Studimet e një viti akademik mbyllen në përfundim të sezonit të provimeve të vjeshtës. Në Ligjin e Arsimit të Lartë përcaktohen edhe kushtet, se sa kredite duhet të siguroni për të kaluar në vitin pasardhës.
Konkretisht, për programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, si dhe ciklit të dytë të nivelit “Master”, studenti i vitit të parë kalon në vitin e dytë vetëm në rastet kur ka marrë jo më pak se 50 për qind të krediteve (30 kredite) të vitit të parë.
Ndërsa për programet e studimit të ciklit të parë studenti i vitit të dytë kalon në vitin e tretë, nëse ai ka marrë jo më pak se 80 kredite, nga të cilat jo më pak se 50 kredite nga viti i parë.
Për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, studenti i vitit të tretë kalon në vitin e katërt, nëse ai ka marrë jo më pak se 140 kredite, nga të cilat jo më pak se 50 kredite nga viti i dytë. Po sipas përcaktimeve të ligjit, studenti i vitit të katërt kalon në vitin e pestë, nëse ai ka marrë jo më pak se 200 kredite, nga të cilat jo më pak se 50 kredite nga viti i tretë.
Studenti që nuk plotëson kriteret për të kaluar në vitin pasardhës ka këto të drejta e detyrime: “I njihen të gjitha detyrimet e shlyera kur programet e lëndëve përkatëse janë të pranueshme për vitin në vazhdim. Ky student gjithashtu mund të frekuentojë lëndët për të cilat është vlerësuar mbetës dhe është i detyruar të frekuentojë lëndët për të cilat ka detyrim frekuentimin, teksa duhet të shlyejë detyrimet e reja që lindin për shkak të ndryshimit të planit e programeve mësimore, si dhe të paguajë tarifën e shkollimit. p.k/dita
