Gjendja e vështirë e amabasadës shqiptare në Washington ka hapur debate në Shqipëri lidhur me shpenzizmet e qeverisë për grupet e ndryshme lobiste këtu në Amerikë. Lobizmi në Washington është një praktikë e njohur, dhe pjesë e pandashme e politikës amerikane. Grupe që mbrojnë interesa të caktuara brenda vendit, por edhe të qeverive të huaja, zhvillojnë një veprimtari aktive për të ndikuar mbi Kongresin apo adminsitratën në mbrojtje të interesave të caktuara. Dy ekspertë shpjegojnë se si funksionon lobizmi në Washington.
Uashingtoni është epiqendra e politikës jo vetëm amerikane, por edhe globale. Mbi 175 vende kanë në kryeqytetin amerikan misione të përhershme diplomatike, ku madhështia e vilave luksoze është sinonim për statusin ndërkombëtar të vendit që përfaqësojnë. Kjo duket qartë në bulevardin Massachusetts, që njihet nga vendasit si rruga e ambasadave.
Profesor Steve Billet i Universitetit George Washington, thotë se ambasada është kartvizita e parë e një vendi në kryeqytetin amerikan:
“Gjithmonë i jam përmbajtur bindjes se ambasadat janë në shumë forma zyra lobiste për qeveritë e huaja këtu në Uashington. Mjafton të shohësh aktivitetet që kryejnë: ato përpiqen të nxisin qeverinë amerikane të miratojë politika që favorizojnë qeverinë e huaj në fjalë. Kjo, në mungesë të një termi më të mirë, quhet lobizëm”.
Por aktiviteti i ambasadës ka kufizimet e tij, gjë që e bën të nevojshme për qeverinë të punësojë lobistë profesionistë, shpjegon Profesor Billet:
“Shumë ambasada gjatë viteve kanë punësuar ekspertë në Uashington, për të përfaqësuar interesat e tyre, të nisur nga bindja se diplomatët e tyre, të cilët nuk kanë përvojë të mëparshme në funksionimin e Kongresit, nuk njohin nga brenda si funksionon administrata amerikane, nuk kanë njohuritë e nevojshme për të manovruar në një sistem të ndërlikuar dhe për të ushtruar ndikim në vendim-marrje”.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare për Veprimin Civil, Ilir Zherka, ka një përvojë të pasur në lobizëm si në interes të kauzës shqiptare gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ashtu edhe me përpjekjet e kryeqytetit të vendit, Uashington, për të siguruar përfaqësim të plotë në Kongres. Ai pohon se një qeveri, që të ushtrojë një ndikim të efektshëm në Uashington, duhet të ketë një strategji me 3 drejtime kryesore: praninë diplomatike përmes ambasadës, punësimin e lobistëve si dhe një lidhje funksionale me komunitetin etnik brenda Shteteve të Bashkuara, që ushtron presion nga poshtë në sistemin qeveritar:
“Roli i ambasadës është të forcojë marrëdhëniet, dhe e dyta, të zhvillojë aktivetet për arritjen e objektivave që ka. Një nga mënyrat për ta realizuar këtë është përmes ambasadorit dhe stafit të ambasadës. Por nëse janë të zgjuar, ata punosojnë lobistë që janë të pajisur me njohuritë e brendshme mbi funksionimin e sistemit dhe kanë lidhje me administratën dhe Kongresin, që i shërbejnë interesave të qeverisë në fjalë. Por vendet efektive kanë edhe lojtarë nga jashtë, shoqata jashtë sistemit institucional politik – si komuniteti etnik, siç njihen ndryshe ‘lobi shqiptar’, i përbërë nga aktivistë shqiptaro-amerikanë”.
Lobizmi i suksesshëm, vazhdon më tej zoti Zherka, ka kosto të lartë. Sipas dokumenteve të fundit të bëra publike nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, Shqipëria ka shpenzuar 1 milion e 157 mijë dollarë gjatë vitit 2011 për firmat lobiste Patton Bogs dhe Podesta:
“Mendoj se është një hap shumë i mençur të përdorësh firma të huaja lobiste. Do t’i thoja çdo vendi, jo vetëm Shqipërisë, që kur përdorin firma të tilla, t’i përdorin me mençuri, pasi janë shumë të shtrenja. Ato ofrojnë njohuri të vlefshme mbi mekanizmin e sistemit, si dhe lidhje me nivelet e larta të qeverisjes. Por fondet duhet të përdoren me kujdes të madh: duhet ushtruar presion mbi këto firma që marrin pagesë të rregullt mujore, që qeveria të garantojë se po siguron synimet e dëshiruara për shpenzimet që bën”.
Dhe mbi të gjitha, thekson aktivisti veteran, këto shpenzime nuk duhet të bien në kurriz të funksionimit normal dhe aktiv të ambasadës shqiptare në Shtetet e Bashkuara:
“Shqipëria ka një ambasadë shumë të bukur që qëndron e mbyllur prej një kohe të gjatë. Duhet të hapet, duhet të jetë plotësisht funksionale. Shqipëria duhet të hapë dyert e ambasadës për miqtë amerikanë. Kjo kërkohet nga një vend. Ky është dallimi mes një vendi funksional dhe që i konsideron marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara si të rëndësishme dhe një vendi me probleme. Është e papranueshme që në Shtetet e Bashkuara të kesh një ambasadë në mes të Uashingtonit që qëndron e mbyllur dhe nuk funksionon. Ambasada duhet të jetë si një shtëpi e hapur. Kjo është tradita shqiptare”.
Si në aspekt tjetër të funksionimit të shtetit, shprehet zoti Zherka, edhe zhvillimi i aktivitetit diplomatik dhe marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon një analizë të ftohtë të strategjisë së ndjekur, objektivave të caktuara dhe arritjeve të deritanishme dhe modofikimit të politikave të ardhshme në bazë të kësaj analize.