytë në vitin 2000 janë të ngulitura në kujtesën kombëtare izraelite. Gardhi kufizues ka kontribuar në masë të konsiderueshme “që ne në Izrael të jetojmë në siguri dhe liri relative, si diku tjetër në botë”, thotë Lerner.

Vijë e kontestuar gjeografike e barrierës së sigurisë
Vija gjeografike që ndjek gardhi i sigurisë është shkaku kryesor për tensione. Ai gjarpëron përmes kodrash dhe luginash, pret mes për mes fshatra dhe lagje banimi arabe në lindje të Jeruzalemit. Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, në një ekspertizë të vitit 2004 gjykoi se Izraeli vërtet duhet të sigurojë mbrojtjen e qytetarëve të tij, por gardhi i sigurisë do të ishte vetëm atëherë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare nëse do të ngrihej përgjatë të ashtuquajturës “vijë e gjelbër”. Kjo është vija e armëpushimit të vitit 1949. Organizata izraelite për të drejtat e njeriut si B’Tselem mendojnë megjithatë se rreth 85 për qind e gardhit të sigurisë është ndërtuar dhe planifikuar në territore të pushtuara palestineze brenda Jordanit perëndimor dhe pra jashtë vijës së gjelbër.
Edhe pjesa më e madhe e palestinezëve nuk kritikojnë kufizimin në vetvete por vijën që ndjek gardhi. Kështu edhe Suheir Hashimi, shtëpia e së cilës në Azariyeh, pranë Jeruzalemit lindor, gjendet sot në anën tjetër të gardhit kufizues. Para dhjetë vjetësh ajo mund të shkonte ende në këmbë nga shtëpia e saj në lagjen fqinjë A-Tur, një periferi e Jeruzalemit lindor. Prej aty i duheshin vetëm dhjetë minuta me autobus deri në qendër të qytetit. Sot një mur i lartë betoni e bllokon rrugën direkte. “Kur filluan të ndërtojnë mendova se nuk ishte e vërtetë. Kisha ndjenjën se do të ngrinin pak beton por jo një mur të vërtetë!”, kujton ajo. Palestinezët druajnë se Izraeli me vijën gjeografike të gardhit kufizues synon të krijojë fakte, duke përfshirë brenda tij blloqe ngulimesh hebreje. “Unë e kuptoj shumë mirë nevojën për siguri”, thotë Suheir Hashimi. “Por nëse duan të ndërtojnë atëherë le ta bëjnë në anën e tyre. Këtu ata po ndërtojnë në mes të lagjeve arabe dhe ndajnë familje palestineze.“

Por para së gjithash vitet e fundit skenari i kërcënimeve për Izraelin ka ndryshuar. Në vendin fqinj Siri vlon lufta civile, regjimi i vjetër i Hosni Mubarakut në Egjipt i përket së kaluarës. Ndaj këtyre ndryshimeve Izraeli reagon me forcimin e kufijve të tij. “Tendencat në rajon shkojnë në një drejtim negativ”, thotë eksperti izraelit për terrorizmin Boaz Ganor. “Zhvillimet e Pranverës Arabe i kanë afruar me kufijtë e Izraelit elementët terroristë si Al-Kaida dhe grupet terroriste salafiste. Barrierat janë si dhe më parë një element i rëndësishëm i mbrojtjes izraelite, për të penguar infiltrimin e terroristëve”.
