Pranvera Kola-DITA
Pas fazës së parë të aplikimit me dosje, mësuesit që konkurojnë gjatë këtij viti për të fituar një nga kontratat e lira të punës në shkollat 9 vjeçare, si dhe gjimnazet e vendit, duhet të regjistrohen në portalin online “Mësues për Shqipërinë 2018”, për të dhënë provimin me shkrim.
Ministria e Arsimit, sportit dhe Rinisë, dy ditë më parë ka miratuar programet orientuese për të 17 profilet lëndore të mësuesisë, duke përcaktuar për secilën prej tyre strukturën e detajuar se si do të jetë përmbajtja e testit që do të plotësojnë mësuesit. Gjatë këtyre ditëve, dikasteri i arsimit pritet të zbardhë edhe afatet e aplikimit në portalin online dhe datën e saktë të testimit.
Në testim mund të marrin pjesë kandidatët që kanë marrë pjesë edhe në provimet e viteve të shkuara dhe që dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin e tyre. Gjithashtu në këto provime kanë të drejtë që të hyjnë edhe mësuesit që kanë konkuruar me dosje dhe kanë tërhequr formularin e aplikimit në DAR/ZA, si dhe janë regjistruar online në portalin “Mësues për Shqipërinë”.
Mësuesit do të testohen sipas profilit lëndor në të cilin janë diplomuar, si dhe për njohjen e legjislacionit që vepron në fushën e arsimit dhe rregullat e drejtshkrimit. Pavarësisht se për garën e këtij viti, mësuesve u është lejuar që të konkurojnë njëherësh në disa njësi arsimore, testimi do kryhet vetëm në një drejtori dhe pikët e fituara përllogariten në të gjitha drejtoritë ku kandidati ka aplikuar me dosje. Aktualisht drejtoritë e arsimit kanë përfunduar vlerësimin me pikë të dosjes së paraqitur nga secili kandidat që konkuron për emërimet e reja në arsim të 2017-2018.
Testimi për mësuesit e arsimit parashkollor dhe atij fillor
Në mënyrë të detajuar, përcaktohet se testi i arsimit parashkollor përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetje, ushtrime dhe kërkesa nga fusha të tilla që vlerësojnë njohuritë që mësuesit kanë në njohjen e dokumentacionit zyrtar, dokumentacioni kurrikular të arsimit parashkollor, aspektet e pedagogjisë dhe të metodologjisë së mësimdhënies, aspektet e etikës dhe të komunikimit, si dhe njohjen e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës-shqipe.
Ndërsa pjesa e dytë e testit do të ketë në përmbajtje ushtrime dhe kërkesa shkencore që kanë të bëjnë me dijet e mësuesit në njohjen dhe zbatimin e kurrikulës së arsimit parashkollor. Po në të njëjtën formë do të hartohet edhe testi për mësuesit që do të konkurojnë për vendet e lira të punës në arsimin fillor, me përjashtimin se pjesa e dytë e testit do të kenë në përmbajtje ushtrime dhe kërkesa shkencore mbi lëndët shkollore që mësuesi i arsimit fillor zhvillon në klasë me nxënësit.
Testimi për mësuesit e arsimit special
Testi i arsimit special përmban 35-40 pyetje dhe kërkesa. Pjesa e parë, përmban pyetjet që kanë të bëjnë me njohuritë rreth dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të arsimit special në veçanti, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë, e cila përmban përmbajtjen shkencore të mësimdhënies në arsimin special sipas programit orientues përkatës.
Testimi për mësuesit e 14 profileve të tjera lëndore
Po në të njëjtën formë do të jetë e strukturuar edhe përmbajtja e testit për mësuesit që konkurrojnë për vendet e lira të punës në profilin e biologjisë, historisë, gjeografisë, artit pamor, edukimit fizik dhe sporteve, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, kimisë, matematikës, gjuhës shqipe dhe letërsisë, muzikës, shkencave sociale, fizikës, gjuhës së huaj.
Pjesa e parë përmban pyetjet në njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, njohjen e programeve lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës.
Struktura e pyetjeve të testit për të 17 profilet e mësuesisë. Skema e vlerësimit me pikë

Shpallja e mësuesve fitues
Me mbarimin e fazës së dytë të konkurrimit (testimi), komisionet e vlerësimit pas marrjes së rezultateve zyrtare nga IZHA (Instituti i Zhvillimit të Arsimit) bëjnë renditjen paraprak dhe përfundimtare për çdo profil dhe lëndë mësimore ku është konkurruar.
Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2018”. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës.
Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë.
Fillimisht me mësuesin e përzgjedhur do të lidhet kontrata 1-vjeçare e punës. Në përfundim të kësaj periudhe mësuesi do të vlerësohet nga drejtoria e shkollës, si dhe këshilli i prindërve. Për rastet kur vlerësimi i këshillit të prindërve, apo i komisionit të shërbimit psiko-social nuk është pozitiv për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës një vjeçare të provës, arsimtari e humbet vendin e punës që fitoi nëpërmjet testimit dhe konkurrimit me dosje.
Penalizimet në përzgjedhjen e vendeve të lira të punës
Sipas autoriteteve të MAS, kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati. Udhëzimi i dikasterit të arsimit dikton më tej se për një vend të lirë pune me ngarkesë të plotë mësimore dhe të përhershme, komisioni është i detyruar që në përzgjedhje të ftojë të parët kandidatët për mësues që janë të punësuar në një vend pune me ngarkesë të pjesshme, apo të përkohshme.
