Nëse nuk trajtohet herët, presioni i lartë i gjakut, ose siç njihet ndryshe hipertensioni shkakton ndërlikime të shumta, duke nisur nga ato të stadeve më të lehta, e deri tek pasojat fatale për jetën. Konkretisht, me kalimin e kohës presioni i lartë i gjakut dëmton shumë organe të trupit, rrit rrezikun për atak në zemër, goditje në tru, insuficiencë kardiake, insuficiencë renale, si dhe sëmundje të sistemit periferik të enëve të gjakut, dëmton arteriet, dhimbje kockash, problem me sytë, shqetësime të gjumit, etj. Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është 140/90mmHg ose më lart, për disa ditë, atëherë ju mund të keni hipertension. Ju mund të keni hipertension edhe nëse njëri nga numrat është më i lartë se norma. Hipertensioni zakonisht nuk ka simptoma apo shenja klinike, ndaj rekomandohet që të matet herë pas here. Faktorë të tillë si stresi, ankthi, mënyra e ushqyerjes (me përmbajtje të lartë kafeine ose kripe), pirja e duhanit apo edhe sforcot fizike mund të shkaktojnë rritje të presionit. Po ashtu edhe përdorimi i medikamenteve të ndryshme mund të shkaktojnë rritje të presionit të gjakut. Në vijim të shkrimit, mjekja Ilda Xhelili detajon dhjetë ndërlikimet më të shpeshta prej të cilave rrezikojmë nëse nuk marrim masat e duhura për mbajtjen nën kontroll të vlerave të presionit të gjakut.
Çfarë pasojash i shkakton trupit tonë presioni i lartë i gjakut?
Presioni i lartë i gjakut ose hipertensioni është një nga patologjitë më të shpeshta që haset në praktikën tonë klinike. Kjo është jo vetëm problem për moshat mbi 50 vjecc, por ka një tendencë në rritje të prekë edhe moshat më të reja. Presioni i gjakut konsiderohet normal në vlerat 90 (vlera e ulët) dhe 140 (vlera e lartë) mmHg (milimetër shtyllë zhive është njësia matëse). Mbi këto vlera duhen bërë kontrolle të rregullta mjekësore për të përcaktuar shkakun dhe për të marrë mjekimin e duhur dhe në kohën e duhur. Dëmet që mund të vijnë nga hipertensioni mund të çojnë më shpesh në dëmtimin e arterieve, shfaqjen e aneurizmës, sëmundja e arterieve koronare, zmadhim të zemrës, goditje në tru, dëmtim të veshkave, të kockave, shfaqjen e problemeve me sytë, si dhe shëndetin seksual, si dhe çrregullime të gjumit.
Dëmtimi i arterieve
Në gjendje normale, arteriet janë elastike, të buta duke siguruar lëvizjen me lehtësi të gjakut në të gjithë organizmin. Presioni i lartë i gjakut godet më fort muret e arterieve duke bërë që atje të depërtohen pllakëza yndyrore që i bëjnë arteriet më të ngurta dhe më të ngushta (artersioskleroza). Në këtë mënyrë, ato nuk e kryejnë si duhet funksionin e tyre, të shpërndajnë oksigjen dhe lëndë ushqyese në gjithë organizmin.
Aneurizma
Si rezultat i presionit të lartë goditës në muret e arterieve mund të krijohen zgjerime, fryrje. Kjo është e mundur për çdo arterie, por më shpesh ndodh tek aorta, e cila është arteria më e madhe që del nga zemra, përshkruan trupin mes për mes me degën e saj abdominale (të barkut) dhe vazhdon degëzimin në arterie më të vogla. Nëse një arterie është e dëmtuar, aneurisma mund të zhvillohet edhe pa pasur presion të lartë të gjakut.
Sëmundja e arterieve koronare
Zemra ushqehet me gjak nga tre arterie kryesore që quhen koronare (dega e majtë, e djathtë dhe rrethore). Padyshim këto degë degëzohen në arterie më të vogla që furnizojnë me gjak çdo qelizë të muskulit të zemrës. Nëse në këto arterie formohen pllaka sklerotike yndyrore siç e përshkruam më sipër, pra formohet arterioskleroza, atëherë muskuli i zemrës nuk do të furnizohet mjaftueshëm me gjak që mund të manifestohet klinikisht me dhimbje gjoksi dhe çrregullime të ritmit të zemrës. Presioni ose dhimbja mund të prekë edhe krahun, nofullën apo shpinën. Ndonjëherë mund të shfaqet dhe vështirësia në frymëmarrje, apo edhe mungesë përqendrimi dhe artikulimi. Nëse bllokohen nga arterioskleroza enë të mëdha gjaku atëherë kemi të bëjmë me infarkt të zemrës, i cili mund të rezultojë fatal.
Zemra e zmadhuar
Presioni i lartë në muret e arterieve mund të rrisë tensionin në muret e tyre (si kompensim i presionit të lartë të gjakut) duke çuar në ngushtimin e tyre. Kështu zemrës i duhet një forcë më e madhe për të shtyrë gjakun në drejtim të organizmit. Ndërsa punon më shumë për të lëvizur gjakun, me kalimin e kohës zemra lodhet, muskuli i saj dobësohet dhe lëshohet, pra kemi të bëjmë me zmadhim të zemrës. Një zemër e lodhur, me muskulaturë të dobësuar nuk arrin të kryejë si duhet punën e saj, pra nuk hedh mjaftueshëm gjak (insuficienca kardiake). Si rezultat do të kemi më pak oksigjen dhe lëndë ushqyese në gjithë organizmin.
Goditja në tru (hemorragjia cerebrale)
Si rezultat i presionit të lartë të gjakut dhe dobësimit të një arterie në tru, mund të kemi çarjen e kësaj arterieje dhe shpërthimin e gjakut në hapësirat e trurit. Kjo situatë ka simptoma të ndryshme klinike në varësi nga madhësia e enës së çarë. Rezultati mund të jetë fatal, i menjëhershëm ose i shoqëruar me paraliza të ndryshme, të cilat edhe mund të mos rikuperohen (ka raste të ndryshme).
Dështimi i punës së veshkave
Nëse enët e gjakut në veshka ngushtohen dhe ngurtësohen, atëherë ato nuk do të furnizohen mjaftueshëm me gjak pra rrjedhimisht me oksigjen dhe produkte të metabolizmit. Nëse veshka nuk ushqehet rregullisht dhe mjaftueshëm, atëherë ajo nuk do të kryejë si duhet funksionin e saj. Funksioni kryesor i saj është të filtrojë dhe pastrojë gjakun nga elemente të dëmshme që nuk i duhen trupit tonë. Këto produkte eliminohen nëpërmjet urinës që ajo prodhon. Pra sa më pak gjak të qarkullojë në veshka, aq më shumë lëndë toksike grumbullohen në trupin tonë.
Problemet e syve
Me kalimin e kohës, presioni i lartë i gjakut mund të ngadalësojë rrjedhjen e gjakut në retinë (retina ndodhet në brendësi të syrit dhe ka si funksion konvertimin e dritës në impulse nervore duke ia transmetuar nervit optik). Gjithashtu mund të ngadalësohet rrjedha e gjakut në drejtim të nervit optik (nervi i shikimit), i cili përcjell sinjale në trurin tonë. Kjo mund të shkaktojë turbullimin e pamjes, largimin e vizionit ose shtrembërimin e vizionit.
Probleme seksuale
Tensioni i lartë i gjakut mund të ngadalësojë qarkullimin e gjakut kudo në trup, por edhe në organet seksuale, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Meshkujt mund të kenë probleme me ereksionin gjatë aktit seksual dhe të dyja gjinitë mund të kenë ulje të dëshirës seksuale.
Osteoporoza
Osteoporoza e cila është më e shpeshtë tek femrat e moshuara. Si rezultat i presionit të lartë të gjakut eliminohet më tepër kalcium me urinë. Mangësia e kalciumit çon në uljen e dendësisë kockore dhe zhvillimin e osteoporozës.
Apnea e gjumit
Apnea e gjumit ose siç njihet në gjuhën e përditshme “mbytja në gjumë”. Presioni i rrituri gjakut çon në lëshimin (relaksimin) e muskujve që ndikojnë në procesin e frymëmarrjes duke bërë që gjatë gjumit të ndalojë frymëmarrja për shumë pak sekonda. Kjo mund të përsëritet disa herë gjatë gjumit dhe na duket sikur mbytemi dhe kollitemi menjëherë. Vetë apnea çon në rritjen e presionit të gjakut. Pra futemi në një rreth vicioz që mund të ketë pasoja të mëtejshme shëndetësore. E rëndësishme është që presioni i gjakut duhet matur.
Faktorët që ndikojnë në hipertension:
- Konsumi i madh i alkoolit.
- Konsumi i kripës mbi normën e lejuar.
- Moskonsumi i frutave dhe i zarzavateve.
- Jeta sedentare.
- Historia familjare me hipertension, atak në zemër dhe goditje në tru.
- Përdorimi i tepruar i kripës, etj.
- Niveli i lartë i yndyrave.
Simptomat e hershme që shfaq hipertensioni përfshijnë:
- Dhimbje koke.
- Valë skuqjeje dhe nxehtësie në kokë.
- Marrje mendsh.
- Zhurma në vesh.
- Dobësi trupore dhe lodhje.
- Nganjëherë shoqërohet me gjak nga hundët.
- Ankthe dhe depresion.
- Nervozitet.
- Zverdhje ose skuqje të lëkurës.
- Ndjesi të fikti, etj.
Disa masa që duhet të merrni:
- Rekomandohet ulje e sasisë së kripës në dietë, 5-6 g në ditë, duke përfshirë kripën në bukë dhe ushqimet e konservuara e të përpunuara. Përdorni kripë të jonizuar.
- Modifikimi i konsumit të alkoolit, në jo më tepër se 20-30 g etanol në ditë te burrat, si dhe jo më tepër sesa 10-20 g etanol në ditë te gratë.
- Rekomandohet konsumi i përditshëm i shtuar i perimeve, frutave dhe produkteve me përmbajtje të ulët të yndyrave.
- Rekomandohet reduktimi i peshës në BMI 25 kg/m2 dhe i perimetrit të belit që tek burrat duhet të jetë më i vogël se 102 cm, ndërsa tek gratë jo më shumë se 88 cm.
- Rekomandohen ushtrime të rregullta fizike, të paktën 30 minuta me ushtrime dinamike të moderuara në 5 deri 7 ditë në javë.
- Rekomandohet që të gjithë duhanpirësve t’u jepen këshilla për të hequr dorë nga duhani dhe t’u ofrohet asistencë.
