Ja çfarë i ndodh trupit kur lini duhanin

Pranvera Kola

 

Nuk ka rëndësi çfarë moshe keni, apo sa vite keni që pini duhan. Lënia e duhanit rrit cilësinë e jetës suaj dhe ju ndihmon të jetoni më gjatë.

Sipas studimeve mjekësore, duhanpirësit që e lënë duhanin përpara moshës 50 vjeç, ulin me dy herë rrezikun e vdekjes, krahasuar me ata që vazhdojnë të pinë duhan. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, bëjnë me dije se: ish-duhanpirësit kanë cilësi më të lartë jete, më pak sëmundje nga viruset e gripit, dhe mundësi më të pakta për t’u sëmurur nga bronshiti dhe pneumonia.

Lënia e duhanit ul rrezikun për t’u prekur nga kanceri i mushkërive, i gjirit, apo lloje të tjera kanceri, si dhe nga ataku në zemër, apo sëmundje të tjera të mushkërive.

 Konkretisht, përfitimet nga lënia e duhanit janë:

  • 20 minuta pas lënies, rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut normalizohen.
  • 12 orë pas lënies, niveli i monoksidit të karbonit në gjak ulet dhe shkon në nivel normal.
  • 2 javë deri në 3 muaj pas lënies, qarkullimi i gjakut përmirësohet dhe përmirësohet funksionimi i mushkërive.
  • 1-9 muaj pas lënies, largohet kolla dhe pastrohen mushkëritë, si dhe reduktohet rreziku për infeksione.
  • 1 vit pas lënies, rreziku i lartë i sëmundjeve koronare të zemrës përgjysmohet në krahasim me ata që vazhdojnë të pinë duhan.
  • 5 vjet pas lënies, krahasuar me një duhanpirës, përgjysmohen gjasat për infarkt.
  • 10 vjet pas lënies, përgjysmohet rreziku për t’u prekur nga kanceri i mushkërive, ulet rreziku për t’u prekur nga kanceri i gjirit, i ezofagut dhe i pankreasit.
  • 15 vjet pas lënies, rreziku për sëmundje zemre është i njëjtë me atë të një joduhanpirësi.

p.k/dita 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • ajo puna qe 20 minuta pas lenies, rrahjet e zemres dhe presioni gjakut normalizohet, sikur me ve ne dyshim dhe keto te tjerat me poshte sepse duhanpiresi çdo cigare e ndez ne me shume se 20 minuta, keshtu qe thua se i paska rrahjet e zemeres normale gjithnje dhe presionin e gjakut normal?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *