Duke nisur nga ky vit akademik do të përfitojnë bursë nga fondi i mbështetjes studentore, të gjithë kandidatët e pranuar në programet e studimeve profesionale, programet e ciklit të parë të studimeve, programet e integruara të studimeve, si dhe studentët e shtresave sociale në nevojë që plotësojnë kriteret e përcaktuara tashmë nga qeveria. Vendimi i zbardhur gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare të Qeverisë përcakton afatet e llogaritjes dhe ndarjes së bursave për të gjitha kategoritë përfituese. Vendimi i ndryshuar i Qeverisë bën me dije se studentët që vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi nuk trajtohen me bursë financiare. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë procedurën dhe afatet e përllogaritjes dhe ndarjes së bursave për të gjitha shtresat përfituese.
Afatet e ndarjes së bursave
Bursa financiare për secilin student përfitues do të jetë në masën 10 000 lekë në muaj.
Sipas kushteve të përcaktuara në vendim, njësitë kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës dhe e dokumentacionit të depozituar nga studenti duhet të kryejnë verifikimet e nevojshme për plotësimin e tij në bashkëpunim me institucionet të cilat kanë detyrimin ligjor për të konfirmuar dokumentacionin. Dokumente të cilat më pas duhet që t’i dërgojnë për shqyrtim dhe miratim në Bordin e Administrimit të universitetit përkatës.
Bordi i Administrimit në institucionet publike të arsimit të lartë shqyrton dhe merr vendim për bursat financiare për studentët që përmbushin kriteret sipas këtij vendimi brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nga studenti.
Bursa financiare paguhet nga data e regjistrimit në rastet e aplikimit në fillim të vitit akademik, ose nga muaji pasardhës kur studenti ka paraqitur kërkesën në rast plotësimi të kritereve të përcaktuara në këtë vendim gjatë vitit akademik. Vendimet e Bordit të administrimit për miratimin e bursave financiare bëhen publike dhe ankimohen.
Bursa financiare u jepet studentëve përfitues çdo muaj, në llogarinë bankare të deklaruar nga studentët, në bankat e nivelit të dytë, pas konfirmimit të frekuentimit të programit përkatës të studimit nga përgjegjësi i njësisë bazë. Ndërkohë që në nisje të ccdo viti akademik, MASR duhet që të bëjë edhe parashikimet në lidhje me numrin e pritshëm të studentëve që përfitojnë bursë në periudhën afatmesme dhe efektet financiare, si pjesë e programit buxhetor afatmesëm.
Kush përfiton
Kanë të drejtë që të përfitojnë bursë të gjithë studentët e pranuar në vitin e parë akademik në programet e studimeve profesionale, programet e ciklit të parë të studimeve dhe programet e integruara të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë që janë me notë mesatare vjetore nga 9 deri në 10 nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë. Kjo mesatare përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: “Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”. Lista e studentëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare hartohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe dërgohet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Bursën e përfitojnë edhe studentët e regjistruar në programet e përmendura nga vitet e dyta e lart. Këta studentë duhet të jenë me notë mesatare vjetore të ponderuar nga 9 deri në 10, të vitit paraardhës akademik të përllogaritur me kreditet dhe notat e atij viti akademik nga institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraardhës akademik, për të cilin llogaritet nota mesatare vjetore e ponderuar.
Përjashtimisht, për vitin akademik 2018- 2019, të gjithë studentët e regjistruar në programet e studimeve me karakter profesional, në programet e ciklit të parë të studimeve dhe në programet e integruara të studimeve, që plotësojnë kriteret e këtij vendimi dhe nuk kanë përfituar bursë të plotë sipas këtij vendimi, me vendim të njësive të vetëqeverisjes vendore apo me vendim të bordit të administrimit të universiteteve publike, duhet të plotësojnë formularin e kërkesës dhe dokumentacionin provues të plotësimit të kritereve përkatëse për të përfituar nga e drejta për bursë financiare sipas këtij vendimi, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Brenda 7 ditëve nga marrja e kërkesës, universitetet duhet të kryejnë verifikimet e nevojshme dhe i dërgojnë për shqyrtim dhe miratim në bordin e administrimit. Bordi i administrimit miraton bursat për studentët që përmbushin kriteret brenda 5 ditëve. Këto bursa miratohen dhe jepen nga muaji janar 2019 dhe në vijim.
Studentë në nevojë konsiderohen
- Studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike.
- Bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, përfitojnë secili bursë financiare.
- Studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.
- Studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.
- Studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton.
- Studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë.
- Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç.
- Studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri në moshën 25 vjeç.
- Studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç.
- Studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
DITA
