Aromë gjaku dhe historie shqiptare
Nga Pëllumb Gorica

Është kënaqësi të nisësh një udhëtim të gjatë, kur qyteti ende s’është zgjuar dhe kur pret që erërat e Jugut të të thërrasin për së largu. Po udhëtoj drejt kufirit grek, nën një qiell të shndritshëm, të nënshkruar vende-vende nga trille resh të bardha.
Miqtë, që kishin vizituar edhe më parë, më kishin lëvduar natyrën e bukur të Janinës dhe shekujt e historisë së saj. Megjithëse dëshira ka qënë e kahershme për ta parë, ca nga pamundësia e pak nga preokupimet e përditshme, e kisha shtyrë për një kohë tjetër. Veçse vjen një ditë që e shkel dhe njeh nga afër historinë e saj. Duke përfytyruar gjithë thesaret që mban ky qytet i njohur, kjo dëshirë u ndez më shumë në udhëtimin prej dhjetëra kilometrash drejt saj, së bashku me udhëtarë të tjerë, në autobusin shumëvendësh e komod, i ngjashëm me një shtëpi të ngrohtë dhe të dashur.
Rruga dhe ndalesat më miqësuan me mjekun Lluka Heqimi, shkrimtarin Abdyl Bakiu, Aida Metin, të apasionuar pas udhëtimeve dhe Afred Kopanin nga Elbasani dhe kësisoj më pas çdo gjë ishte e këndshme. Secili tregonte diçka rreth së kaluarës dhe së tashmes së Janinës, por, kur e kalova doganën e Kakavisë më pushtuan emocionet. Biseda me të sapo njohurit po përqendrohej në fenomenin e zhveshur të kodrave dhe pyjeve këtej dhe të gjelbëruara andej si në përrallë, të cilat parakalonin mes freskisë së këndshme nën këmbë malesh. Natyra me harlisjen e saj më bën t’i adhuroj më shumë atë, të mbështjellë me kureshtjen për këtë tokë të shkëputur padrejtësisht në vitin 1913 nga fqinji ynë, Greqia.
Simbolikë historike
Ndërsa makina i afrohej Janinës, sytë humbën në detin e ndërtimeve. Në mendje më erdhën fjalët e këngës: “Janinës ç’i panë sytë”. Qyteti i shtrirë në konture kodrash të gjelbëruara dhe i mbështjellë nga një aureolë drite prej pamjes piktoreske të liqenit Pamvlotis, në mes të të cilit gjendet ishulli, të deh me aromë stinësh; ndaj lodhja e udhëtimit të gjatë tjetërsohet. Pikërisht pozicioni i favorshëm pranë liqenit dhe rrugës së lashtë që lidh detin me pjesë të tjera të territoreve, bëri të mundur ngritjen e tij. Fillesat e saj Janina i ka në kohën e Bizantit e rrethuar nga jo pak vendbanime Antike, të cilat kanë lënë gjurmë, si pjesë e kulturës së lashtë dhe dëshmi të hershme të jetës njerëzore këtu. Pak kilometra nga qyteti i Janinës ndodhet Dodona Pellazgjike me shkallët e stërlashta, ku dikur janë luajtur kryeveprat e Lashtësisë Greke, tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, etj.
I zhytur thellë në meditime, me gjithë kohën e pamjaftueshme për të shkelur anëkënd qytetin dhe për të përthithur me të rrokshmen nën rrukullimën e përjetimeve, nuk mund t’i lejoj vetes kurrsesi të tregohem shpërfillës ndaj ndërtimeve arkitekturore që të shpërfaqen aty, të cilat janë ruajtur aq mirë, të lidhura me ngjarje dhe emra. Por, kur u ndodha para këtyre vlerave të lashtësisë, u mundova t’i lidh me ato që kam lexuar. Diku i hasa dhe ndjeva kënaqësi, por shpejt e kuptova se njohuritë e mia janë të pakta e më dukej krejt e arsyeshme të eksploroja më shumë nëpër përmasat e thella të historisë së saj, mbi të tashmen dhe gjenezën, i bindur se duart e artistëve të huaj kanë lënë shumëçka edhe nga kultura e tyre.
Në Janinë ajo që përbën një nga pasuritë e rëndësishme historike dhe që zgjon aq shumë interes mbi çdo gjë tjetër, është kalaja madhështore. Kalaja e njohur që në shekullin IV para Krishtit e ndoshta më herët është kthyer sot në një qendër turistike, aty buzë liqenit, duke i tërhequr aq shumë vizitorët, jo vetëm me pamjen, por edhe me përzierjen magjepsëse të qytetërimeve. Dhe kjo duket qartë nga struktura solide e ambienteve me jete aristokrate në kohëra, diku-diku të shkatërruara nga flaka e luftërave. Vështron parrëfyeshëm muret e larta, xhamitë, kishat e ndërtimet e vjetra si dëshmi që i rezistuan kohës. Kureshtja bëhet më e papërmbajtshme kur atë e tret mbi kullën e madhe të sahatit, në rrugicat me gurë të gdhendur që kryqëzohen nëpër objektet e hershme, si edhe në pjesët e mbetura nga topat, gjylet, kolonat dekorative të gdhendura në kohëra të ndryshme, aty ku gjendet varri pa kokë i Ali Pashë Tepelenës. Krejt pa dashje të vjen në mend frëngu Pukvil me përshkrimet e tij.
Marr rrugën në pikën më dominuese të kalasë, drejt xhamisë, që prehet e heshtur mes shkëlqimit verbues të diellit e kthyer në muze bizantin. Ajo shquhet për arkitekturë dhe mendohet se i përket ndërtimeve të shekullit XVI. Xhamia të prezantohet me kube të vogël e me një minare të lartë, por më së shumti e veshur me dekoracione murale.

Bashkohem me vizitorë të shumtë dhe endemi nga njëra kthinë në tjetrën duke vështruar reliket, antikuaret, ormanentet, por edhe zbukurimet e shumta të disa periudhave. Ato të ekspozuara me fanatizëm, me kuptim dhe peshë të madhe, të fusin thellë në kulturën e shekujve të Janinës, por edhe të çojnë si pa u ndjerë në një kohë tjetër.
Pranë ndërtimeve të ronitura të shekullit të kaluar, të njohura ndryshe si Lagjet e Vjetra, të cilat shquhen për uniformitet, sytë kërkojnë “Zosimean”, gjimnazin e famshëm të Janinës, të cilësuar si “Shkollë e Madhe e Kombit, tepër të rëndësishëm për vlerat njerëzore e kulturore të dhjetra figurave të njohura shqiptare që studiuan aty. Le të përmendim: Konstandin Kristoforidhin, Jani Vreton, Naim, Sami e Abdyl Frashërin, Ismail Qemalin, Zenel Gjolekën, Hasan Tahsinin, Ali Asllanin, Abedin Dinon, Mustafa Krujën, Qazim Mulletin, Sylejman Delvinën, Sali Nivicën, Myfit Libohovën, etj.Nuk gjej fjalë të tepërta për të përshkruar emrin e kësaj shkollë, që ka rrezatuar në kohërat e këtij qyteti, si një nga vatrat me vlera historike, ku nëpërmjet saj përçoheshin aq shumë ndjenjat shqiptare. Nuk duhet harruar koha kur u hap, në lulëzimin e madh të Pashallëkut të Janinës dhe me kontribut të veçantë të Ali Pashë Tepelenës.
Është në interes të përmend faktin që, Janina në shekujt e XVIII dhe IX ishte kryeqendra e Jugut (Pashallëku i Janinës) e territoreve shqiptare. Ishte koha kur Perandoria Osmane krijoi Pashallëqet Autonome të sistemit të saj administrativ dhe Janina, është e lidhur pazgjidhshmërisht krahas të tjerash me emrin dhe sundimin e Ali Pashë Tepelenës si pasha i saj. Ai këtu kaloi një pjesë të jetës së tij mes dashurisë edhe si histori pasioni. Janina ishte një nga tre pashallëqet shqiptare me zhvillim dhe vlera kulturore të kohës. Greqishtja asqë njihej këtu dhe gjuha jonë i kishte rrënjët thellë në të kaluarën e identitetit tonë. Një dëshmi e këtij zhvillimi ishte zejtaria dhe tregtia.
Më duhet të përmend se Janina në fillim të shekullit të kaluar përjetoi luftime të ashpra dhe të përgjakshme. Duke hedhur dritë mbi këto ngjarje, është mirë t’i referohesh sa më shumë fakteve rreth shpërfytyrimit të këtyre territoreve. Është kjo një nga ato të vërteta të hidhura që dihen, si një pjesë e historisë së këtij qyteti dhe e luftës së shndërruar në kurthe vdekjeje për qindra luftëtarë shqiptarë, të cilët, me qëndresën vetëmohuese, sakrifikuan edhe jetën për të mbrojtur qytetin nga grekët dhe, ku shpërnguljet masive të çamëve myslimanë drejt Turqisë morën një hov në mesin e shekullit XX.

Politika diskriminuese ndaj shqiptarëve çamë është e dhimbshme, e cila pasoi edhe më vonë me një genocid të pashoq ndaj tyre, por ajo që e bën të prekshme këtë dhimbje është sëmundja e mendjeve të qorrollespura greke. Spastrimi etnik i këtyre territoreve është dhe mbetet plagë edhe sot. S’kam ndërmend të shkruaj më shumë, sepse nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, por pa kurrfarë mëdyshje për aq sa kam lexuar dhe që dihet tashmë, duke dashur të mos besosh, grekët e kanë falsifikuar historinë, gjë që duket sheshit, sepse ushqejnë edhe në mijëravjeçarin e tretë idenë e një politike intensive në emër të Epirit, për të thënë se ende ka një klimë acaruese.
Rrëfimi i një emigranti
Eci mes natyrës që ka derdhur artin e saj në liqen, ku, buzë tij edhe dora e njeriut ka krijuar ambiente të bukura. Rrjedha e kalimtarëve të shumtë që shëtisnin e të tjerë teksa nxitojnë për diku e mbushte ajrin me zëra të gjuhëve të ndryshme, duke i dhënë një tjetër atmosferë qytetit. E ndjej kështu veten të zhytur në këtë kakakofoni, por befas një muzike shqiptare që vinte nga një kafene e vogël më tërhoqi drejt saj menjëherë.
Sapo u ulëm dhe ishim gati të porosisnim një kafe dikush më thirri në emër. E kthej kokën dhe m’u rikujtua menjëherë ajo fytyrë, edhe pse kishte ndryshuar aq shumë. Solla ndërmend shikimin e tij… Ishte ai, Idajeti nga Mallakastra, miku i viteve të rinisë. U përpoqa të fsheh emocionet e çastit, por ai më përqafoi me gëzim dhe nuk pushoi së më pyeturi për miqtë tanë. U zhytëm në kujtime, sigurisht në ato më të veçantat e që na sillnin aq shumë mall. Më pas rinisëm bisedën për hallet tona. Tregon se jeta këtu ka rrjedhur si uji në shtratin e një lumi të rrëmbyeshëm, herë me valë e herë me dallgë. Në Janinë ka nisur jetën bashkëshortore dhe aty i kanë lindur fëmijët, që tashmë janë bërë burra. Herë me punë e herë pa punë, çdo gjë e ka ndërtuar me djersë, duke hapur dhe biznesin e tij, këtë kafene të vogël, mes vështirësive që po kalon Greqia sot, ku më së shumti mblidhen shqiptarë. Megjithatë ai nuk harron dhe kujton udhëtimin e parë për në Greqi, në një rrugë të ngjashme si e milingonave të cilat nisen për të kërkuar ushqim larg. Këtu, ku çdo gjë ishte e huaj; gjuha, peizazhi, njerëzit, ai u vendos dhe nisi jetën e re…Emigracioni ka lënë gjurmë, jo vetëm në pamjen, por edhe në bisedat e tij.
I kujtohet kalimi i kufirit ato ditë kur ai u nis. Ndoshta tepër i vështirë, sepse nëpër faqet e gazetave dhe në qëndër të emisioneve televizive bëri bujë vrasja e dy ushtarëve dhe një oficeri shqiptar në një postë kufitare afër Kakavisë nga bandat greke. Ai e kujton shpesh këtë udhëtim, që është ende i gjallë, sikur ka ndodhur dje, ndaj nuk i përmbajti emocionet që rridhnin nga vetëdija e tij.
E kalova kufirin, – thotë ai, – natën së bashku me dhjetëra të tjerë, me një trastë ushqimesh të thata dhe pak veshje të vjetra për ndërresë, por me zemër të ngrirë prej frikës së policisë greke. Ishte një kohë e keqe atë natë. Dukej se edhe qiejt ishin çarë. Ecja i lagur deri në palcë nga shiu pa mundur të gjeja vend ku të fut kokën. Të nesërmen kaluam në një qytet të vogël dhe u çudita me bollëkun, ndriçimin, pastërtinë dhe ndërtimet që më bënë aq shumë përshtypje. Kështu e më bukur është gjithë Greqia. Punova ca ditë aty të mbaja frymën gjallë e më pas udhëtova në Trikalla. Por erdhën kohë që lëvizja e lirë drejt Greqisë bëri të mundur të udhëtohet në kushte komode; gjithsesi nuk duhen harruar ato vite dhe sakrificat e shumta.
Ajo kafe me Idajetin me shijoi më tepër se çdo kafe që kam pirë me të tjerë. Këtu në Janinë e përjetova ndryshe.
Ishulli i ditëve të fundit të Pashait
Mora rrugën për më tutje mes grishjes së kësaj lashtësie. Ishulli shfaqej së largu ngjyra-ngjyra si një ndër vendet e parapëlqyer nga turistët. Natyrisht të ngazëllon liqeni nën një sfond me re që lëvizin drejt lindjes dhe përthyhen aty, si një pikturë gjigante, por sidomos varkat dhe anijet e vogla që lundrojnë, ashtu si pulëbardhat tufa-tufa, të cilat fluturonin e të zhyteshin në ujë për të kërkuar ushqim. Ndërsa drurë degëshpërndarë rrepesh si gishtërinj, buzë liqenit, të dhurojnë përshtypje të tjera nga ky qytet hijerëndë e me një natyrë emotive.
Anija lundron drejt ishullit dhe timonieri i saj, një grek trupmbushur, të tregon legjendën që lidhet me mbytjen e 17 grave janiniote prej Ali Pashë Tepelenës, i cili, duke parë degradimin moral të qytetit, urdhëroi vdekjet e tyre në një natë dimri. Aliu duke qenë i i pamëshirshëm ndaj veseve të shoqërisë, vendosi rregull e rend dhe u bëri rezistencë turqve në Pashallëkun e Janinës së bashku me të tjerë shqiptarë: Omer Vrionin, Zylyftar Podën, Ago Vasjarin, Tahir Abazin, Tafil Buzin, etj. Me natyrën e mprehtë e kryengritëse që zotëronte, ishte edhe tepër madhështor në sytë e atyre të cilët në Janinë drejtonin misionet diplomatikë të Perandorive Evropiane, duke e cilësuar atë si Luani i Janinës. Kjo madhështi ka frymëzuar poetë, shkrimtarë, studiues historie, piktorë, aktorë, më së shumti të huaj, ta përjetësojnë si emër mitik.
Teksa zbresim në breg, sytë e mi ndjekin vijëzimin e kalldrëmet me ndërtimet arkitekturore të vjetruara rreth e qark, që të tërheqin vëmendjen menjëherë. Por kureshtja që më kishte pushtuar bëhej më e thellë nga hapat drejt Manastirit të Shën Pandelejmonit, i përshtatur si muze. Ndaj dhe ndjej se kam ardhur enkas për të “takuar” Aliun dhe historinë e lavdishme të Janinës.
Brenda muzeut heshtja mbizotëron dhe sikur e ka hermetizuar historinë e Ali Pashë Tepelenës me ngjarje të kristalizuara aq qartë. Shtangem përballë topit dhe armëve të lara me flori, por edhe nga gjithçka tjetër që rrëfen betejat me prijësit, atributet e veçanta, të cilët të ngacmojnë aq shumë e të ringjallin kohën dhe personalitetin e Aliut me pushtet të gjithanshëm.

Sytë i përqëndroj mbi sofrabezët e kuq, që më verbojnë me fuqinë mahnitëse të tyre dhe që i tërheq aq shumë vizitorët e huaj me fotot, portretet, veshjet, pikturat ikonografike, dokumentet e një mori dëshmish të ruajtura e të radhitura bukur. Ato krijojnë kështu magjinë e befasisë art; porse nëpër stenda, vitrina, kthina, qeli me lagështi, është e stërzgjatur paraqitja e objekteve fetare ortodokse e të tjera të cilat kanë të bëjnë me Revolucionin Grek të vitit 1822. Midis dhjetëra portreteve, ajo e Aliut mjekërbardhë me Vasiliqinë më merr shikimin e më mban mbërthyer. Dhe, ndërsa e vështroj, ndjesitë e mia përshëndeten nga një jehonë zëri, si dikur kur ushtonte heroika e tij me një fund paksa tragjik.

Por më bëri më tepër përshtypje ciceroni i muzeut kur tregonte reliktet dhe mbishkrimet greqisht dhe kur tentoi t’u ik të vërtetave shqiptare, duke i cekur kalimthi ngjarjet që kanë lidhje me shqiptarë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë të thella, pa denjuar për të thënë edhe disa fjalë për secilin prej tyre.
“Sepse kjo grekëve nuk u pëlqen ta rrëfejnë, dhe të pranojnë faktin që ata ishin dominues në veprimtarinë e këtij qyteti dy shekuj më parë- më thotë bashkudhëtari im, mjeku Lluka Heqimi. E pafalshme kjo, kur Historia Botërore flet ndryshe dhe kur atë grekët tentojnë ta privatizojnë”.
“Ku janë të dhënat për shqiptarët”, pyeta dhe nga ciceroni nuk mora përgjigje; vetën ngritje supesh. Ndaj, është detyrë për ne shqiptarët që për çdo gjë e cila i përket historisë sonë duhet të reagojmë me kurajo sa herë që ndeshim mohime dhe heshtje të tilla të qëllimta.
* * *
Një tufë reje zë e tërhiqet nga liqeni kur ne zbresim nga anija. E lemë pas krahëve Janinën e historive të mëdha dhe të pashait gjëmimtar, sepse do të na duhej të udhëtonim drejt qyteteve të tjera të Greqisë. I dhënë pas historisë dhe bukurive natyrore, orët e kësaj dite s’di se si më fluturuan aq shpejt me plot kënaqësi,saqë është e vështirë t’i përshkruaj të gjitha përshtypjet. Por do të kthehem sërish këtu, sepse, mbi gjithçka, kujtimi i pashait të famshëm më josh me madhështinë e tij.

Shume je zgjatur, per te shkruajtur gorica si ke dhe mbiemrin.
Tu shtofshin vitet,djale per sembari-Pellumb Gorica!
Faleminderit i nderuari djale i mbArE i PENES shqiptare i palodhuri sa prodhimtar i mendies Pellumb Gorica,qe sot si ralle me kenaqe me kete shkrim per udhetimin drejt Janines,qe me befasova.FAleminderit.Trinitrine sot per mua 82- vjecarin,prere bileten per te te pasuar Ty,drejt Atij Qyteti dhe me tej,Nje jete,me te rritur ne mendie . Paca fAr te kthehem shendoshe e te prehem ne atdhe.
Me ju dhe gjith emigarante tane ;atdhetare te pa shoq.
Guri Naimit D.
Te lumte pena Pellumb Gorica!
Nje udhepershkrim shume i bukur.
Cdo vend, cdo qytet ka nje histori qe nuk ngjan me historite e tjera. Ndaj e pranishme qe secili te lexoj ne menyren e tij, por jo gjithmon “lexohet” me pergjegjesi e shprehet ne komente me dashamiresi.
Shume i mire reportazhi per Janinen! Ashtu si dhe shkrimet e tjera turistike neper Shqiperi, qe ka publikuar ne vazhdimesi ne shtyp dhe rrjetet sociale ky autor. Eshte bukur nese reportazhi do te ngjallej dhe njehere nga idealizmi yne..
Me ATDHEUN-kudo te jemi-JTOJME.
Me “PENEN” Pellumb Gorica,krahe mar..
Per dite ju lexoj dhe flatra mar,
Pellumb Gorica,”mendim arte
Sot, teksa nisem ne udhetim te gjate.
82 vjecar, nipa e mbesa atje me presin
Do ju shpie eren e MEMEDHUET
Ata lene nga kushtet; pas 90ta krijuar.
Me penen tuaj”,arome dhe histori shqiptare,
Mare me vete krah bashkekohesve.
Me fal te bashkengjis nje vjersherim Gjyshi
Nisur,”EREN e gjakut Dangelliot; “paraprires:.
Si Dallendyshe tej oqeanit shkuar..
Shkuar me lot, sa gezim tej oqeanit,
Kaluar fusha,male,deri dete oqeane,
Ty ATDHE te lame pas thagmes bere,
Ne ved te vinin vetulla-nxorem syte…
Permbysem nje monizem qeverisie,
Pluralizmin me shpresa shume pritur,
Na zhgennjyen sot 25 vjet me ta;
Mekat te madh, bere politika…
Besuam se vertet shkonin ne Europe,
Fatkeqesisht; jemi buze gropes.
Pluralizem i thencin; realisht zhgenjyer, ;
Realisht, grupime politike nxjerin syte,
S’kane te ngopur -krere e lakejte
Zhvatin ekonomine; xhahilet hajdute.
Mjerisht ky popull i genjyer doli,
Parajse enderroi- perjeton xhenetin.
***
O popull i shumevuajtue; vendi perendive,
Mos u ligeshto; se bjte e tu.Jo! s’te lene.
Te behesh pre e atyre – gazi i botes…,
Jemi gjak ILIRIANI,bij Kastriottesh.
Me voten e fundit dhene
Mbrodhesi ti sjellim- atdheut-parajse
Bijte e shqipes, kudo te jene nga do te shkojne,
Dheun e te pareve jo! kurre se harrojne.
Dhe naten-DITE, per Te e bejne,
Per ti sjelle atij vendi- miresite.
Pra; presimin:pesimin, mesim duhet ta bejme
S’ka lindur kush..Ty Memedhe, te te perkule.
Kete na meson historia e shkruar
Na e ushqen ndjenja- atdhedashuri.
Sa herronjte shkruar ate- histori,
NENE Tereza-Ne- dhene BEKIM.
-Shqiptari;- sa njerzor ne sofer pret mikun
I papajtushem;- me jagot dhe armikun!
Vertet punojne e jetojne tejoqeanit emigrantet,
Ata cdo cast tek Ty ATDHE,i kane MENTE.
Na krijoni mundes;
Ne Kuvend te PERFAQESOHEMI.
Tirane 29-07-2017 Guri Naimit D.