Ja si ndryshojnë kushtet e daljes në pension për vitet 2020-2021

Ornela

Të gjithë personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie kur arrijnë moshën e përcaktuar në ligjin e Sigurimeve Shoqërore. Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, personat që janë në prag të përmbushjes së këtyre dy kushteve (vjetërsisë kontributive dhe moshës së përfitimit), duhet të aplikojnë online për plotësimin e dosjes së pensionit. Aplikimi në këtë rast bëhet në portalin “e-Albania”, www.e-albania.al në çdo kohë përgjatë 24 orëve, pa asnjë lloj kostoje.

Ekspertët e sigurimeve bëjnë me dije se me plotësimin e kërkesës në kohë, ju nuk do të vononi asnjë ditë marrjen e pensionit nga momenti kur lind e drejta e përfitimit. Ndërkohë që kushtet e përfitimit (mosha dhe periudha e sigurimeve), jo vetëm kanë ndryshuar për pensionet e reja të 2020-s, por do të vijojnë të ndryshojnë edhe për pensionet e reja që do i shtohen skemës në vitin 2021, si dhe në vitet në vijim. Duke qenë se lëvizjet pranë sporteleve të sigurimeve shoqërore janë kufizuar prej pandemisë së Covid-19, pak ditë më parë ISSH ka vënë në dispozicion të qytetarëve numrat e telefonit, sipas të gjitha drejtorive rajonale dhe agjencive të sigurimeve shoqërore në të gjithë vendin, për të marrë zgjidhje për të gjitha shqetësimet që mund të kenë.

Procedura online për kërkesën paraprake të pensionit

Plotësimi i kërkesës paraprake nuk është i detyrueshëm dhe nuk ju shmang nga plotësimi i kërkesës për përfitimi pensioni pleqërie, por rekomandohet të plotësohet në mënyrë që aplikuesi të mos rrezikojë zgjatjen në kohë të marrjes së pensionit në momentin që i lind e drejta e përfitimit. Koha nga dorëzimi i kërkesës deri në momentin e lindjes të së drejtës, është e nevojshme që specialistët e sigurimeve shoqërore të verifikojnë në kohë dokumentacionin e dorëzuar.

Personi i interesuar, 1 deri në 12 muaj para se t’i lindë e drejta për përfitim, mund të paraqesë kërkesën paraprake online. Për këtë fillimisht ju duhet të  hyni në adresën www.e-albania.al, të identifikoheni si qytetar në këtë porta, më pas zgjidhni shërbimin për plotësimin e kërkesës paraprake. Në plotësimin online të kësaj kërkese duhet të ngarkoni edhe këto dokumente: “Dokument identifikimi, Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal), fotokopje të kartës së identitetit ose certifikatë lindjeje personale, certifikatë familjare, certifikatë martese (për mbiemrin para martese për kërkueset femra), fotokopje e librezës së punës, diplomën e shkollës së lartë (për femrat). Brenda 60 ditësh ju mund të merrni edhe përgjigjen në lidhje me këtë shërbim.

Ndryshimet në moshë dhe vjetërsi kontributive

Në lidhje me kushtet e përfitimit, do të vijojë skema e rritjes graduale të moshës së daljes në pension dhe vjetërsisë kontributive, si për burrat, ashtu edhe për gratë. Rritja e moshës, si dhe e periudhës së sigurimit përcaktohet nga kategoria në të cilën grupohen punët e kryera nga përfituesit e rinj që do t’i shtohen skemës së pensioneve përgjatë viteve. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara në dy tabelat përkatëse kushtet e daljes në pension për përfitimet e reja të 2020-s, si dhe ato të 2021-shit.

Të drejtat për tërheqjen e pagesave

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, personat që kanë të drejtë për më shumë se 1 lloj pensioni, mund të zgjedhin vetëm një prej tyre, kjo e drejtë mund të ushtrohet jo më shumë se tre herë. Personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre. Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Po sipas ligjit, pensionet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20% e këstit mujor të pensionit.

Kthimi i përfitimeve të padrejta

Po sipas ligjit, personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, të cilën e shlyen duke iu mbajtur çdo muaj 50 për qind e këstit mujor të përfitimit. Personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal. Ndërsa pensioni i invaliditetit do të ndërpritet për periudhat që pensionisti refuzon të vizitohet te komisioni i mjekëve ekspertë kompetent. Gjithashtu pensioni i invaliditetit ndërpritet edhe për periudhat kur ai refuzon të marrë pjesë në kurset e kualifikimit e të rikualifikimit, në ripërtëritjen mjekësore dhe në trajtimin kundër alkoolit e drogës, që synojnë të reduktojnë aftësinë tij për punë.

 

KUSHTET PËR PENSIONET E REJA TË 2020-s

Gratë

Profesionet                             Kategoria I                 Kategoria II              Kategoria III

Mosha për pension                  58 vite e 6 muaj           61 vite                         61 vite

Vjetërsia e punës                      35 vite                             37 vite                       37vite

 

Burrat

Profesionet                             Kategoria I                 Kategoria II              Kategoria III

Mosha për pension                   63 vite e 6 muaj          65 vite                         65 vite

Vjetërsia e punës                       37 vite                            37 vite                          37 vite

 

KUSHTET PËR PENSIONET E REJA TË 2021

 

GRATË

Profesionet                 Kategoria I             Kategoria II              Kategoria III

Mosha për pension             59 vite             61 vite e 2 muaj       61 vite e 2 muaj

Vjetërsia e punës                 35 vite              37 vite e 4 muaj       37 vite e 4 muaj

 

BURRAT

Profesionet                 Kategoria I                 Kategoria II              Kategoria III

Mosha për pension        64 vite                        65 vite                         65 vite

Vjetërsia e punës         37 vite e 4 muaj           37 vite e 4 muaj       37 vite e 4 muaj

 

Hapat si plotësohet online kërkesa paraprake për pension

  • Fillimisht hyni në faqen e-albania.al
  • Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania.
  • Zgjidhni shërbimin “Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie”.
  • Klikoni butonin “Përdor”.
  • Plotësoni formularin përkatës dhe dërgoni aplikimin.
  • Formulari është i ndarë në tre pjesë.
  • Fillimisht ju duhet të zgjidhni drejtorinë dhe agjencinë lokale ku do aplikoni. Numri dhe data e regjistrimit plotësohen automatikisht nga sistemi.
  • Pjesa e parë ruan të dhënat e gjeneraliteteve tuaja. Numri juaj i sigurimit plotësohet paraprakisht në momentin, që ju hyni në portal me kredencialet tuaja.
  • Duke klikuar butonin “Merr detaje nga regjistri”, automatikisht plotësohen edhe fushat e tjera me të dhënat tuaja nga gjendja civile.
  • Fushat që ngelen bosh, jeni të detyruar t’i plotësoni manualisht.
  • Në pjesën e dytë, duhet të zgjidhni arsyet dhe llojin e përfitimit. Ju kujtojmë, që ky shërbim elektronik është i vlefshëm vetëm për pensionin e pleqërisë.
  • Në pjesën e tretë duhet të deklaroni periudhën tuaj të sigurimit dhe zgjidhni dokumentet që keni për të dorëzuar.
  • Ju duhet të dërgoni dokumentet origjinale me postë pranë DRSSH përkatëse.

 

o.j/dita

Share This Article
1 Comment
  • Pershendetje.
    Jam Gjergji Nako banues neTirane
    Jam I datelindjes 1955 ne28 Mars. Kam punuar si metalurg ne kombinatin e AUTOTRAKTOREVE per 14 vjet kam kryer dhe dy vjet sherbimin e detyruar ushtarak.
    Me pare e dija qe dal ne pension ne moshen 67 vjec. Me ndryshimet e reja ne fare moshe dal dhe kur duhet te dorezoj dokumentat(nqs perfitoj) me vitet e punes we kam.
    Faleminderit.
    Me pare e dija qe dal ne pension ne moshen 65 vjec.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *