Ja si ndryshon mesatarja e pranimit për çdo universitetet

Ornela

Pranvera Kola

Krahas degëve të mjekësisë, mësuesisë, edhe për degët e gjuhëve të huaja në konkurim nevojitet një mesatare më e lartë. Ndërkohë që kjo mesatare do të vijojë të rritet edhe më tej për të gjitha programet e studimit edhe për pranimet e vitit të ardhshëm akademik. Ditën e djeshme është zbardhur në Fletoren Zyrtare të Qeverisë vendimi konkret me mesataren që duhet për të konkuruar për studimet e larta për garuesit e 2020-s, si dhe ata të 2021. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2020, si dhe të maturave në vijim.

Mesatarja për fituesit e rinj të 2020-s

Sipas vendimit të zbardhur, kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2020–2021, përkatësisht: Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë, minimalisht me notë mesatare 6.5, për programet e studimit të gjuhëve të huaja duhet mesatare duke nisur nga nota 7, si dhe në programet e studimit të ciklit të parë Bachelor, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë, të kërkohet notë mesatare e shkollës së mesme nga 7.5 dhe më lart. Ndërsa për degët e mjekësisë do të aplikohet një mesatare edhe më e lartë, e cila ndryshon në varësi të degës së përzgjedhur.

Mesatarja për fituesit e rinj të 2021-2022

Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2021–2022 dhe në vijim: Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë, minimalisht me notë mesatare 7.

Në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master, në fushën e mësuesisë, minimalisht me notë mesatare 8.

Përjashtimet

Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë
për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.

Gjithashtu në vendim saktësohet më tej se në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të studentët duhet të plotësojnë kriterin e notes mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik, që student është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016–2017 dhe në vijim.

Ndërsa procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, si dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë do të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat tek institucioni arsimor vendor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar.

Zhvillohet testi i parë i Maturës 2020

Mbi 30 mijë maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar ditën e djeshme testit të parë të Maturës Shtetërore 2020 që është zhvilluar në lëndën e gjuhës së huaj (anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht dhe spanjisht).

Për dy orë me radhë maturantët kanë plotësuar testin me 60 pyetje të cilat kanë qenë vetëm me alternativa. Ndërkohë që vetëm pak orë mbas mbarimit të testit janë shpallur edhe skemat e vlerësimit, nëpërmjet të cilave maturantët do të mund të krijojnë një ide në lidhje me numrin e pikëve që do të sigurojnë me përgjigjet e dhëna.

Në skemën e përcaktuar më herët nga MASR, bëhet me dije se çdo pyetje vlerësohet me 1 pikë, dhe në total maturanti mund të sigurojë 60 pikë nga testi. Ndërkohë që për të qenë kalues duhet të sigurojë detyrimisht 25 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet i gjithë testi.  Ndryshe nga maturat e shkuara, për shkak të covid-19, testet e këtij viti do të vlerësohen në mënyrë digjitale.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *