Ngjyra e urinës ka gjithmonë një domethënie që lidhet me shëndetin tonë, ndaj është e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendjen e duhur ndryshimeve të nuancave të saj, gjatë përditshmërisë. Çdo ndryshim i theksuar i ngjyrës vë në dukje nëse jemi duke humbur sasinë e lëngjeve që duhet të ketë organizmi, si dhe kur kemi të bëjmë me sëmundje të ndryshme nga ato më të lehtat që mund të kurohen në kushtet e shtëpisë, e deri tek ato më të rënduarat. Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara edhe rastet në të cilat ngjyra e urinës tuaj tregon se trupi nuk po merr sasinë e duhur të ujit, duke qenë kështu një rrjedhë paralajmëruese për sëmundje të ndryshme nga të cilat mund të jeni prekur.
Kur ngjyra është transparente
Nëse vëreni se ngjyra e urinës tuaj është transparente, duhet të bëni kujdes, pasi kjo tregon që jeni duke konsumuar sasi të larta të ujit, mbi nevojat reale të trupit. Për situata të tilla, duhet të veproni me pakësim të ujit që konsumoni, në mënyrë që të parandaloni edhe shfaqjen e problemeve të caktuara shëndetësore.
Kur ngjyra është në të verdhë të zbehtë
Kur urina juaj ka këtë ngjyrë, tregon se ju jeni i hidratuar. Çka do të thotë se organizmi juaj po merr sasinë e duhur të ujit që i nevojitet për të kryer funksionet e përditshme, pa u gjendur përballë ndërlikimeve shëndetësore, sikundër mund të ndodhë në rastet kur ju konsumi ujë mbi normat e lejuara, ose më pak se sa në të vërtetë organizmi ka nevojë.
Kur ngjyra është e verdhë e errët
Prania e kësaj ngjyre tregon se kemi të bëjmë me një situatë normale, por shfaqet e nevojshme që të konsumoni sa më parë ujë, për të mos lejuar shfaqjen e ndërlikimeve si pasojë e mosbalancimit të sasisë së marrë nga trupi, me atë që është humbur nga djersitja, urinimi, etj.
Kur ngjyra ka nuancat e mjaltit
Nëse urina juaj ka këtë ngjyrë, duhet të bëni shumë kujdes. Kjo pasi në këto kushte trupi juaj nuk po merr sasinë e duhur të ujit, çka mund të çojë në shfaqjen e dehidratimit dhe të shumë problemeve të tjera që mund të jenë pasojë e saj.
Kur ngjyra është në nuancë kafe
Në këtë rast duhet të jeni shumë të vëmendshëm. Kjo ngjyrë e pranishme në urinën tuaj mund të paralajmërojë për dëmtim të rrugëve biliare, intra apo ekstrahepatike. Ndërkohë që është edhe shenjë paralajmëruese për dehidratim të shkallës së rëndë.
Kur ngjyra është në nuanca rozë, ose e kuqe
Së pari duhet të kujtoheni nëse keni ngrënë ushqime që mund të kenë pasur ndikime në ndryshimin e ngjyrës së urinës. Në rast se ky argument nuk qëndron, si dhe vëreni që mund të keni gjurmë gjaku në urinë, atëherë duhet të bëni kujdes. Në raste caktuara kjo ngjyrë mund të mos tregojë asgjë, por në situata të shumta, mund të paralajmërojë probleme të rënduara me veshkat, infeksione të rrugëve urinare, tumore, probleme të prostatës, etj. Këtë problem duhet ta ndani detyrimisht me mjekun, dhe të vijoni më tej me vënien e diagnozës së saktë, për të shmangur çdo ndërlikim të shkallës së rëndë që mund të shfaqet nëse do vijoni të neglizhoni trajtimi e kësaj simptome.
Kur ngjyra është portokalli
Kjo ngjyrë e pranishme në urinën tuaj mund të tregojë se ndoshta ju nuk po konsumoni mjaftueshëm ujë, ndërkohë që organizmi ka nevojë për më shumë. Në këto raste pacientët duhet të dyshojnë për dëmtim të rrugëve biliare. Çka do të thotë se duhet që të merrni detyrimisht ndihmën e specializuar mjekësore për të zbuluar në kohë nëse shëndeti juaj mund të jetë i rrezikuar.
Kur ngjyra është jeshile ose blu
Kjo ngjyrë është disi e pazakontë. Ekziston një sëmundje gjenetike e rrallë që mund ta shkaktojë këtë ngjyrë në urinë. Gjithashtu mund të jetë edhe si rezultat i ndonjë bakteri që mund të ketë prekur traktin urinar. Por, ka edhe shumë gjasa që mund të jetë pasojë e ndonjë ushqimi, apo medikamenti që mund të keni përdorur. Gjithsesi prania e kësaj ngjyre duhet t’ju orientojë detyrimisht drejt ndihmës mjekësore.
