Ja çfarë mund të bëni për parandalimin e hepatitit!

Ornela

Hepatiti është një inflamacion i mëlçisë që shkaktohet nga pesë viruse, që njihen si: hepatiti A, B, C, D dhe E. Përhapja e hepatiteve virale gjatë viteve të fundit është kthyer në një problem shqetësues për strukturat mjekësore, kjo për shkak të barrës së madhe të sëmundshmërisë që shkaktojnë në popullatë.

Pavarësisht rrezikshmërisë që paraqesin në shëndet, nëse masat parandaluese, si dhe diagnostikimi bëhen që në stadet më të hershme, mund të shmangen ndërlikimet dhe pasojat e rënda. Sipas bluzave të bardha të Institutit të Shëndetit Publik diagnostikimi në kohë i hepatiteve mbetet ende një problem më vete, pasi shumica e njerëzve nuk e kuptojnë që janë të infektuar për shkak të mungesës së shenjave të dukshme klinike të sëmundjes që në stadet më të hershme. Në këto kushte infeksioni përparon ngadalë, deri në sëmundje të rënda të mëlçisë.

Llojet e hepatitit B dhe C dhe D janë edhe më problematikët, pasi së bashku listohen të jenë shkaku më i zakonshëm i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, të cilat fatkeqësisht shpesh përfundojnë në vdekje. Kjo për shkak të faktit se zbulimi i tyre bëhet në stade shumë të rënduara, kohë në të cilën trajtimet mund të mos jenë efikase.

Pavarësisht nga shifrat tronditëse që hepatiti ka mbi shëndetin, ai mbetet një grup i sëmundjeve që janë kryesisht të panjohura, të nëndiagnostikuara dhe të patrajtuara. Të dhënat e raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit, tregojnë se virusi i hepatitit B dhe hepatitit C së bashku shkaktojnë rreth 80 për qind të rasteve të kancerit të mëlçisë në botë.

Parandalimi
Përballë rrezikshmërisë që paraqesin hepatitet virale, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se në pjesën dërrmuese të rasteve hepatiti mund të parandalohet, trajtohet dhe në rastin e hepatitit C edhe mund edhe të kurohet. Për të shmangur këtë rrezikshmëri, 5 veprimet që duhet të ndiqni për të shmangur këtë rrezikshmëri që paraqet hepatiti B dhe C dhe D,këshillohet që të përdorni gjithmonë shiringa sterile, të merrni gjak të sigurt, të praktikoni marrëdhënie seksuale të sigurta, të përdorni pajisje të sigurta kur bëni tatuazhe dhe shpime, si dhe të vaksinoni foshnjat që në lindje.

Ndërsa hepatiti A dhe E janë infeksione virale të mëlçisë, të cilat mund të parandalohen me 5 veprime të thjeshta gjatë përditshmërisë. Në këto kushte këshillohet që të lani duart gjithmonë para se të ushqeheni, të pini ujë të sigurt, të mos shkëmbeni sendet personale me të tjerët, si dhe nëse jeni në rrezik vaksinohuni për hepatitin A.

Rreziku që paraqet hepatiti B
Nëse një person është i infektuar, kjo mund të konstatohet vetëm nëpërmjet bërjes së testit të gjakut. Një numër testesh janë në dispozicion për të diagnostikuar personat me hepatit B. Por, për fat të keq, një pjesë e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar sepse nuk kanë shenja të dukshme.

Kur ata fillojnë të kenë shenja, dëmtimet kanë përparuar. Lidhur me mjekimin saktësohet se: “Nuk ka trajtim specifik për hepatitin akut B, ndërsa hepatiti B kronik mund të trajtohet me barna, përfshirë interferonin”. Trajtimi mund të kushtojë mijëra dollarë në vit, prandaj nuk është në dispozicion për shumicën e njerëzve në vendet në zhvillim. Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, me spermën apo lëngun vaginal të një personi të infektuar.

Mënyrat e transmetimit janë të njëjta si për virusin HIV, por virusi i hepatitit B është 50 deri në 100 herë më infektues. Ndryshe nga virusi HIV, virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina.

Kujdesi për hepatitin B
Vaksina kundër hepatitit B është në dispozicion që nga viti 1982, duke parandaluar infeksionin dhe pasojat kronike të tij. Organizata Botërore e shëndetësisë rekomandon që të gjithë fëmijët të marrin vaksinën e hepatitit B sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes, brenda 24 orëve. Doza e lindjes, duhet të pasohet nga 2-3 doza të tjera për të përfunduar gjithë skemën e vaksinimit. Përveç vaksinës e cila ka një siguri dhe efektivitet të lartë, zbatimi i strategjive të tjera të sigurisë së gjakut, duke përfshirë sigurimin e testimit të të gjithë gjakut të dhuruar dhe komponentëve të tij të përdorur për transfuzion, mund të parandalojë transmetimin e virusit të hepatitit B. Praktikat e injeksioneve të sigurta, duke eliminuar injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, mund të jenë strategji efektive për t’u mbrojtur kundër transmetimit të virusit të hepatitit B. Gjithashtu, praktikat më të sigurta seksuale, përfshirë minimizimin e numrit të partnerëve dhe përdorimin e masave mbrojtëse/prezervativë mbrojnë kundër transmetimit të virusit të hepatitit B.

Rreziku për hepatitin B shtohet nëse personi:
• Shpohet me age të infektuara.
• Injekton drogë me të njëjtën shiringë që ka përdorur një person i infektuar me hepatit B.
• Përdor mjetet personale si furçën e dhëmbëve apo mjetet e rrojës të personit të infektuar.
• Bën seks me një person të infektuar pa përdorur prezervativ.
• Ka më shumë se një partner seksual apo i ndërron shpesh ata.
• Bën tatuazhe apo vendos vathë (piercing) me mjete të ndotura që i ka përdorur më parë një person i infektuar.
• Nëna shtatzënë e infektuar me virusin e hepatitit B mund të infektojë fëmijën e saj të porsalindur.

Masat kundër hepatitit B dhe C
• Bëj vaksinën e hepatitit B.
• Mos shkëmbe age ose brisqe.
• Praktiko marrëdhënie të sigurta seksuale.
• Ruaj në mënyrën e duhur mjetet e mprehta.
• Merr gjak të sigurt.

Masat kundër hepatitit A
• Konsumo ujë të sigurt.
• Konsumo ushqime të sigurta.
• Trajto ujërat e zeza në mënyrën e duhur.
• Mbaj higjienën e duhur të duarve.
• Vaksinohu për hepatit A.

 

p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *