Edhe pse doli pa pikë nga super ndeshja e javës së dytë, si dhe i dëmtuar nga kartoni i kuq i kapitenit Veliu, Flamurtari mund të gëzohet me paraqitjen e futbollistëve, dy prej të cilëve janë pjesë e formacionit të javës.
Rreshtimi taktik i formacionit të javës është përzgjedhur 4-4-2, ku bien në sy prania e 2 futbollistëve të Flamurtarit, 3 të Apolonisë, 3 të Skënderbeut, 2 të Kukësit si dhe 1 i Vllaznisë.
Në portë është Vilson Cakoviç i Apolonisë që zë vendin në formacionin e javës.
Serbi me pritjen e penalltisë, por dhe ndërhyrjet e tjera gjatë sfidës me Partizanin ishte njeriu i ndeshjes dhe heroi i bardhejeshilëve.
Në mbrojtjen me 4 në të djathtë është pozicionuar Polizoi Arbri i Flamurtarit, më i miri në fushë në sfidën ndaj Tiranës. Në të majtë Renato Arapi i Skënderbeut, që ndaj Laçit dha shumë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Qendra e repartit difensiv është për Sodik Oladele Atandën e Apolonisë dhe Tefik Osmanin e Skënderbeut.
Nigeriani ishte një nga pikat më të forta të fierakëve, ndërsa Osmani përveç lojës solide në mbrojtje ishte dhe autori i golit të parë, duke i hapur rrugën suksesit ndaj Laçit.
Në mesfushën me 4 është Muzaka që kompleton krahun e djathtë, që së bashku me Arbrin krijuan panik tek Tirana.
Në krahun e majtë është Berisha, i cili në vetëm dy ndeshje kampionati arriti të fitojë jo vetëm formacionin por edhe zemrat e tifozerisë korçare. Në qendër të mesfushës gjendet Hair Zeqiri i Kukësit, një nga më të mirët në fushë ndaj Elbasanit.
Në krah të tij shkodrani Arsid Kruja, autori i golit të fitores ndaj Teutës. Në sulm nuk ka dyshime me Pejiç dhe Cankën që formojnë dyshen e avancuar, futbollistë që kanë arritur të shënojnë në sfidat e kësaj jave.
Trajneri javës është përzgjedhur Elidon Demiraj i Apolonisë, pasi formacioni i tij arriti të triumfojë ndaj Partizanit pretendent.
Formacioni më i mirë
Cakoviç (Apolonia), Arbri (Flamurtari), Atanda (Apolonia), Osmani, Arapi (Skënderbeu), Muzaka (Flamurtari), Zeqiri (Kukësi), Kruja (Vllaznia), Berisha (Skënderbeu), Canka (Apolonia), Pejiç (Kukësi). Trajner: Elidon Demiraj (Apolonia)
