Ja çfarë shkakton trajtimi jo i duhur i infeksionit të bajameve

redaktor

Për të mos lejuar shfaqjen e ndërlikimeve në një fazë të mëvonshme, të prekurit nga infeksionet e bajameve duhet të ndjekin me kujdes trajtimin mjekësor të përshkruar nga mjeku specialist, pas identifikimit të shkaktarit të sëmundjes. Përdorimi i antibiotikëve jepet vetëm në rastet kur infeksioni është i shkaktuar nga bakteret.

Por, në këtë rast pacienti duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e ndërpresë kurën e ilaçeve, sapo të shohë qetësimin e simptomave. Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon se receta e përshkruar nga mjeku duhet të përfundohet edhe nëse vërehet përmirësimi i gjendjes shëndetësore. Kjo me qëllim që të luftohet infeksioni, si dhe të shmangen ndërlikimet që mund të vijnë më pas.

Ndërprerja e trajtimit është edhe një ndër gabimet e shpeshta që bëjnë pacientët me infeksione të bajameve, të cilët jo vetëm që sëmurën më shpesh, por fillojnë të shfaqin ndërlikime edhe në pjesë të tjera të organizmit, si shkak i veprimit të infeksionit që ka mbetur pa u trajtuar. Në vijim, mjekja Xhelili, tregon se cilat janë ndërlikimet që vijnë nga mostrajtimi i duhur i infeksioneve të bajameve.

Çfarë e shkakton infeksionin e bajameve?

Bajamet (tonsilat palatine) janë pjesë e sistemit limfatik, i cili qëndron në rreshtin e parë në luftën kundër infeksioneve. Megjithatë, heqja e bajameve nuk do të thotë rritje e ndjeshmërisë ndaj infeksioneve. Bajamet janë në numër çift, të vendosura në pjesën e pasme të fytit (në faring) dhe përbëhen nga inde të ngjashme me nyjet limfatike, të mbuluara me të njëjtën mukozë që kalon në pjesën e brendshme të hapësirës së gojës (të kavitetit oral). Tonsilat variojnë shumë në madhësinë e tyre dhe zmadhohen si rezultat i përgjigjes ndaj infeksioneve. Pikërisht inflamacioni, ose infeksioni i tyre përkufizohet me emrin tonsillitis. Shkaku më i zakonshëm janë infeksionet virale, të cilat përfshijnë adenoviruset, rinoviruset, gripi, si edhe viruse të ndryshme respiratore. Shkaku i dytë më i zakonshëm janë infeksionet bakteriale, të shkaktuara kryesisht nga streptokokët e grupit A dhe B, stafilokokët, mykoplazma, apo edhe difteria, treponema, gonorreja. Në kushtet e një imuniteti normal, si viruset, ashtu edhe bakteret, hyjnë në organizmin e njeriut nëpërmjet hundës dhe gojës, ku më pas janë të filtruar pikërisht nga bajamet. Brenda tyre qelizat e bardha të gjakut që përfaqësojnë sistemin imunitar janë në gjendje të shkatërrojnë viruset ose bakteret. Gjatë këtij shkatërrimi prodhohen enzima inflamatore (infektuese), të cilat kur janë në sasi të madhe shkaktojnë ethe. Infeksioni mund të jetë i pranishëm në fyt dhe në zonat për rreth tij, duke shkaktuar kështu inflamacion (infeksion) në faring.

Cilat janë shenjat më të zakonshme që tregojnë se kemi të bëjmë me infeksion të bajameve?

Shenjat klinike më të zakonshme janë temperatura e shoqëruar me ethe, dhimbje kockash (artralgjia) dhe muskujsh (mialgjia), dhimbje fyti, vështirësi në gëlltitje qoftë edhe për lëngje, dhimbje veshi (në rastet e komplikacioneve), zona e bajameve është e mbushur me njolla të bardha, të cilat përfaqësojnë qelbin, zmadhimi i gjëndrave në zonën poshtë nofullave, apo në zonën e qafës. Simptoma të tjera mund të jenë paralajmëruese, siç janë dobësia e përgjithshme, ulja e oreksit dhe era e keqe e gojës. Në rastet kur inflamacioni i bajameve është akut (i menjëhershëm) sipërfaqja e bajameve mund të jetë në ngjyrë të kuqe të ndritshme dhe me zona të dukshme të bardha, apo vija qelbi.

Sa të shpeshta janë këto infeksione dhe cilat janë ekzaminimet që duhet të bëjë pacienti deri në përcaktimin e diagnozës?

Tonsiliti është një infeksion mjaft i shpeshtë, i cili prek deri në 10 për qind të popullsisë së përgjithshme. Diagnoza dhe përcaktimi i mikrobit shkaktar bëhet nëpërmjet kulturës së fytit (merret material nga dy sipërfaqet e tonsilave dhe nga muri i pasmë i faringut). Ndjeshmëria e këtij ekzaminimi shkon deri në 98 për qind. Identifikimi i mikrobit kërkon 24-48 orë kohë. Përveç kulturës bakteriale ndihmojnë shumë në përcaktimin e diagnozës edhe ekzaminime të tjera laboratorikë të gjakut.

Si trajtohen këto infeksione, si dhe a është gjithmonë i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve?

Infeksionet e bajameve duhen trajtuar me shumë kujdes për të shmangur komplikacionet e mëvonshme. Natyrisht trajtimi bëhet në bazë të ekzaminimeve laboratorike dhe në mënyrë të veçantë në bazë të rezultatit të kulturës së fytit, e cila përcakton edhe llojin e antibiotikut ndaj të cilit janë të ndjeshëm bakterit shkaktare. Në rastin e infeksioneve virale nuk duhet të përdoren antibiotikë. Pjesë e rëndësishme e trajtimit të këtij infeksioni është edhe qetësimi i simptomave klinike, si për shembull përdorimi i paracetamolit apo ibuprofeni në rastin e temperaturës së lartë dhe dhimbjes së kockave. Mjaft pozitive rezulton në kushtet e shtëpisë edhe gargara me ujë me kripë. Po ashtu mund të përdoren tableta dezinfektuese që treten në gjuhë (septolet, mentol, etj). Gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme të përdoren lëngje të ngrohta (jo të nxehta) gjatë gjithë ditës, për të lehtësuar gëlltitjen dhe për të qetësuar temperaturat e larta. Duke qenë shkaktari kryesor është infeksioni viral, mënyra më e mirë për ta parandaluar është respektimi i rreptë i rregullave të higjienës. Po ashtu edhe mënjanimi i vendeve të mbyllura, e të mbipopulluara në periudha virozësh është gjithashtu e rekomanduar, kjo sidomos për fëmijët.

Si duhet të veprohet në rastet kronike dhe kur duhet të shkohet drejt ndërhyrjeve për heqjen e tyre?

Infeksion i bajameve mund të zgjasë 1 deri në 3 jave në varësi të shkaktarit. Në rastet kronike ato mund të trajtohen me heqjen kirurgjikale të tyre. Përcaktimi i mjekimit apo vendimi për heqjen e bajameve i takon vetëm mjekut specialist. Asnjëherë mos u drejtoni në farmaci për të zgjedhur vetë antibiotikun, apo në bashkëpunim me farmacistin. Këto praktika janë tërësisht të gabuara, pasi në vend të qetësojnë dhe trajtojnë infeksionin, mund të çojnë në ndërlikime të tjera shëndetësore, si shkak i kalimit të infeksionit në pjesë të tjera të organizmit. Antibiotiku duhet të merret vetëm me recetën e mjekut.

Cilat janë ndërlikimet që mund të rrjedhin nga një infeksion jo i trajtuar mirë?

Infeksioni i bajameve duhet trajtuar mirë për të shmangur komplikacionet. Ndërlikimet më të shpeshta të kësaj patologjie, në mënyrë të veçantë kur shkaktari është streptokoku i grupit B, janë: “Artriti reumatoid, infeksionet në zemër (endokarditi, miokarditi), infeksionet në veshka (pielonefriti, glomerulonefriti, e deri në pamfjashtueshmërinë e plotë të veshkave), otitet (infeksionet e veshit), sinusitet. Komplikacion tjetër është edhe abscesi, grumbullimi i qelbit në pjesët anësore të bajameve. Kjo ndodh zakonisht disa ditë pas fillimit të sëmundjes. Në rastet e infeksioneve kronike (afërsisht të përcaktuara si 7 episode në vit) mund të rekomandohet heqja e bajameve, gjithmonë me konsultën e mjekut specialist. Pacientët, të cilët kanë hequr bajamet janë ende të mbrojtur nga infeksionet, si rezultat i aktivitetit të pjesës tjetër të sistemit imunitar (bajamet janë vetëm një pjesë e këtij sistemi). Nëse mjekimi bëhet në kohën e duhur, ecuria e këtyre infeksioneve është mjaft e mirë. Doza të larta të vitaminës C rekomandohen gjatë kësaj periudhe, kjo për të rritur efikasitetin e luftës ndaj infeksionit. Rëndësi ka në jetën e përditshme edhe forcimi i sistemit imunitar nëpërmjet një ushqyerje të shëndetshme, si dhe aktiviteteve të përditshme sportive.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *