Ja çfarë duhet të dini për fruthin dhe vaksinën

Pranvera Kola

Fruthi është një sëmundje infektive shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus që transmetohet nëpërmjet rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Shfaqet me ethe të larta, kollë të pareshtur, rinit, konjunktivit dhe një rash (skuqje të lëkurës).

Sipas bluzave të bardha, fëmija rraskapitet nga fruthi, që me të drejtë konsiderohet më e rënda nga sëmundjet infektive të zakonshme të fëmijërisë, për shkak të shenjave akute dhe komplikacioneve të mundshme që shkakton.

Këto ndërlikime mund të jenë otit, laringit, bronkopneumoni, pakësim i numrit të pllakave, kriza konvulsioni dhe mbi të gjitha encefalit. Kjo e fundit ka të bëjë me mahisje të rëndë të trurit, e cila mund të jetë edhe vdekjeprurëse, ose mund të lërë pasoja të përhershme si kriza konvulsion, shurdhim dhe vonesë mendore.

Çfarë duhet të dini për vaksinën!

Përballë shtimit të rasteve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përsërit apelin për të gjithë prindërit, që të mos hezitojnë të kryejnë vaksinën për fëmijët e tyre, si dhe personat që i përkasin ditëlindjes 1980-1990 të vaksinohen sërish, për të mbrojtur veten dhe njerëzit përreth nga sëmundja e fruthit.

Ka edhe disa situata në të cilat kryerja e vaksinës duhet të shtyhet për në një moment tjetër, ose kur nuk duhet të bëhet fare.

Sipas ekspertëve të shëndetit, vaksina duhet shtyrë, kur konstatohet sëmundje akute me the dhe shqetësime të përgjithshme që konsiderohen klinikisht të rëndësishme, si dhe në rastet kur konstatohet marrje gjatë kohëve të fundit të imunoglobinës gjak, ose plazmë, prodhime që mund të pengojnë efektin imunizues të vaksinës. Po ashtu shtyrja e vaksinës duhet të bëhet edhe në rastet kur kohët e fundit keni marrë ndonjë vaksinë tjetër me bazë një virus të gjallë.

Ndërsa rastet kur vaksina nuk duhet të bëhet fare janë: kur konstatohet defekt i rëndë i sistemit imunitar për shkak të ndonjë sëmundjeje, ose terapie, si dhe në rastet e reaksioneve të rënda alergjike ndaj përbërësve të vaksinës.

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *