Për shkak të situatës së krijuar nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, sikundër ndodh me shërbimin parësor (poliklinika dhe ambulanca), edhe për barnat spitalore me rimbursim nuk do të jetë e nevojshme që pacientët të paraqiten për procedurat e konfirmimit të përfitimit të recetës që ju nevojitet. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën me dije se edhe në këto raste, mjeku specialist është vetëm një “klik”, apo një telefonatë larg.
Në këto kushte, pacientët e të gjitha rretheve që trajtohen me barna nga farmacitë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do mund të kryejnë konsultat online me mjekët e shërbimeve universitare, të cilët në varësi të vlerësimit të gjendjes së pacientit, do të konfirmojnë edhe përfitimin e barnave sipas skemës së përcaktuar të rimbursimit për listën e administruar nga QSUT. Kodet e recetave do të shpërndahen tek farmacia po nëpërmjet sistemit elektronik.
Sipas autoriteteve të Fondit, konsulta realizohet nëpërmjet shërbimit të telemjekësisë apo çdo komunikimi tjetër telefonik dhe elektronik (skype, ëhatsapp, viber, etj). Mjeku gjeneron recetën me sistemin “eRx” dhe në bazë të kodeve që dërgon, operatori farmaceutik tërheq barnat sipas rajoneve përkatëse, të cilat më pas do të shpërndahen tek pacienti. Në kuadër të masave të marra për frenimin e pandemisë së Covid-19, pacientët do të ndiqen nga mjeku specialist rajonal/bashkiak dhe i familjes sipas kësaj skeme të përcaktuar.
Kështu, pasi merr kodin përkatës, farmacia spitalore përgatit barin, apo barnat me rimbursim sipas recetave të printuara nga sistemi elektronik, të detajuara sipas rajoneve përkatëse, të cilat i kalon më pas tek operatori i shpërndarësit farmaceutik.
Pacientët të cilët trajtohen me këto barna do të jenë nën kujdesin e mjekut specialist rajonal, apo bashkiak për çdo shfaqje të efekteve anësore që mund të vërehen, si dhe në kontakt të vazhdueshëm dhe në monitorim nga mjeku i përgjithshëm dhe ai i familjes.
Për të mbrojtur shëndetin e atyre që konsiderohen si më të rrezikuarit nga infektimi me koronavirus, siç janë pensionistët e vetmuar, ndarja e barnave të rimbursimit do të vijojë të shpërndahet nëpër shtëpi nga punonjësit e shëndetit.
Për qytetarët që kanë nevojë për shërbimin e mjekut të familjes, Fondi sqaron se nëse ndjeni shqetësime dhe doni të kontaktoni me mjekun e familjes, apo farmacistin tuaj, si dhe nëse keni nevojë për konsultë online me këta profesionistë, nuk është e nevojshme që të shkoni në poliklinikë. Në këto raste mjafton që të vizitoni faqen online www.fsdksh.gov.al, ku keni mundësi që të shkarkoni adresarin e mjekut ose farmacistit, ku gjenden numrat e mjekëve dhe farmacistëve për çdo zonë të kryeqytetit, si dhe të rretheve.
Aktualisht janë rreth 1600 mjekë familje që po ofrojnë online konsultën mjekësore për rimbursimin e barnave, diagnostikimin, triazhimin dhe trajtimin e pacientëve, pa pasur nevojë që qytetarët të paraqiten në qendrat shëndetësore.
p.k\Dita
