Ja si kanë ndryshuar eksportet në Shqipëri gjatë 5 vjetëve

redaktor

Gjatë periudhës 5-vjeçare (2008-2012) vërehet një rritje e eksportit dhe ulje e importit të mallrave, duke përjashtuar vitin 2009 ku vërehet rënie si në eksport ashtu edhe në import, thotë INSTAT në publikimin e fundit “Tregtia e mallrave për periudhën 2008-2012”. Në vitin 2012 vërehet një rritje prej 8.2 përqind në eksport dhe ulje prej 2.9 përqind në import. Në vitin 2012 përqindja e mbulimit është 40.3 përqind, nga 36.2 përqind që ishte në vitin 2011.

Produktet që dominojnë më tepër eksportin shqiptar për periudhën 2008-2011 janë rieksportet nga përpunimi aktiv i produkteve tekstile dhe këpucët. Sipas “Monitor” Në vendin tonë ka shumë ndërmarrje “me fason”, gjë që shpjegon edhe sasinë e madhe të produkteve tekstile dhe të kepucëve që eksportohen. Kurse në vitin 2012 vihet re një ulje të vlerës së këtyre mallrave duke zënë 29.1 përqind të eksportit. Për vitin 2012 më të eksportuara janë grupmallrat “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” që zënë 35.7 përqind të eksportit. Në vitin 2012 importi është dominuar nga grupmallrat “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” duke zënë respektivisht 20.9 përqind dhe 18.5 përqind, të importit gjithsej. Në importin e produkteve bujqësore vlera e importit të grupit të zarzavateve u rrit me 1.1 përqind në vitin 2012, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa importi grupit të frutave u ul me 3.6 përqind në vitin 2012, krahasuar me të njejtën periudhë. Partnerët tanë kryesorë edhe në vitin 2012 janë Italia dhe Greqia.

Eksporti dhe importi me Italinë janë rritur gjatë vitit 2012 respektivisht 3.7 përqind dhe 1.4 përqind, krahasuar me një vit më parë. Eksporti me Greqinë është ulur gjatë vitit 2012 me 5.2 përqind, ndërsa importi është ulur me 13.3 përqind, krahasuar me një vit më parë. Eksporti me vendet e Bashkimit Europian për vitin 2012 zë 75.5 përqind të eksportit gjithsej, duke u rritur 12.3 përqind, ndërsa importi nga këto vende për vitin 2012 zë 61.9 përqind të importit gjithsej duke u ulur 6 përqind, krahasuar me një vit më parë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *