Gara për universitetin
Ndryshe nga sa ndodh me programet e tjera universitare, në degët e mësuesisë mund të konkurojnë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7.5, e më lart. Kjo është mesatarja minimale që kërkohet për të qenë pjesë e garës për studimet e larta në këto degë, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private që funksionojnë në vendin tonë.
Lista e programeve të mësuesisë
Në mbledhjen e pak ditëve më parë, Këshilli i Ministrave ka rishikuar listën e degëve të mësuesisë të cilat do të jenë në garë për pranimet e vitit të ri akademik 2019-2020. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e plotë të programeve të mësuesisë, që maturantët mund të përzgjedhin gjatë plotësimit të formularit A2 të dhjetë preferencave. Po sipas vendimit të qeverisë, nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
Mesatarja për degët e tjera
Për të gjitha degët e tjera (përjashtuar ato të mjekësisë), qeveria ka vendosur se në garë për studimet universitare përgjatë vitit të ri akademik kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim. Ndërsa në degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8. Kjo mesatare ndryshon në varësi të degës së përzgjedhur.
Aplikimi për universitetin
Maturantët kanë nisur tashmë me procedurat e aplikimit për pranimet në institucionet e arsimit të lartë. Maturantët dhe kandidatët e tjerë, përpara aplikimit për zgjedhjen e 10 preferencave në portalin e aplikimit universitar, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin U-Albania. Pagesa duhet të kryhet deri në 25 korrik. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave të mesme konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 26 korrik 2019, në portalin U-Albania. Ndërsa në periudhën 31 korrik – 5 gusht, maturantët dhe kandidatët e tjerë që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit, do të aplikojnë në portalin përkatës nëpërmjet formularit online të aplikimit, mbi bazën e notes mesatare sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, si dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga universitetet, duke zgjedhur deri ne 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofron çdo institucion i arsimit të lartë publik dhe privat në vend. Lista e fituesve të raundit të parë do të zbardhet në fund të muajit gusht. Ndërsa fituesit do të regjistrohen në 7 faza 48-orëshe që do të zhvillohen ndërmjet datave 2 deri në 15 shtator, ku secili maturant duhet të paraqitet në sekretarinë përkatëse të fakultetit që preferon për të bërë regjistrimin me dokumentet përkatëse. Çka do të thotë se vija e fituesve do të spostohet me përfshirjen e fituesve të rinj për çdo fazë 48-orëshe të mbylljes së regjistrimeve. Kështu çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar.
Somarjo
Në periudhën 31 korrik – 5 gusht, maturantët dhe kandidatët e tjerë që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit, do të aplikojnë në portalin përkatës nëpërmjet formularit online të aplikimit, mbi bazën e notes mesatare sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, si dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga universitetet, duke zgjedhur deri ne 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofron çdo institucion i arsimit të lartë publik dhe privat në vend
Lista e programeve të mësuesisë për garën e pranimeve të 2019-s
Fëmijët tek blloku i ambasadave bëhen me kënd të ri lojërash
Pas rehabilitimit të bllokut të banimit, komuniteti pranë zonës së Ambasadave ka edhe një kënd të ri lojërash, të cilin Bashkia e Tiranës e ndërtoi pas një kërkesë të hershme të fëmijëve. Kryebashkiaku Erion Veliaj përuroi këndin e ri në Njësinë 7, një hapësirë fantastike që plotëson nevojat e të gjitha grupmoshave të komunitetit, me module e lodra për fëmijë e hapësira çlodhëse për të rriturit. Ai siguroi se edhe në mandatin e dytë, një nga prioritetet do të jetë ndërtimi i këndeve të reja. Brenda katër viteve të ardhshme Tiranës do t’i shtohen edhe 50 të tjerë. “Mbaj mend që kur filluam këtë punë para katër vitesh, kontrasti midis rrugës së Ambasadave dhe këtij vendi ishte Shqipëria e viteve 1990; pra, jashtë shtetit ishte rruga andej, kurse Kandahari dhe gjithë çudirat e Shqipërisë së tranzicionit ishin pas murit të ambasadave. Fakti që sot kemi një sipërfaqe publike të rehabilituar, fakti që pas urbanizimit të zonës kanë ardhur edhe këndet e lodrave, na frymëzon shumë që në mandatin tjetër të bëjmë edhe 50 kënde të tjera”, u shpreh ai. Më tej, kryebashkiaku Veliaj kërkoi prej banorëve të bllokut të pallateve që të mirëmbajnë investimet e kryera, duke krijuar mundësi për të vijuar me investime të tjera. Ai shprehu bindjen se ndërtimi i këtyre këndeve të lojërave dhe i terreneve sportive do sjellë edhe një brez të ri më të mirë e që di të luajë në skuadër. “Duam që edhe të mësuarit se si të luajmë, si të ndërtojmë skuadër, të mësojmë të humbasim, të të fitojmë, pra t’i marrim këto parime që fëmijë, që kur të rriten, të jenë tamam qytetarë. Sot kemi të rritur në politikë që s’pranojnë dot humbjen, s’pranojnë dot rezultatin, garën dhe një ndër arsyet vjen se kanë pasur fëmijëri që s’kanë mësuar të luajnë në skuadër. Nëse ua mësojmë këto parime fëmijëve që në këtë moshë, atëherë besoj se kemi bërë diçka realisht me vlerë”, deklaroi Veliaj. Në katër vjeçarin e parë, Bashkia e Tiranës i kushtoi një vëmendje të shtuar fëmijëve të qytetit, duke ndërtuar 50 kënde lojërash në disa lagje. Projekti i “100 lagjeve”, që do të zbatohet në mandatin e dytë, synon transformimin e 100 lagjeve të Tiranës në mjedise e hapësira komunitare.
