Ja sa do të kushtojnë studimet e doktoraturës në Universitetin e Tiranës

Ornela

Pranvera Kola

Pas një mungese disa vjeçare do të rihapen studimet e ciklit të tretë të “Doktoraturës”në strukturat publike të arsimit të lartë në vend. Senati akademik i Universitetit të Tiranës ka shpallur tashmë rregulloren se si do të organizohen dhe funksionojnëstudimet e këtij cikli, teksa ka miratuar edhe kostot paraprake në lidhje me tarifën e aplikimit, si dhe tarifën e ndjekjes së studimeve për kandidatët që do të pranohen në programet e Doktoraturës.

Sipas vendimit të marrë, për të aplikuar në këto programe kandidatët duhet të paguajnë një tarifë prej 5,000 lekësh, ndërsa ndjekja e studimeve të këtij cikli do të kushtojë 450,000 lekë.  “Senati ka vendosur që të miratojë paraprakisht tarifën e aplikimit për programet e studimit të doktoraturës në vlerën monetare prej 5,000 lekësh për çdo program, si dhe tarifën e studimit në vlerën monetare prej 450,000 lekësh nëçdo program. Kostot e tjera mbi këtë tarifë do të financohen nga subjekte të tjera, ose do të vetfinancohen nga kandidati doktorant sipas marrveshjes së lidhur me UT-në”, përcaktohet në vendimin e miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës.

Për të ndjekur programet e studimit të doktoratës aplikanti duhet të bëjë një kërkesë, e cila do të përfshihet në dosjen personale që do të dorëzohet në njësinë bazë të institucionit universitar ku ndodhet programi i doktoraturës për të cilin aplikohet. Në këtë dosje do të duhet të përfshini edhe dokumentet e tjera të kërkuara, si CV, kopje të noterzuara të diplomave dhe suplementeve të tyre për ciklet e studimit të kryer, kopje të mjeteve të identifikimit dhe certifikatë lindjeje, dy rekomandime të marra nga personel akademik me titull shkencor “Profesor” ose “Profesor i Asociuar”, dëshminë e gjuhës së huaj sipas kushtit të përcaktuar, deklaratën e udhëheqësit shkencor, deklaratën personale ku merrni përsipër përballimin e shpenzimeve të programeve të studimit të doktoratës kur bëhet me vetfinancim, vendimi i njësisë bazë për fushat e kërkimit shkencor, vendimin e njësisë bazë për pranimin e dokumentacionit të aplikimit, mandat pagesën e tarifës së aplikimit, vendimin nga qendra e punës, si dhe propozimin shkencor ku të evidentohen objektivat e kërkimit shkencor, metodologjia e përdorur, nevoja për studim të thelluar, etj.

Studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese. Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin vetë në lidhje me kriteret për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.

Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë fituar diplomën “Masteri shkencave” ose “Master i arteve”dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë në tëcilin konkurohet. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare.

Studimet e doktoratës zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor, mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese. Numri i studentëve doktorantë përcaktohet nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo doktoranti përcaktohet në varësi të projekteve kërkimore të kësaj të fundit. Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet.

Drejtuesit shkencorë të doktorantëve duhet të kenë titullin “Profesor” ose “Profesor i asociuar” dhe mund të udhëheqin, respektivisht, një numër të caktuar doktorantësh në të njëjtën kohë. Ky numër përfshin të gjitha udhëheqjet që personeli akademik i kategorisë “Profesor” ndjek në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ku ai është i angazhuar dhe përcaktohet në Kodin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Në rastet kur një pjesë e studimeve të doktoratës kryhet në një institucion të arsimit të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, SHBA-ve dhe Kanada-së, bashkudhëheqësi nëinstitucionin pritës mund të jetë me gradën shkencore “Doktor”. Këshilli i Ministrave miraton kriteret që duhet të përmbushë kandidati për fitimin e gradës shkencore “Doktor”, sipas përcaktimeve të këtij ligji, si dhe standardet për fitimin e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”.

Share This Article
2 Comments
  • Vetem ne Shqiperi duhet te paguaj njeriu per studimet e doktoratures. Ne gjithe boten paguhesh sepse doktoratura konsiderohet pune.
    Edhe nje fakt tjeter kuptimplote ky, qe tregon qarte se gjithshka ne ate vend eshte formalitet. Per te kalu rradhen. Perfshire edhe shkencen.
    Hajde e prit cilesi ne punimet shkencore?!

  • Mashtrojne rininë duke e zhvatur dhe shitur diplloma që hyjnë në punë
    vetëm për ti mbyllur sytë “mikut” që do paguash për një vend pune mizerabël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *