Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë kanë treguar se jo vetëm mund të luajnë rregullisht në kampionatin shqiptar, por këtë sezon më shumë se kurrë mund të jenë përcaktues duke ndihmuar skuadrat e tyre në arritjet e objektivave përkatës. Ajo që të bie në sy në skuadrën virtuale të shqiptarëve të Diasporës, që luajnë në Superiore është se asnjë portier nga ky kontingjent nuk luajti këtë sezon në Superiore. Nuk është e vështirë për të përcaktuar mbrojtjen duke pasur parasysh që mbi të gjitha Fejzullahu, Curri, Cuculi apo Abazi kanë mbajtur peshën kryesore në skuadra si Partizani, Tirana apo Skënderbeu.
Në mesfushë Partizani vazhdon të ketë numrin më të lartë të lojtarëve, pasi Mazrekaj e Nexhipi meritojnë patjetër një vend në këtë formacion. Në mesfushë në këtë formacion virtual luan dhe Berisha që mund të ketë qenë nga futbollistët më përshtjellues të gjithë kampionatit.
Përcaktimi më i vështirë është për repartin e sulmit, pasi ata që kanë shënuar rregullisht janë ose shqiptarë nga Shqipëria ose të huaj. Kësisoj talenti i Latifit zë vend në këtë formacion, ndërkohë që pavarësisht luhatjes së formës dhe Lushtaku ka luajtur rregullisht në këtë vit futbollistik. Trajneri i vetëm shqiptar që ka lindur jashtë Shqipërisë në këtë edicion ishte Artim Shaqiri dhe sigurisht që në këto kushte bankina do të jetë e tija.
