U deshën 71 ditë të gjata bisedimesh që të merrte jetë ekzekutivi i koalicionit të madh midis CDU, CSU dhe SPD. Tani, detyra e re e Sigmar Gabriel (liderit të SPD-së) si zv/kancelar, hedh dyshime mbi një qeverisje të qetë të Angela Merkel. Wolfgang Schaeuble mbetet në krye të Financave, ndërsa surpriza më e madhe është emërimi i Ursula Von der Leyen e CDU-së, si drejtuesja e parë femër e Ministrisë së Mbrojtjes
Pas një kohe rekord traktativash, prej rreth 71 ditësh, më në fund lindi qeveria e re e Angela Merkel. Është fjala për koalicionin e dytë të madh të drejtuar nga kancelarja. Tri janë partitë qeverisëse, CDU, CSU dhe SPD. Lista e ministrave dihej pjesërisht por nuk munguan surprizat. Për ta drejtuar Gjermaninë tani do të jetë më e vështirë për Merkel-in, sesa kur kishte në krah liberalët, sepse lideri i SPD-së, Sigmar Gabriel, duket euforik dhe synon që tani kancelarinë për zgjedhjet e 2017-s. Gabriel ka marrë përsipër tre poste njëkohësisht, atë të zv/kancelarit, ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës. Atij i besohet një nga projektet më të rëndësishme të legjislaturës së ardhshme: zhvillimi energjitik pas daljes së vendit nga programi bërthamor.
Njoftimi mbi skuadrën që do të qeverisë 4 vitet e ardhshme ka shkaktuar ironi e një pjesë të shtypit. E përditshmja “Sueddeutsche Zeitung”, flet për një koalicion të përbërë nga “alkimistë me në krye vejushën e zezë”. Mbi tre ministritë të caktuara CSU-së, “Sueddeutsche” shkruan me ton sarkastik: “Ministria për zhvillimin. Aha. Ministria e Transporteve, shkëlqyeshëm. Për më tepër një ministër Bujqësie, i cili më parë ka qenë i Brendshëm. Tani politika me stil do të bëhet pa CSU-në”.
Midis figurave më të spikatura të qeverisë së re, e përditshmja gjermane rendit në vend të parë ish-ministren e Punës, Ursula von der Leyen (e CDU-së), e cila duke qenë e para grua që merr përsipër përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, në një të ardhme jo të largët mund të bëhet kancelarja e dytë grua. Ursula, një talent politik dhe karakter diametralisht i kundërt me Merkel-in, ishte e paracaktuar për të drejtuar thuajse gjithçka: shëndetësinë, çështjet e brendshme, ato të jashtme etj.
Wolfgang Schaeuble (Cdu), veteran i politikës gjermane me shumë yje të fituara në këtë fushë, mbetet te Financat. Me mbajtjen e Schaeuble në këtë pozicion, Merkel ruan asin e saj nën mëngë, pasi “ministri mund të nxjerrë në çdo moment shpatën”, nëse SPD-ja do të prirej drejt lëshimevetë buxhetit si “mirëbërëse e vendit, duke zhytur duart në arkën e thesarit”.
Nga SPD-ja Frank-Walter Steinmeier do të drejtojë si edhe në vitet 2005-2009 Ministrinë e Jashtme; Barbara Hendricks, Ministrinë e Mjedisit. Sekretarja e përgjithshme e kësaj partie, Andrea Nahles, do të jetë ministre e Punës; zv/kryetarja e SPD-së Manuela Schwesig do të drejtojë Ministrinë për Familjen, ndërsa Heiko Maas, atë të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorëve. Po nga radhët e socialdemokratëve do të jetë edhe ministrja për Migracionin. Për herë të parë në historinë e Gjermanisë, pjesë e kabinetit është një grua me origjinë turke.
CDU-ja ka 6 ministri, të Shëndetësisë, të Mbrojtjes, të Brendshmen, të Financave dhe të Arsimit e Kërkimit Shkencor. Ndërsa CSU siç dhe u përmend më sipër ka tre: Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Dixhitale, të Bujqësisë dhe Ministrinë e Ndihmës për Zhvillimin. Përfundimi është se gjermanët do të kenë qeverinë që dëshironin, me fjalë të tjera një politikë socialdemokrate me fytyrë konservatore./D.Gjuzi

Kur behet fjal per Gjermanine s’druhemi ta lavderojme ose te pakten te theksojme ‘inovacionin’ per zgjedhjen e nje femre ne krye te ushtrise ndersa kur behet fjala per vet ne gjerat komplikohen…
Te pakten mund te krenohemi ne shqiptaret se Gjermani e Merkelit po ndjek shembullin e Shqipnise.
Edi Rama zgjodhi te paren Ministre te Mbrojtjes Mimin,.. dhe tash ene Angela zgjodhi Ursulen.
Frauen Power
SUKSESE