Në rast se në diabetin e llojit të parë, përdorimi i insulinës është kusht i panegociueshëm (pasi keni mangësi të prodhimit të saj), në rastin e diabetit tip 2, mënyra e ushqyerjes dhe stili aktiv i jetesës, luajnë rolin kryesor në trajtimin e këtij çrregullimi.
Trajtimi përcaktohet nga mjeku specialist endokrinolog, i cili në raport me situatën tuaj shëndetësore do të formulojë edhe një plan ushqimor të shëndetshëm, si edhe një plan të aktivitetit fizik që duhet të ndiqni.
Lëvizja e rregullt duke përfshirë edhe ecjen ndihmojnë në uljen e niveleve të glukozës në gjak, në uljen e presionit të gjakut dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Është e rekomandueshme për personat që vuajnë nga diabeti i tipit 2, të ushtrojnë 30 minuta aktivitet të moderuar fizik në shumicën e ditëve të javës. Megjithatë, çdo gjë përcaktohet nga mjeku në raport me situatën individuale shëndetësore.
Një faktor mjaft shqetësues renditet stresi, prandaj menaxhimi i tij është mjaft i rëndësishëm në këtë sëmundje. Stresi jo vetëm që rrit nivelet e presionit arterial, por edhe nivelet e glukozës në gjak. Në menaxhimin e kësaj sëmundjeje rol të veçantë luajnë edhe periudhat e pushimit relaksues, bisedat me të afërmit dhe familjarët, apo edhe këshillimet me psikologun.
Përdorimi i medikamenteve të posaçme natyrisht që bëhet me këshillimin e mjekut specialist. E rëndësishme është që çdo pacient duhet të bëhet mjek i vetes së tij dhe të jetë i vetëdijshëm për pasojat e sëmundjes dhe rëndësinë e trajtimit me rigorozitet sipas këshillimit të mjekut.
Me aparate të thjeshta në përdorim, çdo pacient duhet të masë rregullisht nivelin e sheqerit në gjak esëll në mëngjes, para dhe pas buke, para dhe pas ushtrimeve fizike, si edhe para gjumit. Kjo për periudha të caktuara sipas këshillave të mjekut.
Megjithëse ka mjekim për diabetin, për të shmangur ndërlikimet shëndetësore afatgjata, parandalimi është trajtimi më i mirë për secilin pacient.
Tre rregullat bazë që mund të ndiqen në këtë rast janë: “Kujdesu për peshën tënde, me anë të një diete të shëndetshme dhe të aktivitetit fizik. Kontrollo rregullisht nivelin e sheqerit në gjak dhe atë të kolesterolit. Si dhe mat rregullisht tensionin e gjakut”, shkruan Dita.
Rrezikoni për diabet të tipit të dytë kur:
• Je mbipeshë, sidomos në zonën e barkut.
• Je mbi 40 vjeç.
• Ke anëtarë të familjes që kanë diabet.
• Kur vuan, ose ke vuajtur nga tensioni i lartë i gjakut, apo ataku në zemër.
• Ke, ose ke pasur ovare policistike, apo diabet gjatë shtatzanisë.
• Nga mungesa e aktivitetit fizik.
• Ushqim jo i shëndetshëm.
Shenjat paralajmëruese
• Urinim i shpeshtë, sidomos gjatë natës.
• Etje e vazhdueshme.
• Uri e vazhdueshme.
• Humbje të shpejtë peshe pa asnjë përpjekje.
• Këputje dhe mungesë energjie.
• Ke shikim të turbullt.
• Plagët kërkojnë shumë kohë për t’u shëruar.
p.k/dita
