Ja një mënyrë tjetër për të qenë i pavdekshëm

anazapta

Kujt i ka takuar të shkojë në Korçë dhe ka dashur ta njohë mirë atë qytet, kulturën dhe historinë e tij, me siguri që do të ketë vizituar edhe një muze krejt të veçantë, ndërtuar disa vite më parë. Është Muzeu i Artit Oriental, i ndërtuar me porosi nga fotografi i njohur korçar me famë botërore, Dhimitër Mborja. Fotografi i shquar, ashtu siç kishte bërë gjithçka të mirë në të tërë jetën e tij, e bëri edhe në mbyllje të saj, në vitin 1990, me një kapak floriri, me vendimin që: “Mbas vdekjes, hiri i trupit të tij të kthehet në qytetin e tij të lindjes, në Korçë, dhe koleksioni i tij të vendoset po në Korçë në një muze të ndërtuar me kursimet e tij për t’i shërbyer më mirë të ardhmes të qytetit”. Në porosinë e fundit, siç u përmend edhe më sipër, ai përfshinte edhe ndërtimin me shpenzimet e tij të një muzeu me një koleksion të madh relikesh nga Lindja që do ndërrohesh në qytetin e Korçës me emrin “Muzeu i Artit Aziatik, Bratko”. Kjo dëshirë e tij, ndonëse me vështirësi e probleme, u realizua në vitin 2003 kur në këtë qytet u inagurua ky muze. Ai është i rrallë edhe në Evropë përsa i përket numrit të madh të objekteve të ekspozuara, por dhe larmisë së tyre. Ishte kjo një zgjedhje Dhimitër Mborjes, një mënyrë për  të jetuar gjatë në kujtesën e qytetit të tij të lindjes, dhe që ia realizoi më së miri kushërira e tij amerikane, Laura Bratko Schlesinger, që bashkë me autoritetet vendore ndërtuan në Korçë Muzeumin Bratko, me objekte të artit oriental.  Pavarësisht se Dhimtri ia dedikoi nënës së tij, Viktoria Bratko, muzeumin, ai do të shërbejë si një monument që artisti ia ngriti vetvetes, familjes, tokës së tij amtare, është një mënyrë tjetër veç famës në gjallje, për të qenë i pavdekshëm.

Fotograf ushtarak

Në vitin 1942, Mborja vendosi të futet në radhët e ushtrisë amerikane si fotograf, ku punon për një farë kohe. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore vjen në në Europë, ai punon pranë UNRRA-s në Ballkan, duke lënë fotografi me vlera të mëdha. Më vonë shpërngulet si fotograf në shtabin e gjeneralit Dagllas Makartur, kryekomandanti i forcave amerikane në Paqësor, ku përmbush një punë voluminoze e njëkohësisht me nivel të lartë teknik, dokumentar madje dhe artistik. Gjatë 11-vjetëve, 1945-1956, kur Borja punoi në Japoni si fotograf pranë gjeneralit Makartur, ai bën shumë shumë udhëtime nëpër Azi, ku fotografon mjedise luftarake, politikanë, ushtarakë, peisazhe, monumente kulturore, historike dhe religjoze, ambjente dhe veprimtari artistike. Njëkohësisht, ai iu përkushtua edhe mbledhjes së objekteve dhe relikeve të artit dhe artizanatit të Lindjes, punë kjo mjaft pasionante dhe voluminoze, duke krijuar me to një koleksion të rrallë. Kështu, ai siguron eksponante nga Japonia ku bëhet mik edhe i perandorit Hirohito, nga Tailanda, Koreja, Birmania, Kina, Indonezia, Irani, Rusia, Nepali etj. Ato ishin krijuar brenda një ndërkohe prej rreth shtatë shekujsh, nga shekulli 13 deri në atë 20. Në këtë kohë, përmendim se Borja ishte martuar me një japoneze me të cilën u nda kur ky vendosi të kthehej përsëri në Amerikë. Jnanë objektet e grumbulluara atje me të cilat u ngrit edhe muzeu në Korçë.

Njerëz të shquar të botës të botës në objektivin e Mborjes

Objektivin e aparatit të Borjes e kanë kaluar imazhet e presidentëve amerikanë Truman, Ajzenhauer e Kenedi, të perandorit Hirohito etj. Një ndër fotot më të ndjera të Borjes, është ajo e titulluar “Bota e Kenedit”, në të cilën pasqyrohet tavolina e punës e presidentit Xh.F.Kenedi fill pas vrasjes së tij, pra bosh. Atë e ka fotografuar nëpërmjet një dritareje rrethore të Shtëpsë së Bardhë dhe e kishte vendosur në murin e studios së tij. Në një libër me fotografi nga luftrat e ndryshme me titull “Luftë dhe Konflikte” (War&Conflict), të botuar më 1990, në Uashington, përfshihen edhe disa foto të Mborjes, realizuar nga ai në luftërat e zhvilluara në Lindjen e Largët

Fundi i jetës dhe testamenti

Dhimitër Mborja është ndarë nga jeta i vetmuar në shtëpinë e tij në Bethesda të shtetit Meriland (SHBA), në vitin 1990. Ai iku nga kjo botë pa harruar atdheun e tij, për këtë në testament shkroi edhe dy dëshirat e fundit : “Më çoni hirin e trupit në Korçë dhe hapni një muze me koleksionin tim”. Me gjithë dëshirën e madhe të Mborjes për të vizituar tokën e të parëve të tij, autoritetet komuniste nuk e lejuan, por ai si artist fisnik e me ndjenja kombëtare u kujtua në testament për vendin ku ishte lindur dhe nga kishte origjinën, Shqipërinë

 

Mborja – Mili

Boria_and_MilliDhimitër Mborja dhe Gjon Mili ishin të dy nga i njëjti qytet dhe gati moshatarë. Ata janë njohur me njëri-tjetrin e ndoshta kanë punuar së bashku. Ka dhe një foto që kanë dalë bashkë në vitet ’20-30 që dëshmon njohjen e tyre. Në vitet 1937-38, kur Mili iu përkushtua tërësisht fotografisë, Mborja kishte mjaft emër në rrethet e “camera obscura” (fotografisë) të Uashingtonit dhe thirrej “fotograf Bratka”.

Kush është Dhimitër Mborja

Dhimitër Mborja  ka lindur në fshatin Mborje të Korçës në vitin 1903. Si shumë korçarë atëhere, familja e tij shkoi në Amerikë, në Detroit. Në atë kohë ai ishte 3 vjeç. Pas studimeve në Institutin e Arteve të Detroit, në një kolegj të artit fotografik, Mborja lëviz në Los Anxhelos, në Hollivud, duke filluar punë si regjisor filmash vizatimorë. Filmi i tij i parë në këtë fushë mendohet të jetë seriali “Cubby the Bear” rreth viteve ’20. Më pas, në vitet ’30, Mborja realizon figurat plastike lëvizëse të dinosaurve për filmin “Lost World”. Punon shumë me siluetat, dhe bëhet i paarritshëm në këtë fushë. Veç kësaj merret edhe me fotografinë që më pas do të behej pasioni i tij. Pas dhjetë vjetësh punë mes artistëve më në zë të kohës, studion e tij të famshme ia shet Uollt Dizneit (Walt Disney) po të famshëm. Në këtë kohë ai hap një studio tjetër, këtë radhë për fotografi, por duke punuar njëkohësisht edhe për dekoret e disa filmave artistikë, veprimtari këto të porositura. Në kohën e Luftës së Dytë botërore, studion në kolegjin e Luftës në Uashington dhe futet në radhët e ushtrisë amerikane si fotograf. Punon ca kohë si fotoreporter në Evropë, pastaj shkon në Amerikë, ku nuk rri gjatë, por vjen përsëri në Evropë pranë UNRRA-s si fotograf. Pastaj ai shkon si fotograf në shtabin e gjeneralit Dagllas Makartur, komandant i forcave amerikane në Paqësor. Gjatë viteve 1945-1956 Mborja punon në Japoni, ku martohet edhe me një japoneze, por, ajo nuk i vjen në Amerikë. Ai, udhëton në shumë shtete, prej të cilave veç fotografive të rëndësishme që i fikson në celuloidin e kameras së tij, ai merr me vete edhe shumë gjëra të rëndësishme. Gjatë kësaj kohe, ai viziton Korenë, Birmaninë, Kinën, Indonezinë, Iranin, Rusinë, Nepalin e vende të tjera. Fotografoi edhe shumë presidentë amerikanë si Trumanin, Ajzenhauerin e Kenedin. Vdiq në vitin 1990 në banesën e tij në Bethesda të shtetit Meriland të SHBA-së, me një amanet që, siç thamë më sipër, t’i çonin hirin në vendlindje dhe të ndërtonin atje një muze, amanete që u bënë realitet. Opusi krijues i Mborjes ruhet në qendrën muzeale “Douglas MacArthur” në Norfolk, ku janë grumbulluar rreth 45 mijë foto e diapozitiva të punuara nga ai, nj pjesë e tyre janë kur ai ka punuar në Hollivud.

Objekte të muzeut "Oriental" në Korçë
Objekte të muzeut “Oriental” në Korçë

Share This Article
1 Comment
  • Kame qene dy here ne ate muze. Dhe sa here qe shkoj ne korce mundohem qe njerzit qe jame, tia sygjeroj per ta pare. Por rendomte me ka qelluar, qe roje ose kujdestari nuk ndodhej aty per te na hapur deren a per te na prere bileten. Gjithesesi kjo nuk ja zbeh aspak vlerat atij muzeu. Bravo Zotit Bratko qe la nje amanet te tille.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *