Ne jetën e përditshme na ndodh shpesh të jemi të lodhur. Arsyet mund të jenë nga më të thjeshtat, e deri tek ato më të ndërlikuarat, të cilat mund cenojnë shëndetin. Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, se cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e lodhjes gjatë përditshmërisë, faktorë të cilët në të shumtën e rasteve mund të mbahen nën kontroll. Sipas mjekes, kujdesi për regjimin ushqimor dhe gjumin janë dy ndër faktorët që nuk duhen neglizhuar nëse duam të mbajmë sa më larg ndërlikimet që mund të vijnë si rezultat i lodhjes kronike.
Problemet me gjumin
Një nga arsyet më të shpeshta në krijimin e gjendjes së lodhjes është mungesa e një gjumi të rregullt. Të rriturit kanë nevojë për 7-8 orë gjumë të rregullt gjatë natës për të përballuar veprimtarinë e përditshme. Mungesa e gjumit shkakton lodhje dhe mund të ketë një ndikim negative në shëndetin e përgjithshëm dhe në mirëqenien tonë. Prandaj nëse keni probleme me gjumin, duhet të përpiqeni që të shkoni në shtrat çdo natë në të njëjtën orë dhe të ngriheni nga shtrati në të njëjtën orë në mëngjes. Kjo me qëllim për të krijuar një regjim të gjumit tuaj, i cili është specifik për çdokënd. Sigurohuni që dysheku të jetë i rehatshëm, mos lini dritën ndezur, fikni televizorin dhe celularin, si edhe kujdesuni që temperatura e dhomës të jetë normale (jo shumë ngrohtë, por edhe jo shumë ftohtë). Nëse situata nuk përmirësohet për një kohë të gjatë atëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj, për të kapur në kohë problemet shëndetësore që mund të jenë shkak për çrregullimet e mirëfillta të gjumit.
Apnea e gjumit
Si shkaktar i dytë renditet apnea e gjumit, që përbën një çrregullim serioz të gjumit, gjatë të cilit ndërpritet frymëmarrja për momente shumë të shkurtra. Shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se kjo po ndodh, pasi ajo shoqërohet me gërhitje me zë të lartë, si edhe lodhje gjatë ditës, të cilave njerëzit nuk u kushtojnë shumë vëmendje. Simptomat e apnesë së gjumit i përkeqëson mbipesha, pirja e duhanit, pirja e alkoolit. Prandaj këto duhen pasur parasysh për një ushqyerje dhe stil jetese të shëndetshme pa duhan, pa alkool dhe pa mbipeshë. Apnea e gjumit është një problem serioz që kërkon detyrimisht konsultimin e mjekut specialist.
Kujdesi për ushqimin
Edhe mënyra e ushqyerjes mund të jetë shkaktar i lodhjes. Ajo çka hani mund të ndikojë në gjumin tuaj. Ushqimet që shkaktojnë rritje të shpejtë të sheqerit në gjak japin lodhje, kjo sepse siç ngrihet, ashtu edhe ulet shpejt niveli i glicemisë, çka bën që edhe organizmi të ndihet edhe më shumë i lodhur. Prandaj konsumoni një dietë të ekuilibruar, të plotë me fruta, perime, drithëra dhe proteina. Shmangni ose kufizoni yndyrat dhe sheqernat e drejtpërdrejta.
Tek femrat shkaku më i zakonshëm i lodhjes është anemia nga mungesa e hekurit. Qelizat e kuqe të gjakut (eritrocidet) transportojnë oksigjenin në të gjithë trupin dhe hekuri është komponenti kryesor i këtyre qelizave. Pa hekur të mjaftueshëm, organizmi ynë nuk mund të marrë oksigjenin e mjaftueshëm dhe energjinë. Gratë gjatë menstruacioneve, apo edhe shtatzanisë paraqesin risk për anemi nga mungesa e hekurit. Kjo situatë ka nevojë të trajtohet nga mjeku përkatës, si edhe me ushqime të pasura me hekur, siç janë mishi, fasulet, brokoli, arrat dhe drithërat. E theksoj, se anemia nga mungesa e hekurit nuk korrigjohet me ushqime. Kryesore është mjekimi medikamentoz i përshkruar nga mjeku.
Depresioni
Depresioni është një tjetër shkaktar që çon në shtimin e lodhjes. Në përgjithësi, depresioni shkakton trishtim dhe ankth, mund të çojë gjithashtu edhe në pagjumësi, përfshirë këtu dhe lodhjen. Depresioni paraqet një problem, i cili nuk mund të zgjidhet pa trajtim duke përfshirë terapinë medikamentoze dhe psikoterapinë.
Prodhimi i ulët i hormoneve të tiroides
Një arsye tjetër që renditet në themel të lodhjes është hipotiroidizmi (prodhimi nën normë i hormoneve të tiroides). Tiroidja është një gjëndër që siguron karburantin për energjinë që i duhet organizmit të kryejë funksionet e tij. Një tiroide që nuk prodhon nivele të caktuara të hormoneve shkakton lodhje, depresion dhe shtim në peshë. Ky çrregullim konfirmohet me një test hormonal të gjakut. Në përgjithësi situata i përgjigjet mirë zëvendësimit hormonal.
Mos e teproni me kafen
Në përgjithësi njerëzit pijnë kafe ose çajra që përmbajnë kafeinë për të marrë më tepër energji, kjo veçanërisht në mëngjes pas zgjimit. Megjithatë, kafeina e marrë me tepri mund të shkaktojë dridhje, rrahje të shpeshta të zemrës, tension arterial të lartë, ankth, pagjumësi dhe për rrjedhojë shkakton gjendjen e lodhjes. Prandaj duhet bërë kujdes që sasia e këtyre lëngjeve të jetë e ekuilibruar. Në rastin kur kjo teprohet duhet të përdorni sasi të mëdha të ujit për të bërë shpëlarjen e shpejtë të organizmit.
Mund të duket e çuditshme, por infeksionet e shpeshta të aparatit urinar, përveç dhimbjes, urinimit të shpeshtë dhe djegies gjatë urinimit, mund të shoqërohen gjithashtu me lodhje dhe me dobësi të përgjithshme. Fillimi i menjëhershëm i mjekimit për këtë problem çon në korrigjimin e situatës.
Diabeti
Një arsye mjaft e shpeshtë e lodhjes është diabeti, i cili mund të shkaktojë lodhje, si kur niveli i sheqernave në gjak është shumë i lartë, ashtu edhe kur ato ulen nën normë. Niveli i lartë i sheqerit në gjak tregon se qelizat nuk po ushqehen me glukozë, pra nuk e përdorin dot sheqerin dhe kështu ato ndjehen vazhdimisht të uritura, çka bën që edhe organizmi të ndjejë vazhdimisht lodhjen. Në rastin kur sheqernat janë të ulura në gjak, do të thotë që ato nuk janë në nivelin e duhur për ushqyerjen e organizmit, ndërsa kur ato janë të larta, do të thotë që organizmi nuk i përdor dot ato për ushqyerjen e qelizave. Prandaj diabeti është një sëmundje që kërkon një menaxhim mjaft të mirë, si nga pacientët ashtu dhe nga mjekët. Nuk mjaftojnë vetëm medikamentet, por edhe një dietë rigoroze shoqëruar me aktivitete sportive sipas porosive të mjekut.
Dehidratimi
Dehidratimi është një arsye tjetër që shkakton lodhjen. Ne të gjithë e dimë që uji shuan etjen, dhe të qenit të etur do të thotë dehidratim në shkallë të ndryshme. Shumica e studimeve rekomandojnë rreth 8 gota uji në ditë, por kërkesat për ujë rriten nëse aktiviteti fizik i ditës është i lartë, apo ambienti është i ngrohtë. Për shembull gjatë verës nevojat për ujë shkojnë dy deri në tre litra në ditë pasi humbasim shumë me djersitjen. Kur jemi të hidratuar mire, urina është në ngjyrë të qartë, e verdhë e zbehtë. Nëse është e errët do të thotë se keni nevojë për më shumë lëngje.
Sëmundjet e zemrës janë një shkak tjetër i lodhjes. Njerëzit që vuajnë nga zemra lodhen kur ngjisin shkallët, kur pastrojnë apo kryejnë aktivitete të tjera të përditshme. Kur zemra vuan ajo nuk është në gjendje të pompojë sasinë e duhur të gjakut që i duhet organizmit për të përballuar aktivitetet e përditshme. Prandaj sëmundjet e zemrës përbëjnë një urgjencë mjekësore qoftë për trajtimin medikamentoz qoftë edhe për ndryshimin e mënyrës së jetesës.
Alergjitë ushqimore
Gjithashtu lodhja mund të vijë edhe nga alergjitë ushqimore. Në shumë raste është konstatuar se lodhja ushqime të caktuara mund të kontribuojnë në lodhjen kronike. Nëse ju ndiheni të përgjumur pasi hani ushqime të caktuara mund të keni intolerance ndaj këtyre ushqimeve. Mënyra më e mirë në këto raste është eliminimi i këtyre ushqimeve. Vini re nëse situata përmirësohet kur nuk i përdorni ato. Këto ishin shkaktarët më të shpeshtë të lodhjes, por sigurisht që mund të ketë edhe arsye të tjera që qëndrojnë në bazë të sëmundjeve të ndryshme. Prandaj është gjithmonë i nevojshëm këshillimi me mjekun tuaj të familjes. Si përfundim mund të themi që një rol të rëndësishëm luan ushqyerja me një dietë të ekuilibruar dhe të plotë, me kafeinë të kufizuar, si edhe zakonet e mira të gjumit (orari dhe kushtet komode të fjetjes).



