Ja si e shuajnë etjen shqiptarët!

anazapta

Cila ishte situata e furnizimit me ujë të pijshëm në territorin shqiptar në vitet ’20 të shekullit të shkuar dhe cilat ishin problemet më të shumta që haseshin në këtë drejtim? – Cili nga qytetet kishte bërë investimet më të mëdha dhe si ishte gjendja e kryeqytetit të Republikës së Parë Shqiptare?

Këtyre dhe të tjerave që nxirrnin krye, u jepte përgjigje në një pjesë të artikullit të botuar në faqet e revistës “Diturija” – që botohej një herë në muaj nga Mit’hat Frashëri – inxhinjer Eshref Frashëri. Ai, si specialist i fushës, me eksperienca thuajse në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, qysh në vitet 1910-1916, i kushton një material të gjatë studimor, botuar në dy numra radhaz ( shih: “UJRAT – Përgjithësisht dhe në Shqipëri”, Revista Diturija, Nr. 6 & 7, 1927 ) çështjes së menaxhimit të ujrave, duke sjellë në pjesën e parë eksperiencat botërore, e më pas atë shqiptare të kohës.

 

Faksmile e artikullit të Eshref Frashërit, Revista “Diturija”, nr. 7, maj 1927
Faksmile e artikullit të Eshref Frashërit, Revista “Diturija”, nr. 7, maj 1927

Bie në sy se materiali, sidomos në pjesën e parë përdor mjaft statistika e të dhëna, që nga pikëpamja e mundësive informative të kohës, kërkonin shumë mund e djersë për t’u mbledhur. Gjithsesi, ajo që po sjellim sot për botim, është pjesa e dytë e tij, ku ai merret ekskluzivisht me Shqipërinë, dhe ofron për lexuesin realitetin, fatkeqësisht mjeran shqiptar në këtë drejtim.

Flet megjithatë edhe për shembuj të mirë e punë të lavdërueshme të bashkive kryesore të vendit dhe jep gjithashtu edhe zgjidhje praktike në perskpektivën e afërt e të largme. Në pjesën e tretë të shkrimit, ai ngre me forcë nevojën e bonifikimit të vendit, vë në dukje të metat e mungesat që bënin që peshkimi, për shmebull, të mos ishte një veprimtari në përftim të shqiptarëve.

Ai vë në dukje edhe disa vese e praktika të shqiptarëve të kohës, të cilëve u mungonte shpirti i iniciativës e prisnin një shembull përfitimi madhor, në mënyrë që të nisnin një aktivitet, ndryshe nga vendet perëndimore, çka sigurisht se prekte rëndë edhe situatën në fushën e menaxhimit të ujrave. Lavdëron situatën hidrike e pozicionin gjeografik të Shqipërisë, të cilës natyra i kishte dhuruar gjithçka, por kritikon mungesën e investimeve, që do të bënin që zona të tëra të vendit të shndërroheshin plotësisht.

 

Më poshtë disa nga pasazhet më të rëndësishme të pjesës së dytë të artikullit të Eshref Frashërit.  

Tirana, vitet ‘20
Tirana, vitet ‘20

Nga qytetet e Shqipërisë vetëm Korça është pak më e lumtur nga pikëpamja e ujit. Ka ujë të mjaftë dhe të mirë për të pirë. Nëpër shtëpi ka puse dhe në lagjet kronj; ujrat e puseve e kanë gëlqeren pak si të tepërt, por ujrat e krojeve janë shumë të mirë. Vetëm se sistemi i ujitjes është i vjetër; duhen bërë ca sakrifica, të mblidhen burimet që janë përmbi katundin Mborje, ose Dishnicë, dhe të sillen (5 kilometra) në Korçë me tuba edhe të sillet ujë nëpër katet e sipërme të shtëpive.

Korçarët, me qenë se janë të shkathët për punëra dhe bashkojnë kapitalet për entërpriza( sipërmarrje të përbashkëta), është shpresa të formohet një shoqëri për të shpëtuar qytetin nga kjo mungesë, dhe popullin nga mundimi i të mbushurit ujë prej pusit dhe kroit; kështu largohet edhe rreziku i sëmundjeve që i vijnë atij populli nga ujërat e puseve që ndodhen afër gropave të nevojtoreve, si edhe sigurohen mjeter më të nevojshëme për shuarjen e zjarreve që mund të ngjasin në qytet ose në pazar; Korçarët e dinë se zjarret që kanë ngjarë në Pazar, e kanë mjeruar shumë herë qytetin e tyre.

Me të vërtetë po bëhet kanalizimi i qytetit dhe pandehet se rreziku i ujrave të puseve po largohet; por sipas mendimit tim, sistemi i konstruksionit të kanalit nuk i përgjigjet plotësisht kësaj nevoje; pasi, muret e kanalit nuk janë bërë me çimento që të ndalojë kullimin e ujrave të zeza prej kanalit brenda ndër puse. Qëllimin e kam të shpjegoj veprat e Bashkisë së Korçës në këta vjetët e fundit, pasi në raport me fondet dhe mjetet që ka pasur Korça, ka bërë vepra shumë të mëdha për zbukurimin e qytetit dhe prehjen e popullit. Bazat e zbukurimit dhe përparimit të atij qyteti u vunë; mungesat me ngadalë po kompletohen; për shembull, nëse ia lejon buxheti bashkisë, kanaleve që ka bërë përbrenda po t’i mbështjellë me një cipë prej 5 centimetrash një baltë (mortier) e gatuar me çimento, rreziku i kullimit të ujrave të kanalit brenda puse, zhduket fare.

Bashkia e Korçës, vitet ‘30
Bashkia e Korçës, vitet ‘30

Sjellja e ujit do i shërbejë edhe kanaleve, sepse uji i shtrënguar do t’u jepet disa herë në mot kanaleve që të lahen. Bashkia e Korçës meriton lavdërim për veprimet e saj; populli duhet  në çdo pikëpamje t’i japë përkrahjen e duhur, që të vazhdojë me veprat, të kompletojë dhe mungesat.

Shoqëria që treguam më sipër jep shpresën se mund të formohet për sjelljen e ujit, me një kapital prej 200,000 franga ari, pritet të ketë fitime të mira, se në Korçë 4,000 shtëpi mund të marrin ujë prej kësaj shoqërie.

Çdo shtëpi në Korçë në një mot prish të holla për litarë, kova, dhe stana të paktën 20 fr. ari; shoqëria prej çdo shtëpie një mbi një nga 20 fr. ari po të marrë, në mot i bëhen 80,000 fr., përveç të hollave që do të marrë nga Bashkia për krojet që do të rregullojë në pazar dhe nëpër lagje për ujitjen e të vobektëve. Për punimin dhe përmbajtjen e rezervuarit, të tubave, dhe të tjera, përveç atyre të hollave që do të marrë nga Bashkia, nuk prish më teper se 40,000 fr. në mot; kështu i mbeten 40,000 fr. fitim, dmth. 20 për qind interes, një gjë shumë e dobishme, si për ata që vënë kapital, si për popullin. Shoqëria do t’a ketë si koncesion për 30 vjet.

Berati në vitet ‘20
Berati në vitet ‘20

Shqipërinë nga çdo pikëpamje e gjetëm në një shkallë primitive: Qytetet, popullsinë e kanë të pakët; me të ardhurat e bashkive është e pamundur që t’u bëjnë ballë shpenzimeve që duhen bërë, përveç meremetimit dhe plotësimit të nevojave jetike; prandaj kapitalistët duhet të formojnë shoqërira për punime kësodore, ose edhe vetë të përfitojnë, femijët e tyre t’i sigurojnë, edhe në udhën e qytetërimit e të parparimit.

Pas Korçës vjen Elbasani. Elbasanit siç thamë edhe më sipër, ujët për të pirë dhe për të larë i vjen nga një burim 8 kilometra larg prej qytetit. Uji është sjellë me kanal të mbyllur edhe është shpërndarë nëpër krojet e lagjeve e të shtëpive të të pasurve. Uji është shumë i lehtë, i ftohtë dhe i mirë për të pirë; vetëm rregullimi i kanalit është shumë keq; muri është bërë me gëlqere uji dhe i mbuluar me pllaka; përveç barrave që lëshojnë degët brenda, të cilat zenë kanalin dhe i shkaktojnë mot për mot bashkisë shpenzime të mëdha, po edhe barinjtë i lëvizin pllakat për të pirë ujë dhe shkaktojnë rrjedhjen e ujrave të shirave, turbullohet uji dhe mbulohet kanali me baltë. Uji i Elbasanit ka edhe një rrezik tjetër, të cilit i duhet rënë prapa me kohë, sepse mund të vijë një ditë që ky rrezik Elbasanin t’a lerë fare pa ujë: Amza (vendi ku buron uji) ndodhet në një tokë që shket; edhe është frika se një ditë, në një shkarje, mund të humbasë ujë.

Korça në vitin 1917, kartolinë franceze
Korça në vitin 1917, kartolinë franceze

Më 1916, kur isha në Elbasan për të bërë planin e qytetit( bëja edhe detyrën e inxhinierit të Bashkisë, ngjau në atë vend një shkarje e vogël, e prishi një pjesë të kanalit dhe humbi ujë; me sisteme provizore u bë meremetimi i duhur, dhe u sigurua uji; por mund të ngjasë që ndonjë shkarje më rëndësi të shkaktojë shpenzime të mëdha dhe të lypë kohë të gjatë për rregullimin e kanalit; prandaj uji sapo del nga burimi, që ndodhet në të djathtë të rrëkesë, me një urë lipset hedhur në anën e mëngjër, ku është toka e shëndoshë; të bëhet një kanal në atë anë, dhe të vazhdojë gjersa të kapërcejë vendin që shket; pastaj, me një urë tjetër, të hidhet në anën e djathtë e të bashkohet me kanalin e sotëm.

Elbasani ka gurë çimentoje shumë të mirë; së shpejti mund të ngrihet një fabrikë e vogël për prodhimin e çimentos; atëherë, pa dyshim, si populli, si Bashkia, që kanë treguar gjithmonë një zell dhe aktivitet për zbukurimin e qytetit dhe plotësimin e nevojave të popullit, kanalin e sotëm do t’a kthejnë në një akuadukt të bërë nga tuba çimentoje.

Berati ndodhet në një gjendje të keqe për ujë; disa shtëpi kanë sterna, disa kanë puse dhe ca s’kanë as njërën e as tjetrën. Lagja e Kalasë ka sternë të madhe mbetur nga kohërat e vjetra; populli i asaj

lagjeje heq shumë mundime për të marrë ujë prej andej; po e keqja më

me e madhe është kur mbarohet uji i sternës dhe detyrohen bota të

zbresin gjer poshtë në lumë ose në puse, e të marrin ujë.

 

Shkodra ne vitet '20
Shkodra ne vitet ’20

Në kërkimet që kam bërë kur kam qenë në Berat (më 1916), kryetar Bashkie, kam gjetur një burim uji në kodrat që janë përmbi lagjen Mangalem; ky ujë mund të sillej shumë lehtë, se nuk është larg më shumë se 3 kilometra prej qytetit.

Edhe Gjirokastra është në një gjendje të vështirë për ujë. Kanali i ujit që kish sjellë Ali pashë Janina është prishur. Italianët në kohën e luftës u munduan, punuan dhe prishën mjaft të holla nga të arkës së vendit për të ndrequr atë kanal, por oficerët që vinin si kujdestarë, s’kishin diturinë e duhur për këtë punë dhe nuk i vrisnin fort kryet për punë; prandaj mundimi dhe të hollat shkuan kot; kanali s’u rregullua dhe uji nuk erdhi.

Populli i Gjirokastrës nevojën për ujë e siguron me puse e më tepër me sterna. Kur qëllon mot i thatë e nuk bie shi, sternat zbrazen, shumica e puseve shterojnë, dhe populli heq shumë keq.

Më 1917, kur kam qenë në Gjirokastër, qëlloi një nga vitet e thatësisë; nëpër sterna, uji qe mbaruar, vetëm në disa puse të rrallë kish mbetur ujë, dhe populli e blinte nga një liretë ujin në një shtamë të vogël.

Edhe Vlora, nga pikëpamja e ujit ka qenë në një pozitë të keqe; në kohën e luftës, italianët prunë ca ujë dhe është lehtësuar pak barra, por nuk është i mjaftueshëm sa t’i përgjigjet nevojës.

Shkodra e merr ujin nga puset. Ky ujë është i liqenit, i kulluar nëpër gurët e zallit që formon nëntokën e Shkodrës. Është i kthjellët, i ftohtë dhe i lehtë, po, fatkeqësisht, shumica e puseve janë fare afër nevojtoreve, dhe kështu përmban rreziqet për të cilat folëm më sipër.

Në vende të tilla, si Shkodra që s’kanë tjetër ujë, shtëpitë që i kanë nevojtoret 35 metra e poshtë afër puseve edhe s’kanë vende që t’i largojnë gropat, deri sa të bëhet kanalizimi më duket është fort e nevojshme për shëndetin që gropat të mbështillen me një cipë balte (mortier) e gatuar me çimento, dhe kështu të ndalohet kullimi i ujrave të zeza ndër puse; në këtë rast, gropat duhen pastruar shpesh herë.

Fshatare duke kaluar Shkumbinin
Fshatare duke kaluar Shkumbinin

Tiranën e lamë në fund, sepse, si kryeqytet që është, duam të flasim pak më gjatë për të. Tirana përdor dy soj ujrash: për të pirë përdoret ujë pusi; disa shtëpi blejnë ujë për të pirë; thuhet se ky ujë është prej burimi, por Zoti e di se ç’është, se ndonjë kontroll nuk është kryer. Shumica, për të larë përdor ujin e lumit që vjen me një kanal të hapur. Uji i puseve, përveçse është plot gëlqere, por edhe gropat e nevojtoreve janë fare pranë puseve; nga ana tjetër, edhe ujrat e vijave që shkojnë nëpër lagje, të ndara prej kanalit të hapur që thamë më sipër, kullojnë nëpër puse; nga kjo kuptohet lehtë se ç’ujë i fëlliqur pihet.

Uji që merret nga lumi me kanal të hapur shpërndahet më pas me vijëra nëpër qytet; këto ujra në vend që të jenë mjet pastërtie, formojnë burimet e fëlliqjes, të ndyrësisë; janë kanalet e sëmundjeve të ndryshme që shpërndahen në gjithë shtëpitë dhe rrugët e qytetit; kur bie shi shumë, kanali mbushet me ujë të turbullt, derdhet nga të dyja anët, dhe vijat e shpien baltën dhe e lëshojnë nëpër rrugë, duke formuar foletë e malarjes. Ja, kjo është gjendja e kryeqytetit nga pikëpamja e ujit. Ka një vit që ka filluar të mbyllet kanali, por puna ecën me ngadalë.

Tiranasit thonë se në mal të Dajtit (15 kilometra larg qytetit) ka ujë. Një orë e më parë duhet sjellë një inxhinier specialist për ujra të bëjë studimet e duhura; është e ditur se rreth Dajtit duhet të ketë shumë burime, të cilët mund të mblidhen në një rezervuar dhe së andejmi të bëhen në qytet vijat që dalin nga kanali, duke e mbyllur këtë kanal sa më shpejt.

Me të ardhurat që kanë patur bashkitë gjer një mot më parë, s’mund të të kritikohen (veçanërisht Bashkia e Tiranës që ka edhe shpenzime të tepërta) për veprimet; tashti kanë të ardhura më të mëdha që lipset t’i investojnë për ndërtimin e qyteteve; por, që të hollat të prishen për të mos shkuar kot, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të marrë iniciativën të sjellë një a dy inxhinierë specialistë për të studiuar çështjen e ujit dhe të kanalizimeve të qyteteve; ata do të japin dhe projektet që do të bëjnë, të cilët do të përmbajnë pikat themelore të punëve; trupi teknik i përbashkët i gjithë Bashkive, mbi ato baza duhet të bëjë projektet definitive me të gjitha hollësitë; pastaj të fillohen punët.

Ky trup teknik, mas gjindjes sonë, me një mendim shumë të arsyeshëm ish propozuar nga Zoti Mehdi Frashëri dhe ka marrë formën e ligjit; por gjer më sot, nga shkaku i ngushtimit të buxhetit të bashkive, nuk është formuar. Tashti, në është se duam të bëjmë punë me themel e me ekonomi, ky trup duhet formuar; se shumica e inxhinierëve që kanë sot bashkitë, nuk janë në gjendje as t’i bëjnë, as të aplikojnë projekte të këtillë pa patur mbi krye specialistë që t’ua bëjnë e t’ua shpjegojnë; inxhinierët e Botores që ndodhen nëpër prefektura, le që kohë s’gjejnë dot për t’u marrë me punërat e bashkive, po edhe atë specialitet nuk e kanë. Trupi teknik duhet të lihet i lirë në mendimet dhe veprimet teknike.

Deri sa të vihen këto mendime në veprim, siç thamë edhe më sipër, Bashkia e Tiranës duhet të tregojë energjinë e duhur për të mbyllur vijat, të detyrojë edhe të zotët e shtëpive të mbyllin gropat e nevojtoreve. Kur bëja planin e qytetit, kisha parë se në lagjet e brendshme, një shumicë e këtyre gropave, qenë të hapura.

 

Eshref Frashëri, Revista “Diturija”, prill-maj 1927

 

Share This Article
7 Comments
  • Shqiptaret jane te etur jo vetem ne kuptimin e pare te fjalese por edhe ne kuptimin figurativ. Jane te etur per demokraci funksionale per mendesi dhe mireqenie europiane per zbatim ligji dhe mundesi te barabarta. Jane te etur per Rilindje

    • etja e shqiptareve eshte ne cdo fushe te jetes se tyre.
      jane te etur, per tu arsimuar
      jane te etur per te punuar
      jane te etur per te njohur drejtesi
      jane te etur te ndihen te sigurt
      jane te etur per demokraci
      jane te etur per RILIDNJE SHQIPTARE

  • jemi vendi me prurjet me te madh te ujit ne ballkan dhe te dytet ne europe
    permbytemi vit per vit
    nuk kemi uje te pime
    TURP!

  • dhe si eshte shqiperia sot??

    qindra njerez shkojne ne spital cdo dite me probleme shendetsore nga uji i pijshem, i cili nuk

    klorohet, cahen tubacionet dhe ujrat e zeza bashkohen me tubacionet e ujit te pijshem. dhe

    punetoret per ta pastruar vijn pas nje muaji,,. dhe mungesa e pergjegjsise sjell pasoja te renda per qytetaret/..

  • ne menyre te tupshme ende ne shqiper shume toka mbeten djerr sepse nuk ka uje per t i vaditur. shqiptaret ende vuaj per uje megjithse ujii mbyte vazhdimisht disa zona . kjo ndolle sepse nuk ka shtet deh shqiptaret nuk kane pasur ndonjehere ndonje shtetrim apo qeverisje per tu lavdruar

  • te jetosh sot ne shqiperi eshte nje torture e vertete.zoti na ka falur begati toke te murrme qe shume vende te botes i kerkojne keto pasuri natyrore ti kene e nuk i realizojne dot.kemi burime natyrore nga me te ndryshme qe po ti shfrytezonuim sic duhej sot do te ishim qendra e ballkanit nga e cila do te merrnin frymezimin te gjithe.por ketu qeveria prej 8 vjetesh i morri i shiti keto burime e zaptoi vetem per interesat e veta dhe jo per mirqenien e popullit per ta ndertuar vendin ashtu sic duhet prandaj jemi sot ketu ku jemi.

  • Ne nje sistem kapitalist,cdo produkt mbijetese ka vleren e vet!
    Jo vetm ne Shqiperi,qe u a mbyllin cezmat,por edhe ne shum e shum qendra te medha te populluara,uji esht i racionuar?
    Perse keshtu!!!
    Sepse shperdorimi i ujit,sidomos pa kriter,ka nje kosto te larte,sidomos atje ku trasportohet per ta shitur?
    Sa koston sot nje liter nafte?
    Sa tatime mer shteti nga ky produkt,dhe sa investime duhet te kryeje per ta bere te paster?
    Jo me kot ne vendet perendimore,uje per te pire pa pare,pothuajse nuk ekziston fare,vetem duhet te paguash edhe WC-ne publike te pakten 50 cent per te pire uji pa pare,por qe paret i ke paguar per te hyr ne WC!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *