Ja nga se shkaktohet artriti reumatoid

Pranvera Kola

Artriti reumatoid është një sëmundje kronike që prek artikulacione (kyçe) të shumta të trupit të njeriut. Është një ndër sëmundjet më të përhapura inflamatore, që karakterizohet nga një ecuri valë-valë, me periudha acarimi dhe qetësie.

Kjo lloj prekjeje karakterizohet nga dhimbje, skuqje, ënjtje dhe ngurtësim në lëvizjen e kyçeve. Ky ngurtësim çon gradualisht në uljen e funksionimit normal të artikulacioneve dhe në lëvizshmëri të kufizuar të tyre.

Është një sëmundje që prek të gjitha moshat, por kulmin e ka midis moshës 30-50 vjeç, dhe kryesisht ndodh tek femrat. Kjo predispozitë vjen me sa duket si rezultat i hormoneve femërore.

Bluzat e bardha thonë për “Dita” se sëmundja rëndohet shumë pas lindjes dhe përmirësohet gjatë shtatzanisë, sidomos në tremujorin e fundit. Nëse sëmundja nuk trajtohet, individi mund të jetë i paaftë për punë brenda një periudhe 3-vjeçare që nga fillimi i sëmundjes.

Shkaqet e kësaj sëmundjeje që gradualisht dëmton kockat dhe indet përreth ende nuk janë të njohura mirë. Mendohet të ndodhë si një bashkëveprim kompleks midis faktorëve të mjedisit dhe atyre familjare.

Disa nga faktorët e riskut që shoqërojnë artritin reumatoid janë: “Historia familjare me artrit, të qenit femër, mosha, pirja e duhanit për një kohë të gjatë, përdorimi i shumtë i kafesë, infeksionet e shpeshta të dhëmbëve”. Gjithashtu është vënë re se përdorimi i kontraceptivëve oralë, konsumimi i çajit, përdorimi i vitaminës D, shoqërohet me një ulje të riskut për të zhvilluar artrit reumatoid.

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *