Ja sa orë duhet të kalojnë në auditore pedagogët

Leda Hysa

 

 Udhëzimi: Detyrimet vjetore të punës në auditore për drejtuesit, personelin e kategorisë “Profesor”, “Lektor”, “Asistent lektorë”, me kohë të plotë dhe të pjesshme

Ndryshe nga sa ndodh me personelin akademik me kohë të plotë, për stafin akademik që do të punojnë me kohë të pjesshme në auditoret e universiteteve publike, nuk mund të ketë orë suplementare. Ky personel paguhet deri në ngarkesën maksimale të përcaktuar në auditor

Kur ka mbetur edhe pak nga nisja zyrtare e vitit të ri akademik 2018-2019, dikasteri i arsimit ka përcaktuar kushtet dhe ngarkesën vjetore të punës që duhet të kryejë secili punonjës i institucioneve të arsimit të lartë publik në vend. Orët e punës kushtëzohen nga titujt akademik që gëzon secili anëtar i personelit akademik, si dhe nga llojet e aktiviteteve në të cilat do të përfshihen. Një orë mësimdhënie në auditor përgjatë vitit të ri akademik do të zgjasë 50 minuta. Vetë universitetet kanë të drejtë që të miratojnë në rregulloret e tyre të brendshme politikat e shpërblimit, sipas funksioneve që kryhen nga personeli akademik, personeli ndihmës-akademik dhe ai administrativ, politika të cilat më pas duhet të marrin edhe miratimin e Bordit të Administrimit. Sipas kushteve të përcaktuara, çdo anëtar i personelit akademik i punësuar me kohë të plotë duhet të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës prej 1536 orë. Për orët mbi normën e përcaktuar personeli paguhet për ngarkesën e parashikuar si orë suplementare. “Çdo angazhim i personelit akademik në universitet, në veprimtari të pagueshme dhe që nuk është parashikuar dhe miratuar në buxhetin vjetor të këtij institucioni të arsimit të lartë duhet të marrë përpara ushtrimit të veprimtarisë miratimin e Bordit të Administrimit. Personeli akademik angazhohet në veprimtari mësimdhënëse, kërkimore-shkencore, artistike krijuese apo veprimtari të tjera, sipas profilit të kualifikimit të tij akademik dhe kontratës së punës të lidhur me institucionin publik ose privat të arsimit të lartë. Në institucionet jopublike të arsimit të lartë ngarkesa minimale përcaktohet nga vetë institucioni, ndërsa ngarkesa maksimale nuk mund të tejkalojë kohën e punës së përcaktuar në Kodin e Punës

Ngarkesa vjetore për personelin me kohë të plotë në auditor

Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i zbardhur gjatë ditës së djeshme edhe në Fletoren Zyrtare bën me dije se personeli akademik që do të angazhohet me kohë të plotë në procesin e mësimdhënies, duhet të përmbushë këtë ngarkesë: “Në rast se i përket kategorisë “Profesor” duhet të kryejë 140 orë në auditor, punonjësit e kategorisë “Lektorë”  duhet të zhvillojnë 165 orë në auditore, si dhe “Asistent-lektorët” 195 orë mësimi. Sipas udhëzimit, çdo orë e realizuar në auditor mbi këtë përcaktim është orë suplementare, e cila përllogaritet sipas koeficienteve dhe do të paguhet e plotë nga institucioni përkatës i arsimit të lartë. Lidhur me orët suplementare, MASR ka vendosur që një punonjës nuk mund të kryejë më shumë se sa 200 orë në total. “Në raste specifike me propozim të drejtuesit të njësisë bazë dhe miratim të drejtuesit të njësisë kryesore, personeli akademik me kohë të plotë mund të mbulojë edhe 100 orë në auditor mbi limitin 200 orëve të përcaktuara”, saktësohet në udhëzim. Për punonjësit që merren me orientimin kërkimor do të ketë edhe ulje të ngarkesës mësimore. Konkretisht për këtë kategori thuhet se: personeli akademik me kohë të plotë nëse kategorizohet me orientim kërkimor sipas procedurave të parashikuara nga universiteti, të cilat evidentojnë outputin kërkimor të personelit akademik mund të ketë ulje të detyrimit të ngarkesës mësimore në auditor deri në 35 për qind sipas përcaktimeve në aktet e brendshme të vetë institucionit të arsimit të lartë. Ndërsa orët suplementare në auditor për personelin akademik me orientim kërkimor nuk mund të jenë më shumë se 100 orë.

Grupimi sipas lëndëve

Ngarkesa e plotë mësimore vjetore e personelit akademik me kohë të plotë nuk mund të përmbajë në një vit akademik më shumë se 3 lëndë semestrale në bazë të programeve të përcaktuara nga njësia bazë, të shpërndarë në dy semestra, ose 2 lëndë vjetore dhe 1 semestrale, ose 3 lëndë vjetore. Ngarkesa e plotë mësimore vjetore e një anëtari të personelit akademik me orientim kërkimor-shkencor nuk mund të përmbajë në një vit akademik më shumë se 2 lëndë semestrale në bazë të programeve të përcaktuara nga njësia bazë, sipas përcaktimit të programeve të lëndës ose 2 lëndë vjetore. Po sipas udhëzimit, ngarkesa e plotë mësimore vjetore e një anëtari të personelit akademik mund të reduktohet me propozim të njësisë bazë, aprovim nga njësia kryesore dhe me miratim nga Bordi Administrimit në rastin e përfitimit të një burse studimi jo më pak se 1-mujore, si dhe në raste të veçanta të angazhimeve në kuadër të kontributit institucional. Doktorantët me kohë të plotë dhe që frekuentojnë vitin e dytë, ose të tretë të studimeve të doktoratës mund të angazhohen në aktivitete mësimdhënëse mbështetëse jashtë auditorit, si dhe në aktivitetet kërkimore. Angazhimi i doktorantëve në aktivitetet mësimdhënëse në këtë rast do të kryhet në kuadër të parashikimeve të programit përkatës të doktoratës nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të doktoratës dhe sipas nevojave të njësisë bazë dhe asaj kryesore.

Ngarkesa vjetore për personelin me kohë të pjesshme në auditor

Ndërsa për personeli akademik me kohë të pjesshme, udhëzimi saktëson se kjo kategori mund të mbulojë ngarkesën vjetore në auditor deri në 120 orë në rastet e punonjësve të kategorisë “Profesorë”, 120 orë në rastet e kategoria “Lektorë”, teksa po kaq do të jetë edhe ngarkesa e detyrueshme për punonjësit “Asistent-lektorë”. Personeli akademik me kohë të pjesshme nuk mund të ketë orë suplementare. Ky personel paguhet deri në ngarkesën maksimale të përcaktuar në auditor. Po sipas udhëzimit, këta punonjës mund të përfshihen në veprimtari të tjera, të cilat sipas përcaktimeve kanë kompensim financiar dhe nuk llogariten në limitet e orëve në auditore. Vetë universiteti mund të angazhojnë dhe personel akademik me kohë të pjesshme të dedikuar në veprimtari të kërkimit shkencor i cili nuk ka detyrim mësimdhënien, por që kontribuon në kërkimin shkencor sipas përcaktimeve përkatëse.

Përfshirja në projekteve të Bashkimit Evropian

Personeli akademik me kohë të plotë, ose me kohë të pjesshme, mund të përfshihet në grupet e punës për hartimin dhe aplikimin e projekteve të financuara nga programet e Bashkimit Evropian. Ngarkesa e paguar për përfshirjen në këto grupe pune është deri në 200 orë projekte në vit (kjo ngarkesë nuk përfshihet në llogaritjet e orëve maksimale sipas kategorisë së përcaktuar). Për shkrimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, grupit të punës i njihen deri në 350 orë të cilat ndahen ndërmjet anëtarëve të grupit të punës, i cili është angazhuar për përgatitjen e projektit. Projekti përcakton si institucion menaxhues të tij, institucionin e arsimit të lartë për të cilën grupi i punës po angazhohet. Grupi i punës miratohet nga drejtuesi i njësisë bazë dhe kryesore. Orët certifikohen vetëm pasi projekti ka certifikim formal të dorëzimit dhe merren komentet për sa i përket cilësisë së projektit, në rast se ai nuk rezulton fitues ose kur projekti rezulton fitues.

 

Sipas udhëzimit të miratuar, për pedagogët e punësuar me kohë të plotë, çdo orë e realizuar në auditor mbi këtë përcaktim është orë suplementare, e cila përllogaritet sipas koeficienteve dhe do të paguhet e plotë nga institucioni përkatës i arsimit të lartë. Lidhur me orët suplementare, MASR ka vendosur që një punonjës nuk mund të kryejë më shumë se sa 200 orë në total. “Në raste specifike me propozim të drejtuesit të njësisë bazë dhe miratim të drejtuesit të njësisë kryesore, personeli akademik me kohë të plotë mund të mbulojë edhe 100 orë në auditor mbi limitin 200 orëve të përcaktuara”,  detajohet në udhëzim.

 

Personeli akademik angazhohet në veprimtari mësimdhënëse, kërkimore-shkencore, artistike krijuese apo veprimtari të tjera, sipas profilit të kualifikimit të tij akademik dhe kontratës së punës të lidhur me institucionin publik ose privat të arsimit të lartë. Në institucionet jopublike të arsimit të lartë ngarkesa minimale përcaktohet nga vetë institucioni, ndërsa ngarkesa maksimale nuk mund të tejkalojë kohën e punës së përcaktuar në Kodin e Punës

Ngarkesa për personelin akademik të universiteteve publike përgjatë 2018-2019

Për autoritetet drejtuese mësimdhënia vjetore në auditor është:

  • Rektori 50 orë mësimore.
  • Zëvendësrektori 60 orë mësimore.
  • Dekani 70 orë mësimore.
  • Zëvendësdekani 90 orë mësimore.
  • Përgjegjësi departamentit 90 orë mësimore.

Për personelin akademik me kohë të plotë ngarkesa është:

  • Kategoria profesor 140 orë në auditor.
  • Kategoria lektor 165 orë në auditor.
  • Asistent-lektor 195 orë në auditor.

Për personelin akademik me kohë të pjesshme ngarkesa është:

  • Kategoria profesor 120 orë në auditor.
  • Kategoria lektor 120 orë në auditor.
  • Asistent-lektor 120 orë në auditor

Veprimtaritë që kryen personeli akademik janë:

  • Mësimdhënie
  • Kërkimi shkencor ose artistik
  • Kontribut institucional dhe profesional

p.k/ dita

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *