Midis 15,654 personave që kanë kërkuar azil në Gjermani, gjenden rreth një mijë diplomatë dhe nëpunës civilë nga Turqia, që nga grushti i dështuar i shtetit në vitin 2016.
Enti Federal Gjerman për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) njofton se nga viti 2016 deri në fillim të marsit 2018 në Gjermani kishin kërkuar azil 288 nënshtetas turq me pasaporta diplomatike dhe 771 me pasaporta “jeshile” (pasaporta shërbimi).
BAMF-i njoftoi se në këto shifra përfshihen edhe fëmijët e azilkërkuesve. Ndërkaq po sipas BAMF-it, në shifra nuk përfshihen ushtarët turq që kanë dezertuar, janë arratisur dhe kanë kërkuar azil në Gjermani.
Pas përpjekjes për grusht shteti të korrikut 2016, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pezulloi dhe shkarkoi nga detyra rreth 150,000 nëpunës civilë si dhe burgosi rreth 50,000 vetë. Akuza e përdorur ishte se personat në fjalë ishin pasues të predikuesit, Fethulah Gülen, të cilin ai e bën edhe përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit.
Prandaj Ankaraja i kërkon vendeve evropiane të kthejnë mbrapsht azilkërkuesit turq.
s.a/dita
