Një student amerikan, që arriti të çarmatosë një person të armatosur në universitetin e tij të enjten, tashmë i ka dhuratat e dasmës të siguruara nga dashamirësit e tij.
Sipas BBC, Jon Meis është vlerësuar si hero nga media amerikane pasi arriti të ndalojë një person të armatosur, që kishte vrarë një person dhe kishte plagosur tre të tjerë në “Seattle Pacific University”.
Meis përdor një spraj piperi ndaj personit të armatosur, ndërkohë që ai po rimbushte armën.
Policia thotë se veprimet e tij, dhe të tjerëve që i erdhën në ndihmë, ndaluan një tragjedi serioze.
Personi i armatosur, i quajtur Aaron Ybarra, 26 vjeç, nuk ishte student në universitet.
Mediat amerikane kanë raportuar se pasi njerëzit mësuan për trimërinë e tij, dhe për faktin se do martohet më 21 qershor, kanë dashur ta falenderojnë atë duke i blerë dhuratat e martesës, që ishin në regjistrin e martesës online, që ishte ngritur prej tij dhe të fejuarës.
Linku i regjistrit nisi të qarkullojë me një mesazh bashkëngjitur.
Që prej atëherë, të gjithë dhuratat në listë, që mund të blihen online, janë blerë nga dashamirësit.
Madje një admirues ka nisur një fushatë për të paguar muajin e mjaltit për të.
Qëllimi ishte që të mblidheshin 5 mijë dollarë, por që tani janë grumbulluar mbi 8 mijë dollarë.
Meis është student për inxhinieri elektrike.
Ai e mbante sprajin e piperit pasi shërbente edhe si monitorues në universitet.
Personi që kreu krimin thuhet se vuan nga probleme mendore, të paktën sipas avokatëve të tij.
