Ja çfarë i bëri policisë i arrestuari për 5 tonë drogë

Leda Hysa

Gjykata e Apelit rikthen në burg të liruarin nga Shkalla e Parë për 5 tonë drogë që u sekuestruan në Llakatund, më 14 shtator të këtij viti.

Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës, Policia ka shkuar për të arrestuar 58-vjeçarin Rakip Arapaj, por ai rezulton të jetë arratisur.

Dosja “Llakatundi” mori vëmendjen e medias, pasi në rivlerësimin e masës së sigurisë të mbajtur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë u vendos që Arapaj të gjykohej në gjendje të lirë, në kushtet e dorëzimit të pasaportës dhe garancisë pasurore në vlerën e 1 milion lekëve të rinj.

Gjyqtari i çështjes, Arqile Basho, që dha vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë, theksoi pas interesit të medias se vendimi ishte i argumentuar referuar çështjes në fjalë, dhe se kjo ishte gjithçka çfarë kishte për të thënë.

Burime nga Policia e Vlorës kanë konfirmuar se menjëherë pas vendimit të Apelit, një grup ka shkuar në banesën e Rakip Arapajt, për të kryer arrestimin e tij. Por ai nuk është gjetur në banesë, çka konfirmoi dyshimin paraprak se mund të ishte arratisur. Dyshohet se ai mund të jetë strehuar te të afërmit e tij.

Pasaporta e tij është e bllokuar, por nuk përjashtohet dyshimi që 58 vjeçari të ketë kaluar kufirin me forma të tjera të jashtëligjshme.

Në seancën e djeshme, avokati i tij theksoi para trupës gjykuese se 58 vjeçari nuk mundi të paraqitej në Gjykatë për shkak se kishte probleme shëndetësore dhe se kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në sy.

Megjithatë, sipas burimeve, nga verifikimi i kryer nuk rezulton që Arapaj të jetë i shtruar në ndonjë spital.

Ai u lirua më datë 10 tetor nga Gjykata e Vlorës, ndërsa për gjyqtarin që vendosi lirimin e tij,KLD-ja nisi procedurat përkatëse për të verifikuar rastin.

Arapaj u lirua 3 muaj pasi Policia sekuestroi në fshatin Llakatund një sasi rekord prej 15 tonësh hashash, 5 prej të cilave në banesën e vëllait të Rakip Arapajt.

Sipas Prokurorisë së Vlorës, Rakip Arapaj jeton në një banesë që është 7 metra larg një objekti të braktisur ku u gjet droga, një ndërtesë kjo që ka oborr dhe portë të përbashkët me shtëpinë e të dyshuarit.

Por pronari i shtëpisë së braktisur është vëllai i të dyshuarit që ka ndërruar jetë prej kohësh e për këtë nuk dihet se si 5 tonë drogë u magazinuan. Në dokumentet e gjykatës theksohet se “Policia Gjyqësore i ka kërkuar shtetasit Rakip Arapaj të hapte banesën e mbyllur. Ai ka deklaruar se banesa nuk është në pronësi të tij, por të vëllait të tij që ka vdekur dhe ai që nga vdekja e vëllait nuk ka hyrë në banesë”.

Por nga ana e saj, Prokuroria këmbëngul se objekti banohej përderisa përveç 5200 kilogramëve hashash të depozituar, dy armëve kallashnikov dhe 2 litra e gjysmë vaj hashashi, janë sekuestruar edhe pesë filxhanë kafeje, te të cilët nuk janë zbuluar gjurmë gishtash. Prokuroria këmbëngul se është e pamundur të transportohej ngarkesa e konsiderueshme pa dijeninë e të dyshuarit.

Megjithatë, Gjykata vlerëson se afër shtëpisë së Arapajt ka edhe shtëpi të tjera, duke argumentuar se “nuk janë kryer nga ana e akuzës marrja e deklarimeve edhe për persona të tjerë që kanë banesat në të njëjtën afërsi”. “Llakatundi” u trumbetua si një megaoperacion nga ana e Policisë dhe në krye të saj ka qenë vetë kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *