Ja kush përfiton rimbursim të plotë dhe të pjesshëm

anazapta

 

Nis ndarja e re e barnave të rimbursimit. Duke filluar nga dita e sotme, farmacitë në të gjithë vendin do të fillojnë shpërndarjen e re të barnave të rimbursimit, sipas përcaktimeve të bëra në listën e 2014 për secilën nga kategoritë përfituese. Masa e rimbursimit të barnave do të jetë e ndryshme. Çka do të thotë se për disa kategori rimbursimi i barnave do të jetë maksimal, dhe për disa të tjera do të jetë i pjesshëm, por jo më të ulët se sa 50 për qind e vlerës totale të medikamentit. Autoritetet e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore sqarojnë se barnat e listës së rimbursuar do të ofrohen falas për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët. Gjithashtu barnat falas do të shkojnë edhe për disa kategori të tjera si veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Barnat falas shkojnë edhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemisë major. Ndërkohë që barnat me rimbursim të pjesshëm shkojnë për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50 për qind e ccmimit të përcaktuar për medikamentin përkatës. Barnat e listës do të ofrohen kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me Fondin e Sigurimeve. Ndryshe nga një vit më parë, lista e barnave të rimbursimit për 2014, është zgjeruar edhe më shumë, duke arritur shifrën e 477 llojeve të ndryshme të barnave të ofruara me rimbursim të plotë apo të diferencuar, sipas kategorive të përmendura më lart. Prej kësaj liste 56 janë barna që përfshihen për herë të parë, duke shtuar edhe gamën e sëmundjeve që trajtojnë. Drejtori i Fondit të Sigurimeve, Astrit Beci sqaron se në hartimin e listës së re të barnave janë marrë parasysh disa  kritere shkencore, duke i dhënë prioritet barnave që përdoren për sëmundje të rënda, sëmundje me rrezikshmëri të lartë për jetën, për sëmundje që shkaktojnë invaliditet, për ato patologji që kanë rrezikshmëri përhapje në shoqëri e që shkaktojnë shumë vuajtje, si dhe sëmundje kronike që kërkojnë mjekim të zgjatur. Barnat e reja të përfshira në listë, shërbejnë për sëmundje si diabeti, anemitë, sëmundjet kardiake, disa sëmundje tumorale, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shëndetin mendor, alergologji dhe okulistikë. Më tej Beci sqaron se : ”Risia e këtij viti është dhe përfshirja e disa sëmundjeve të pambuluara më parë, si, disa lloje tumoresh, Hepati B dhe C, çrregullimet hormonale, apo edhe varësia nga alkooli. Trajtimi i këtyre nozologjive, duke filluar nga sot, bëhet me barna që hyjnë në listën e rimbursimit për herë të parë”. Lëshimi i këtyre barnave do të bëhet vetëm në rastet kur pacienti do të paraqesë recetën e marrë nga mjeku i familjes, i cili i përshkruan në recetë se cilët janë barnat që duhet të marrë së bashku me dozat e përcaktuara për kurën trajtuese. Autoritetet e fondit kanë sqaruar se për të shpëtuar nga tarifat e ekzaminimeve në poliklinika duhet libreza shëndetësore, e cila mund të hapet duke dorëzuar një nga dokumentet e kërkuara. Në këto kushte për t’u pajisur me librezë dokumentet që duhet të dorëzojnë secila kategori janë : “Libreza e pensionit për pensionistët. Vërtetim i lëshuar nga zyra e punës dhe përkrahjes sociale për të papunët dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike. Vërtetim KMCAP për personat me aftësi të kufizuar. Vërtetim i konsultorit nëna dhe fëmija për nënat me leje lindje. Vërtetim i repartit ushtarak për ushtarët. Certifikatë lindjeje, vërtetim i shkollës për fëmijët, nxënësit dhe studentet me shkëputje nga puna. Vërtetim i invaliditetit për invalidët e plotë, jo të plotë, të luftës. Statusi përkatës për veteranët, jetimët, të verbrit. Në të gjitha rastet e mësipërme është i nevojshëm edhe mjeti i identifikimit (pasaportë ose certifikatë), si dhe rekomandimi i mjekut për pajisjen me librezë shëndeti”.

 

Ja cilat janë 7 sëmundjet e reja që mbulohen nga lista e barnave të rimbursimit për 2014

  • Disa lloje kanceri trajtohen aktualisht nga lista e barnave të rimbursueshme dhe në listë janë futur kombinime që përmirësojnë trajtimin e tyre, por për herë të parë, do të mbulohen nga lista e rimbursimit edhe lloje të tjera kanceri si ai i pulmonit, kanceri rektal, i lëkurës, i heparit etj. Bëhet fjalë, për rreth 600 pacientë më shumë që do të përfitojnë nga barnat e reja për trajtimin e disa lloje kanceri.
  • Trajtimi i Hepatitit B dhe C (janë përfshirë në listë barna që nuk lejojnë kronicizimin e sëmundjes si dhe barna për mjekimin e hepatiteve);
  • Parandalimi i trombozave – barna që përdoren pas ndërhyrjeve kirurgjikale si dhe në gratë shtatzana që vuajnë nga venat varikoze, në 3 mujorin e fundit të shtatzanisë.
  • Çrregullimet hormonale  te fëmijët me pubertet të hershëm.
  • Osteoporoza te gratë
  • Për herë të parë gjithashtu është përfshirë një bar për të ulur një plagë sociale si alkooli. Bëhet fjalë për një medikament për varësinë ndaj alkoolit.
  • Degjenerim i syrit që të çon në verbëri.

 

Masa e rimbursimit të barnave sipas kategorive  

  • Barnat e listës së rimbursuar janë falas për fëmijët 0-12 muajsh.
  • Invalidët e plotë, pensionistët .
  • Përfitojnë  barnat falas edhe të verbrit dhe jetimet.
  • Të gjitha barnat falas për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës.
  • Rimbursim i plotë shkon edhe për të sëmurët me tumore
  • Transplant të veshkës ata me sklerozë multiple dhe talasemia major.
  • Barna me rimbursim të pjesshëm shkojnë për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50 për qind.
  • Barnat e listës do të ofrohen vetëm kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me Fondin e Sigurimeve.

 

Kujdes, çmimi i barnave në farmaci nga sot 10 % më e lirë

Hiqet TVSH e barnave. Duke nisur nga sot farmacitë duhet të respektojnë edhe një tjetër kriter sa i takon shitjes së barnave, e që ka të bëjë me uljen e çmimit të tyre për pacientët, si pasojë e heqjes së TVSH-së prej 10 për qindësh. Në këto kushte kushdo që paraqitet në farmaci për të blerë barnat duhet të tregohet i kujdesshëm, e të mos paguajë çmimin e vendosur në pullën e tyre. Kjo pasi të gjitha farmacitë kanë marrë urdhër të zbresin nga çmimi aktual të medikamentit që pacienti kërkon të  blejë vlerën prej 10 për qindësh. Autoritetet e shëndetësisë sqarojnë se ulja e çmimit të barnave do të vijojë edhe më tej. Sipas tyre, 10 për qindëshi tjetër i uljes së çmimit nga ulja e marzheve të fitimit, do të reflektohet në javët në vazhdim. Megjithatë, autoritetet shëndetësore sqarojnë se kjo do të jetë në varësi të importeve. Aktualisht edhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka nisur punën për emetimin e pullës së re që do të vendoset tek medikamentet, në të cilën do të reflektohet edhe heqja e TVSH-së për barnat.

 

Share This Article
1 Comment
  • pasi kisha shprese te ishin te privilegjuar edhe ato qe jane te semure me parkinson , pasi terapia mbajtese e tyre eshte shume e shtrejte per nje invalid . Ne rimbursim eshte vetem nje medikament “Madopar” , por eshte e pamjaftueshme per te qendruar ne kembe vetem me kete. Ju faleminderit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *