Ish- kryeministri kroat, Ivo Sanader, është dënuar me 10 vite burg për marrje ryshfeti nga dy kompani të huaja. Një gjykatë në Zagreb e dënoi Ivo Sanader me tre vite e gjysmë në burg për çështjen e bankës Hypo Adria dhe me shtatë vite për çështjen MOL- INA. Ai është urdhëruar po ashtu të paguajë një gjobë prej 5 milion euro, raporton BIRN. “Ju jeni fajtor për të dy krimet për të cilat jeni akuzuar,” deklaroi kreu i trupës gjykuese, Ivan Turudiç. Sanader është akuzuar se ka marrë gjysmë milion euro ryshfet nga banka austriake Hypo në vitin 1994, për të lejuar hyrjen e saj në tregun financiar kroat. Sanader po ashtu mori 10 milion euro ryshfet nga kompania hungareze e naftës MOL, për t’i dhënë asaj një pozicion dominues mbi kompaninë kroate të naftës INA. Gjyqi zgjati për një vit dhe 30 persona dëshmuan para trupës gjykuese. Prokuroria kishte kërkuar 15 vite burg. Ndërkohë Sanader po gjykohet edhe për një çështje tjetër, atë të devijimit të fondeve shtetërore për partinë e tij.
Kroacia ka qenë nën presion nga BE për të mbajtur një qëndrim të ashpër në lidhje me korrupsionin dhe Brukseli e ka ndjekur këtë rast nga afër. Presionet nga BE-ja kundër Kroacisë nuk i drejtohen vetëm këtij vendi. Në fakt, ato janë paralajmërime për vendet e tjera të Ballkanit se çfarë i pret në të ardhmen nëse duan të hyjnë në BE. Nuk do të bëjë punë retorika e propagandistëve që shkumëzojnë duke skicuar suksese të paqena. Nuk mund të hyjë në BE Bosnja me këtë sistem politik jostabil dhe me politikanë të papërgjegjshëm; në BE nuk do ta fusin Serbinë, as mohuesi i gjenocidit Tomislav Nikoliqi dhe zëdhënësi i Slobodan Milosheviqit, Ivica Daçiqi; Maqedonia do të vazhdojë të përkundet në ëndrra antike derisa në krye të vendit të jetë një populist si Nikola Gruevski; Shqipëria me këtë klasë politike mund të integrohet në Bjeshkët e Nemuna, por jo në BE; Mali i Zi duhet të shkundet nga sistemi pothuaj mafioz dhe klientelist i Milo Gjukanoviqit, por kjo do të jetë vështirë duke pasur parasysh se ky shtet i përngjan një firme private të familjes Gjukanoviq. Kosova do të përpëlitet në vend edhe shumë vjet nën jehonën e këngëve të Rita Orës me shpresën e rrejshme se 4-5 minuta vallëzim atraktiv të një çike të re do të mjaftojnë për të përmirësuar imazhin e një shteti të kapur nga mafia dhe krimi i organizuar.
Në foto: Sanader në kohën që ka qenë kryeministër, me homologun shqiptar Sali Berisha dhe ish-ministrin shqiptar Lulzim Basha – duke folur gjatë ceremonisë së pranimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, në selinë e Aleancës në Bruksel, në 7 prill 2009 (AP Photo/Virginia Mayo)