Pranvera Kola
Për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit në vend, nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar tashmë do të zhvillojnë procesin mësimor në kushtet e shtëpisë. Drejtuesit e shkollave dhe mësuesit kanë marrë udhëzimet përkatëse se si do të zhvillohen dhe funksionojnë klasat virtuale përgjatë dy javëve (apo edhe më shumë nëse do jetë e nevojshme) që shkollat do të qëndrojnë të mbyllura. Sipas ekspertëve të arsimit, mësimi në kushtet e shtëpisë ka për qëllim t’i mbajë nxënësit të angazhuar me përmbajtjen lëndore dhe përforcimin e njohurive të fituara deri tani, për të mos u shkëputur nga procesi i të nxënit, deri në rifillimin e procesit të rregullt mësimor. Në varësi të lëndës që zhvillojnë mësuesit kanë krijuar rrjetet virtuale me prindërit dhe nxënësit e klasave të tyre, ku do të shpërndajnë edhe orientimet dhe materialet përkatëse në lidhje me përgatitjen që nxënësit duhet të zhvillojnë në kushtet e shtëpisë për tema të caktuara mësimore. Sipas udhëzimeve, mësuesi është i detyruar që të komunikojë rregullisht me nxënësit dhe prindërit e tyre dhe me drejtuesit e institucionit arsimor që nxënësit duhet të jenë të angazhuar për mësimet edhe në kushtet e shtëpisë. Gjithashtu një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe ndihmës që do të marrin maturantët. Udhëzuesi i hartuar nga MASR ka përcaktuar rrjedhën konkrete që duhet të ndjekin maturantët në lidhje me përgatitjet për tre provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2020. Për këtë kategori janë vënë në dispozicion online në faqen e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit www.qsha.gov.al, dy librat përgatitës dhe orientues për këto provime. Konkretisht, libri “Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia” është një përmbledhje e testeve të maturave të zhvilluara në vitet 2011-2019 në këtë lëndë. Përmes këtij botimi, Qendra e Shërbimeve të Arsimit synon t’iu vijë në ndihmë maturantëve dhe mësuesve për t’u familjarizuar me natyrën e testeve dhe të pyetjeve që përdoren në testin e gjuhës shqipe dhe letërsisë të Maturës Shtetërore. Në material paraqiten edhe disa orientime mbi natyrën e testeve. Po në të njëjtën formë do jetë edhe libri “Matura Shtetërore 2019, teste dhe skema vlerësimi, për gjuhët e huaja, matematikën dhe lëndën me zgjedhje (për gjimnazin)” që përmban testet e provimeve të Maturës Shtetërore 2019, për gjuhën e huaj, matematikën, dhe lëndët me zgjedhje, të shoqëruara bashkë me skemat e vlerësimit. Në material paraqiten edhe disa orientime mbi natyrën e testeve. Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, sugjerohet që maturantët të punojnë me materialet e mësipërme, për t’u orientuar mbi natyrën e testeve. Në vijim të shkrimit gjeni të plota të gjitha këshillat e dhëna nga ekspertët e arsimit në lidhje me punën që duhet të bëjnë mësuesit, nxënësit dhe prindërit në realizimin e procesit mësimor, si dhe orientimet konkrete për përgatitjen që duhet të vijojnë maturantët.
Plani që duhet të realizojë mësuesi:
- Komunikon rregullisht me nxënësit dhe prindërit e tyre dhe me drejtuesit e institucionit arsimor që nxënësit duhet të jenë të angazhuar për mësimet edhe në kushtet e shtëpisë.
- Zbaton planin e punës (kalendarin) të hartuar nga drejtoria e shkollës.
- Harton formën dhe mënyrën e komunikimit në grup me nxënësit dhe prindërit e tyre (Ëhats app, e-mail, platforma online, facebook, skype, video, etj) për komunikimin e përmbajtjeve/temave mësimore
- Përcakton përmbajtje mësimore (video-selfie) që do t’u rekomandojnë nxënësve duke respektuar planin mësimor të lëndës së tyre për klasën përkatëse.
- Jep udhëzime në grupin e krijuar në lidhje me përvetësimin e përmbajtjes mësimore nëpërmjet mesazheve dhe videove të përgatitura prej tij.
- U përgjigjet pyetjeve që i adresojnë nxënësit në lidhje me përmbajtjen/temat mësimore.
- Jep detyra, ushtrime, lexime plotësuese, kuizze, etj. për përmbajtjen/temën mësimore përkatëse në varësi të specifikave të secilës lëndë.
- Bën kujdes të mos mbingarkojë nxënësit me përmbajtjen mësimore duke u fokusuar në njohuritë kryesore dhe përforcimin e njohurive të fituara deri tani.
- Informon drejtorinë e shkollës lidhur me ecurinë e zhvillimit të mësimit në kushtet e shtëpisë.
Nxënësit duhet të :
- Angazhohen për kryerjen e detyrave të dhëna nga mësuesit e tyre.
- U adresojnë pyetje mësuesve të tyre për vështirësitë dhe paqartësitë që mund të kenë në lidhje me përmbajtjet/temat mësimore të rekomanduara.
- Ndjekin videot dhe mësime online të sugjeruara nga mësuesit e tyre.
- Mund të dërgojnë detyra/ushtrime/punime të ndryshme të kryera prej tyre gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi për të marrë komente nga mësuesi dhe nxënësit e tjerë.
Prindërit duhet të:
- Të jenë pjesë e grupeve të komunikimit me mësuesit sipas planit të përcaktuar nga drejtoria e shkollës.
- Të marrin çdo informacion që vjen nga drejtoria e shkollës dhe mësuesit përkatës.
- Të mbështesin fëmijën në mësimin në kushtet e shtëpisë duke lehtësuar marrjen e informacionit nga mësuesit.
Disa këshilla në ndihmë të maturantëve për testin e gjuhës shqipe dhe letërsisë
- Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, është e nevojshme që maturantët: të rifreskojnë njohuritë që lidhen me tekstet joletrare, duke u fokusuar më shumë në ato përshkruese dhe argumentuese, për shkak të peshës që zënë në programin orientues të Maturës Shtetërore 2020.
- Gjatë përsëritjes, duhet të përforconi njohuritë që lidhen me analizat e tekstit joletrar nga pikëpamja e: përmbajtjes ideore, strukturës dhe teknikave të shkrimit, si dhe aspektit gjuhësor.
- Të përpiqen të shkruajnë në mënyrë të pavarur 4 ese në javë, me tema esesh që paraqiten në rubrikat: të shkruajmë, në tekstet me të cilat punojnë maturantët në shkollat e tyre.
- Të rifreskojnë njohuritë që lidhen me tekstin letrar sipas planifikimit të mëposhtëm.
- Për autorët si: Homeri, Eskili, Aligeri, Shekspir, Gëte, Hygo, De Rada, Balzak (të cilët janë studiuar gjatë viteve të shkollimit), mund të realizohet përsëritja e plotë e tyre.
- Për autorët si: Kamy, Migjeni, Poradeci, Agolli, Kadare, Shkreli, maturantët është mirë të përsëritin njohuritë që lidhen me autorët që kanë studiuar deri tani në shkollë.
- Të ushtrohen me modele testesh dhe esesh të viteve të kaluara, të përfshira në librin “Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia”, në mënyrë që të familjarizohen edhe me mënyrën e vlerësimit të esesë.
Disa këshilla për maturantët mbi provimin e matematikës
- Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, sugjerojmë që maturantët, të ushtrohen me tematikat kryesore më poshtë, nisur edhe nga pesha e madhe që ato kanë në programin orientues të MSh-së e që janë tematika të tilla si: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni, probabiliteti dhe statistika.
- Është e nevojshme që maturantët të ushtrohen në zgjidhje ushtrimesh sipas tipeve në vijim.
- Ushtrime që vlerësojnë vlefshmërinë e një argumenti matematikor në një situatë problemore kryesisht nga tematika e algjebrës dhe funksionit.
- Ushtrime ku kërkohet paraqitja e informacionit matematikor;.
- Ushtrime me alternativa (përzgjedhje e alternativës së saktë nga 4 alternativat e dhëna).
- Ushtrime për zbatimin e koncepteve dhe proceseve në një situatë të dhënë nga jeta reale, (kjo vlen për të gjitha tematikat sipas programit orientues).
- Ushtrime ku maturanti ndërton zinxhirin e arsyetimeve dhe interpretimin e hapave të ndjekura për zgjidhjen e një situate problemore.
Përgatitja për lëndët e tjera
- Njëkohësisht, maturantët mund të ushtrohen me modele testesh të përfshira në librin “Matura Shtetërore 2019, teste dhe skema vlerësimi, gjuhët e huaja, matematika dhe lëndë me zgjedhje (për gjimnazin)”, në mënyrë që të familjarizohen me natyrën e pyetjeve.
