Sëmundjet e dhëmbëve dhe të mishrave të dhëmbëve mund të parandalohen dhe trajtohen nëse tregohemi të kujdesshëm dhe bëjmë pjesë të përditshmërisë tonë disa rregulla të thjeshta që kanë të bëjnë me higjienën e mirë të gojës. Veprimet e thjeshta përfshijnë : larjen e rregullt të dhëmbëve dhe përdorimin e fillit dentar, përdorimin e shpëlarësve të gojës dhe ndjekjen periodike të shëndetit të gojës tek stomatologu. Po ashtu edhe ushqimet që shtrojmë çdo ditë në tavolinën tonë, mund të ndikojnë në prishjen e dhëmbëve, ndaj edhe në këtë pikë duhet të jemi shumë të kujdesshëm.
Fëmijët dhe higjiena e mirë e gojës
Në mënyrë që fëmijët të kenë dhëmbë dhe shëndet të gojës sa më të mirë ju duhet t’u mësoni atyre normat e higjienës së mirë të gojës dhe më pas t’i kontrolloni ata. Prishja e dhëmbëve mund të shkaktojë dhimbje dhe madje edhe infeksione nëse lihet e patrajtuar. Kariesi dentar mund të parandalohet lehtë nëse fëmijëve u mësojmë rregullat dhe normat e një higjiene të mirë orale, e cila lidhet me: “Ngrënien e mirë, larjen me furçë dhe përdorimin e fillit dentar”. Gjithashtu duhet t’u bëhet të gjithëve edukatë vizita periodike tek dentisti (të paktën për fëmijët tuaj). Shkoni rregullisht tek dentisti. Dentisti bën pastrim të plotë të gojës së fëmijës, përdor fluor dhe zbulon kavitete kur janë ende të vogla. Filli dentar mund të largojë mbeturinat ushqimore nga hapësirat ndërmjet dhëmbëve. Përdorni fillin të paktën një herë gjatë ditës. Filli arrin në disa zona ku furça nuk arrin dot. Në fillim përdorni fillin më pas përdorni furçën për një pastrim të përgjithshëm të gojës.
Kujdesi në ushqimin e përditshëm
Përdorimi i ëmbëlsirave me shumë sheqer mund të shkaktojë kavitete. Mësojini fëmijët me një dietë sa më të mirë. Evitoni ushqimet me shumë sheqer dhe mësojini fëmijët të lajnë dhëmbët pasi hanë bukë. Madje në disa raste karamelet mund të ngjiten aq shumë me dhëmbët saqë është e vështirë të pastrohen. Pijet me gaz, të cilat përmbajnë edhe sheqer edhe acid citrik janë shumë të dëmshme për smaltin. Ulni konsumin e sodës dhe jepuni fëmijëve ujë
Mishrat e dhëmbëve
Kini kujdes shëndetin e mishrave të dhëmbëve (gingivave). Shenja të gingivitit dhe sëmundjeve të tjera periodontale mund të jenë skuqjet, zbutjet dhe gjakosja nga furça. Duhet vetëm pak më shumë kujdes në pastrimin e këtyre zonave për të eliminuar problemin në fare pak ditë. Një tjetër shenjë që mund të kuptoni se diçka nuk shkon është aroma e keqe e gojës. Mësojini fëmijët se nëse kanë ndonjë nga problemet e mësipërme duhet të shkojnë menjëherë tek dentisti.
Larja e shpeshtë e dhëmbëve
Lani dhëmbët shpesh. Dhëmbët duhet të lahen minimalisht një herë në ditë. Larja në mëngjes dhe në darkë përpara gjumit janë më të preferuara. Mund edhe të kërkoni që fëmija juaj të lajë ndërmjet vakteve për një kujdes më të madh. Fëmijët duhet të përdorin një pastë dhëmbësh që të përmbajë fluor, gjë e cila do të ndihmojë në mbrojtjen e dhëmbëve të tyre. Kini kujdes që fëmija t’i lajë dhëmbët për 2 ose 3 minuta, duke mos ushtruar shumë forcë në të gjithë sipërfaqen, duhet të lajë gjuhën, dhe madje edhe gingivën. Shëndeti oral reflekton gjithashtu shëndetin fizik të njeriut. Shëndeti oral nuk thotë që të mbajmë vetëm dhëmbët të pastër por të gjithë shëndetin e gojës. Këtu përfshihen dhëmbët, mishi dhëmbëve, gjuha e gjithashtu edhe fyti.
Zvogëlimi dhe parandalimi i erës së keqe të gojës
Pastrimi i dhëmbëve me furçë të butë është më i miri. Lëvizjet rrethore të furçës për pastrimin e dhëmbëve është i mirë sepse kjo përveç të tjerash edhe i bën masazh mishit të dhëmbëve, masazh ky që përmirëson qarkullimin e gjakut dhe mban mishin të shëndetshëm. Gjuha kurrë nuk duhet lënë anash. Edhe gjuha duhet të pastrohet mirë me pastrues gjuhe. Një shtresë e trashë që formohet në gjuhë mund të shkaktojë mostretjen e gjithashtu edhe t’u jap një erë absolutisht të keqe të gojës.
Goja duhet shpëlarë me një shpëlarës goje të mirë
Mos harro se shpërfillja e shëndetit të gojës mundet që jo vetëm të shkaktojë rreziqe shëndetësore si mostretja por, gjithashtu çon edhe në shkaktimin e ulcerës së gojës dhe sëmundjeve të mishit të dhëmbëve. Pirja e duhanit është armiku kryesor i shëndetit oral. Dhe nëse mundeni, e sigurisht që mundeni po qe se jeni të vendosur, lëreni duhanin. Një arsye tjetër që era e keqe e gojës shkaktohet është edhe mos pastrimi periodik i dhëmbëve te dentisti. Rekomandohet që çdo 6 muaj të vizitohet dentisti për të kontrolluar gojën për ndonjë problem eventual të dhëmbëve dhe gojës dhe për t’i pastruar dhëmbët që të largohen njollat dhe pllakat. Pastrimi para fjetjes është gjithashtu i mirë pasi lufton bakteriet që mund të zhvillohen nga mbetjet e copëzave të ushqimit e përveç të tjerash goja mbetet e pastër gjatë gjithë kohës sa flini. Kujdesu për shëndetin oral dhe kështu ju mund të mbani gojën pa erë të keqe dhe ndoshta edhe të parandaloni problemet që mund të vijnë si pasojë e pastrimit jo të mirë të gojës. Mos harro se goja është hyrja e të gjitha organeve të brendshme.
faleminderit per kshilla