Nga Ahmet Kamberi
Përrallë
Një herë kishin kapur dy hajdutë. Njëri, një varfanjak i ri, këmbëzbathur e thatuk, kishte vjedhur një palë opinga në pazarin e një fshati. Tjetri, një zotëri i madh, kishte tjetërsuar në favor të tij të gjitha arat e një katundi të madh. Të dy i çuan para kadiut.
-E pyeti kadiu të parin:
-Leckan Vujtaku, a e pranon që ke vjedhur një palë opinga llastiku?
-Po, i tha ditëbardhi thatuk, duke u dridhur.
-Po, pse more e bërë këtë? – ia ktheu kadiu. – E di ti se ky është krim që dënohet me burgim.
-Po, ishte ftohtë zoti kadi dhe po më ngrinin këmbët, –tha thatuku i gjorë, gjithë duke u dridhur.
-Akuza, – tha ftohtë Kadiu.
-I pandehuri, kadi i nderuar, – tha prokurori, pasi rregulloi kollaren dhe shtriu mëngët e xhaketës, – i ka shkaktuar një dëm material prej pesë lekësh, tregtarit që i vodhi opingat. Por nuk është vetëm kjo. Tregtari, ndjehet i terrorizuar dhe rron me frikën se mos ia zhvasin të gjithë tezgën e opingave; një dëm tjetër i rëndë psikologjik ky. Neni 2xx, paragrafi 1 i Qitapit parashikon heqje lirie nga 6 muaj deri 2 vjet për këtë krim. Prandaj unë kërkoj dënimin e tij me një vit burgim.
-Avokat, ç’keni për të thënë ju, – iu kthye kadiu avokatit.
-Ka një rrethanë lehtësuese, kadi i nderuar. E ka bërë nga halli, – tha avokati. – Kur është këmbëzbathur dhe duke i ngrirë këmbët, dikujt-dikujt, edhe mund t’i prishet mendja e ta bëjë atë që nuk duhet bërë. Është edhe i ri e i pashkolluar. Prandaj, mëshirojeni në vendimin tuaj, kadi i nderuar.
-Mirë, – tha kadiu. – Kjo nuk është “ajo që nuk duhet bërë”, por është një krim që nuk mund të lihet pa u ndëshkuar. I pandehuri paraqet rrezikshmëri shoqërore. Prandaj dhe vendosa: 3 vjet burg, janë të mjaftueshme, që i pandehuri Leckan Vujtaku, 17 vjeç, i pashkolluar, të mësojë se të vjedhësh gjënë e tjetrit është krim që ndëshkohet.
-Po, 3 vjet burg për një palë opinga, zoti kadi!!! Kini pak mëshirë. Mund të shkoj e të punoj një javë, dy, tri, sa të doni ju, pa shpërblim, që t’ia lajë dëmin atij tregtarit, -s hpërtheu me një zë lutes e duke qarë, qyqari i dënuar me tri vjet burg për vjedhjen e një pale opingash 5-lekëshe. Mëshirë kadi i nderuar, mëshirë!!!
-Vendimi u dha, – tha kadiu pa e ngritur kokën nga letrat që kishte përpara, – dhe është i formës së prerë. Merreni, – tha ai me një ton të thatë. Dhe ia bëri me shenjë policit.
I erdhi radha të dytit.
-A e pranoni ju, Lumturim Bataku, se keni kaluar mbi vete në kadastër të gjitha arat e katundit Zaman? – iu drejtua kadiu, të pandehurit.
-Po, kadi i nderuar, iu përgjigj, zotëria i madh, pa iu dridhur qerpiku.
-Akuza, – tha kadiu, duke ngritur zërin.
Prokurori, i cili qëndronte në një tavolinë të veçantë, u ngrit më këmbë dhe pas një heshtjeje të shkurtër, që i shërbeu se nga t’ia niste, tha:
-I pandehuri, ka abuzuar me detyrën e tij të lartë dhe ka tjetërsuar në favor të tij një sipërfaqe të madhe tokash, që përfshin të gjitha arat e katundit Zaman. Fshatarët ankohen se ai ua ka rrëmbyer tokat e tyre. I ka kaluar në kadastër mbi veten e tij. Ky është një krim i parashikuar në Qitap, neni 3xx, paragrafi 2 për tjetërsim të pronës së tjetrit në masë të madhe. Krim që ndëshkohet me heqje lirie nga 8 deri 15 vjet, si edhe me rikthimin e pronës së tjetërsuar tek i zoti. Prandaj, unë kërkoj që i pandehuri Lumturim Bataku të dënohet me tetë vite burgim.
-I akuzuari, zotnia i madh, kërkoi fjalën dhe kadiu e la atë të fliste.
-Po, ashtu është kadi i nderuar, – tha zotnia i madh. – Me ligjet e këtij vendi të vogël, nuk nënkuptohet se sa të dobishme janë disa veprime që e rrisin shumë vlerën e një prone joproduktive, kur lihet ashtu siç është, – tha i akuzuari zotëri i madh, duke e shikuar prokurorin në dritë të syve. Dhe pasi bëri një gjest, sikur po fshinte diçka nga jaka e xhaketës prej një firme të njohur, vazhdoi qetë-qetë:
-Unë kam vepruar në pajtim me ligjet e Hilbinistanit. Dhe siç e dini edhe ju vetë, kadi i nderuar, Hilbinstani është një vend i madh e i zhvilluar ku, ndryshe nga ky vendi ynë i vogël e i prapambetur, shtimi i produktivitetit të pronës së pavlerë, çmohet shumë. Ajo tokë e copëzuar rriska-rriska, si rriska sallami do t’i nënshtrohet procesimeve me teknika e teknologji moderne. Prodhimi i saj do të shumëfishohet. Ata mikropronarët e rriskave, unë do t’i punësoj e do të fitojnë shumë. Dhe, kanë për tu bërë të lumtur. Por këtë, ata nuk e kuptojnë sot, se kaq e kanë kutin e arsyetimit. Ne duam të bëhemi si Hilbinistani. Që të bëhemi si ai, doemos që duhet të kuptojmë idenë e ligjeve të tij dhe të veprojmë sipas atij kuptimi. Njerëzit që sjellin zhvillim, atje nderohen, nuk ndëshkohen kur bëjnë veprime të dobishme që edhe mund të mos kuptohen aty për aty nga të tjerët. Unë jam njeri që po i sjell zhvillim dhe prosperitet vendit tim, kadi i nderuar.
– Mbrojtja, – tha kadiu, pa e zgjatur.
-Unë, nuk kam gjë për të shtuar, – tha avokati, – po a mund t’ju vë përpara ligjin e Hilbenistanit ku bazohet klienti im kadi i nderuar?
-Mirë, – tha kadiu, – ma tregoni.
Avokati, mori një dosje nga tavolina e tij dhe ia çoi, e ia vuri përpara kadiut. Ky e hapi, e shfletoi mirë e mirë dhe kur arriti te një faqe, aty nga mesi i dosjes, mori frymë thellë dhe sytë iu hapën sa i doli mirë në pah e bardha e tyre. E mbylli dosjen, e vuri mënjanë, kroi zërin dhe nisi të shpallë vendimin.
-Edhe në një vend të vogël, si ky i yni, – tha kadiu, gjithë duke u ngrehur, – drejtësia nuk lë pa e ndëshkuar tjetërsimin e pronës së tjetrit si një krim i rëdë. Por kur bëhet fjalë për tjetërsimin e një prone të pavlerë, tjetërsim i cili ka për qëllim shumimin e vlerës së saj, me efekte pozitive në të mirë jo vetëm të individit që mendon e punon për përparimin e prosperitetin e vendit, nuk është nevoja të shërbehemi nga ligjet e një vendi të zhvilluar si Hilbenistani, sepse edhe Qitapi e parashikon këtë. Në rastin që po gjykojmë, tjetërsimi i këtyre pronave është bërë në kuadrin e nevojave që ka vendi ynë për zhvillim e prosperitet. Prandaj, – pasi kroi edhe një herë zërin për t’i dhënë solemnitet vendimit tij, – tha:
-Vendosa që zoti Lumturim Bataku, të shpallet i pafajshëm për veprimin e kalimit mbi vete të arave të katundit Zaman. Vendimi është i formës së prerë. Ankimim kundër këtij vendimi mund të bëhet brenda pesëmbëdhjetë ditësh te Kryekadiu. Dhe u ngrit vrik nga karriga duke marrë me vete dosjen e ligjeve të Hilbenistanit, që ia vuri mbi tavolinë avokati…
Pas një muaji Kryekadiu shqyrtoi ankesën e zotniut të madh, Lumturim Bataku. U këshillua me të dërguarit e tij e me avokatin dhe mori vendimin e formës së prerë. La snë fuqi vendimin e kadiut:
Zoti Lumturim Bataku shpallet i pafajshëm.
***************************************************************************
Tiranë, dhjetor 2017

Cereku i shukut brenda dosjes per kadiun dhe trecereku per kryekadiun e plepistave?