Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka nisur takimet me liderët e partive politike në vend për të zhbllokuar punën e Parlamentit.
“Pas konsultimeve me krerët e institucioneve, me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli për t’i njoftuar me vendimin tim, ftoj për dialog politik partitë politike parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, thuhet në deklaratën e presidentes.
Kryetarja e Shtetit i cilëson të papranueshme veprimet e dhunshme të opozitës ndaj institucioneve. “Mandati im si presidente e vendit është të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbejë si faktor uniteti, dhe mbi këtë bazë e ftoj spektrin politik parlamentar të Kosovës, që të pranojnë këtë ftesë për dialog për mospajtimet në këto javët e fundit”, vijon deklarata e presidentes.
Ajo ka konfirmuar se u ka dërguar ftesa subjekteve politike si të koalicionit qeveritar ashtu edhe partive opozitare për takime të ndara në Presidencë në mënyrë që në fund, të mbahet edhe një takim i përbashkët për tejkalimin e gjendjes së krijuar. /Dita/
