Ja çfarë shkakton niveli i ulët i kripës në gjak

Pranvera Kola

Pranvera Kola-DITA 

Të gjithë e dimë se përdorimi me tepri i kripës është një ndër faktorët që ndikon në shfaqjen e sëmundjeve, veçanërisht atyre të zemrës. Megjithatë, duhet të dini se edhe niveli i ulët i kripës në gjak, është po ashtu një kërcënim për shëndetin. Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, rreziqet që sjell niveli i ulët i kripës në gjak, gjendje e cila në gjuhën mjekësore njihet si: “Hyponatremia”.

Çfarë është hyponatremia?

Hyponatremia i referohet një niveli më të ulët të natriumit në gjak se sa është norma e lejuar. Natriumi është një element kimik mjaft thelbësor për shumë funksione të organizmit tonë, duke përfshirë ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve, rregullimin e presionit të gjakut (tensioni arterial) dhe funksionimin normal të sistemit nervor.

Nganjëherë, hyponatremia është referuar edhe si: “helmim me ujë”, sidomos kur është për shkak të konsumit të tepërt të ujit si për shembull gjatë stërvitjes së fuqishme pa bërë zëvendësimin adekuat të natriumit. Duhet të dimë se natriumi nga pikëpamja kimike është kation (jon i ngarkuar pozitivisht) që është i pranishëm në lëngun jashtëqelizor të organizmit tonë.

Shënimi kimik për natriumin është “Na”. Kur kombinohet me klorin (Cl) formohet kloruri i natriumit (NaCl) që është pikërisht kripa e gjellës në tryezat tona. Niveli normal i natriumit në gjak është 135 deri 145 milimol/litër (njësia ndërkombëtare e matjes). Rezultatet mund të ndryshojnë pak nga matjet në laboratorë të ndryshëm.

Cilat janë simptomat klinike që shoqërojnë hyponatreminë?

Kur nivelet e natriumit në organizëm janë të ulëta, uji tenton të hyjë në qeliza duke i bërë ato që të fryhen. Kur kjo ndodh në qelizat e trurit, atëherë kemi të bëjmë me edemë cerebrale. Edema cerebrale është veçanërisht e rrezikshme, sepse truri është i mbyllur brenda kafkës pa hapësira për zgjerim dhe edema (enjtja) mund të çojë në dëmtime të trurit pasi rritet shumë presioni brenda kafkës.

Në përgjithësi, edema cerebrale ndodh vetëm në rastet e rënda të hyponatremisë kronike. Në rastet e hyponatremisë kronike, në të cilën nivelet e natriumit në gjak bien gradualisht me kalimin e kohës, simptomat klinike janë zakonisht më pak të rënda se sa në hyponatreminë akute (një rënie e papritur e natriumit në nivelin e gjakut).

Simptomat klinike mund të jenë jospecifike dhe mund të përfshijnë shenja të tilla si: konfuzion ose gjendje mendore të ndryshuar, shqetësim i pajustifikuar, dhimbje muskulare, dobësi, lodhje pa shkak, spazma muskulare (tkurrje muskulare) të pakontrolluara. Ndonjë nga simptomat e mësipërme mund të shoqërohet edhe me nauze (të përziera), ose të vjella.

Pse ndodh ulja e natriumit në gjak?

Sikundër e theksuam edhe më lart, niveli i ulët i natriumit në gjak mund të rezultojë nga uji i tepërt, ose lëngjet në trup, duke çuar në uljen e përqendrimit të natriumit në organizëm. Kjo lloj hyponatremie mund të jetë rezultat i kushteve kronike të tilla, si: pamjaftueshmëria e punës së veshkave, pra kur lëngu i tepërt nuk mund të filtrohet dhe të eliminohet nëpërmjet punës së veshkave.

Po ashtu mund të vijë edhe si rezultat i pamjaftueshmërisë së punës së zemrës, e ashtuquajtura zemra konxhestive, gjatë së cilës kemi grumbullim me tepri të lëngjeve në trup. Shkak mund të jetë gjithashtu edhe i ashtuquajturi “sindromi i hormonit antidiuretik të papërshtatshëm”, që është një sëmundje kur organizmi prodhon shumë hormon antidiuretik (ADH), duke rezultuar në mbajtjen e ujit në trup.

Konsumi i ujit të tepërt gjatë aktiviteteve sportive, pa zëvendësimin e nevojshëm të natriumit, mund të rezultojë gjithashtu në hyponatremi. Kjo situatë mund të rezultojë edhe kur natriumi humbet nga trupi së bashku me lëngjet, për shembull gjatë djersitjes (sidomos në stinën e nxehtë të verës, gjatë stërvitjes profesionale), gjatë të vjellave të rënda dhe diarresë.

Situatat mjekësore që mund të shoqërohen me hyponatremi mund të jenë edhe: pamjaftueshmëria e punës së veshkave, cirroza e mëlçisë, hipotiroidizmi (funksioni i ulur i gjëndrës tiroide).

Shumë pacientë janë të detyruar që të përdorin barnat diuretike, çfarë duhet të kenë kujdes?

Kujdes duhet treguar me përdorimin e barnave diuretike (shkarkuesit) që çojnë në humbje të natriumit. Në këto raste ka kombinime të veçanta që ruajnë ekuilibrat e natriumit në gjak. Prandaj duhet vepruar gjithmonë sipas këshillimit të mjekut përkatës dhe jo të paraqiteni për t’i marrë vetë nëpër farmaci pa asnjë lloj rekomandimi.

Si trajtohet hyponatremia?

Hyponatremia e butë kronike, në përgjithësi nuk kërkon trajtim tjetër përveçse përshtatjen në dietë, në stilin e jetesës, apo kujdesin ndaj medikamenteve që përdoren. Prandaj çdo shqetësim duhet konsultuar së pari me mjekun e familjes, i cili bën vlerësimin e situatës nëpërmjet ekzaminimeve përkatëse.

Në rastin e hyponatremive të rënda, përgjithësisht trajtimi është spitalor, pasi kërkon zëvendësimin venoz të elektrolitëve (kripërave) dhe lëngjeve. Në këto raste nevojiten shpesh medikamente që trajtojnë shkakun themelor të hyponatremisë, si edhe medikamente për të menaxhuar simptomat shoqëruese.

A mjafton vetëm pirja e ujit për të zëvendësuar këto humbje?

Siç e theksova edhe më lart, kujdes të veçantë duhet të kenë sportistët, apo edhe njerëzit që ushtrohen rregullisht fizikisht dhe me kohë të zgjatur.

Të gjithë e dimë që zëvendësimi i lëngjeve është jetik kur ato i humbasim gjatë ushtrimeve por, duke pirë thjesht ujë të pastër, mund të mos mjaftojë, pasi duhen zëvendësuar edhe kripërat (natriumi, kaliumi, kalciumi, fosfatet, magnezi).

Moszëvendësimi i tyre mund të çojë në një disekuilibër kronik dhe mangësi në elektrolite, të cilat janë shumë të rëndësishme në funksionimin e të gjitha organeve të trupit tonë. E theksoj edhe një herë se pirja e ujit është një zakon i shëndetshëm, pasi trupi ynë kërkon ujë që të funksionojë.

Sa ujë duhet të konsumojmë?

Pirja e rekomanduar, rreth 8 gota në ditë (nga 150 ml) nuk çon në prishjen e ekuilibrave kimikë të organizmit tonë. Prandaj janë të rekomanduar të konsumohen veçanërisht gjatë stinës së nxehtë të verës.

Hyponatremia është rrezik vetëm kur sasitë janë më të mëdha, por edhe kur humbjet janë të mëdha (djersitje të vazhdueshme në kohë dhe në sasi). Prandaj do të ishte më i dobishëm përdorimi i ujit mineral të pasur me kripërat që i duhen organizmit.

Për sportistët janë edhe pijet sportive të përgatitura enkas për ta, por edhe këto kërkojnë konsultimin me mjekun përkatës që ndjek ecurinë shëndetësore të sportistëve.

 

p.k/dita 

Share This Article
1 Comment
  • pershendetje , un jam me diabet tip 2 dhe kete radhe qe bera analizat me dolen dhe kriperat te ulta .un per dkiabet mar komboglyze 2.5 mg/1000mg dhe tani skam mundesi te bej vizit per momentin se jam ne levizje ju lutem mund te me jepni ndonje keshill.flm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *