Anemia është një ndër çrregullimet e shpeshta të gjakut që vjen si pasojë e pakësimit të rruazave të gjakut në organizëm. Këto çrregullime mund të sjellin pasoja të pariparueshme në shëndet, si rezultat i uljes se nivelit të hemoglobinës në rruazat e kuqe, e cila është një ndër komponentët përbërës më të rëndësishëm të rruazave të kuqe të gjakut që bën transportimin e oksigjenit në të gjitha indet e organizmit.
Krahas kequshqyerjes, faktorë të tjerë që çojnë në përhapjen e anemisë janë edhe shkatërrimi i tejskajshëm i rruazave të kuqe, humbja e gjakut, çrregullimet e trashëguara, mungesa e hekurit dhe vitaminave, infeksionet e ndryshme, si dhe ekspozimi ndaj lëndëve të ndryshme toksike. Simptomat që e shoqërojnë aneminë janë nga më të ndryshmet dhe shfaqen në forma të caktuara tek çdo individ.
Ndër shenjat karakteristike të kësaj sëmundjeje pohohet të jetë zbehja e lëkurës. Kështu, nëse një person është i prekur nga anemia, manifeston zbehje të lëkurës, skuqje jo normale të buzëve dhe çarje të tyre, rrahje të shpeshta të zemrës, si dhe humbje të përqendrimit.
Shenja të tjera që e shoqërojnë sëmundjen janë edhe: gjendja e irritimit që pacienti tregon, shfaq lodhje fizike, marrje mendsh dhe rrahje të shpejta të zemrës. Ka edhe shenja, apo simptoma të tjera, të cilat janë të vështira për t’u identifikuar që në fazat fillestare, pasi nuk janë të dukshme.
Megjithatë, është mjeku specialist ai që përcakton më saktë diagnozën e sëmundjes, pasi çdo pacient ka të veçantat e sëmundjes që nga parandalimi, fillimi, shfaqja dhe në fund trajtimi me medikamentet e duhura.
Në pjesën dërrmuese të rasteve, pacientët e evidentojnë sëmundjen pasi kanë kryer një sërë analizash dhe testesh, ku më kryesorja është analiza e përbërjes së gjakut që përfshin të gjithë komponentët e tij.
Duke përcaktuar llojin e anemisë dhe faktorët që e shkaktojnë përcaktohet edhe lloji trajtimit që pacienti duhet të ndjekë.
Mjekët vënë në dukje se zakonisht trajtimi i anemisë nis me ristrukturimin e niveleve të hekurit në gjak. Gjithashtu, një rol të rëndësishëm luajnë edhe vendosja e balancave të duhura të acidit folik, i cili nuk duhet të jetë në mungesë, si dhe vitaminës B12.
Kurimi i anemisë mund të bëhet me anë të transfuzionit të rruazave të kuqe të gjakut të marra nga dhurues, nga heqja dhe transplantimi i shpretkës, si dhe në raste të caktuara trajtimi bëhet me anë të ilaçeve që mbrojnë qarkullimin normal të rruazave të gjakut në organizëm.
Një ndër mënyrat më të mira për të mbajtur larg këtë sëmundje ka të bëjë edhe me ndjekjen e një regjimi ushqyerjeje të shëndetshëm, ku duhet t’i jepet më shumë përparësi perimeve dhe frutave, si dhe të qëndrohet sa më larg ushqimeve të rënda dhe yndyrave që treten me vështirësi nga organizmi. /p.k/dita
