Femër në një listë me meshkuj

anazapta

Maqedonia është futur në fushatë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen pas thuajse tre javësh. Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit kërkoi zgjedhjen e një presidenti konsensual, që nuk u pranua nga partneri në koalicion duke e shpënë vendin në proces elektoral të pa vaktë. Në kulm të fushatës dhe për të parë se si po zhvillohet ajo, ne kemi shkëputur për një bisedë deputeten e BDI-së, dhe një nga kandidatet kryesore të kësaj partie, Ermira Mehmetin. Mehmeti është deputete e BDI-së, dhe kandidate kryesore për t’u rizgjedhur në Kuvendin e Maqedonisë. Në këtë bashkëbisedim për gazetën “DITA” ajo shpjegon zhvillimet e fundit në partinë ku aderon, situata në prag zgjedhjesh, por edhe jeta private e një deputeteje me hire si të Ermirës. Sa herë që është e pranishme në ekranet televizive shqiptare bie në sy për pamjen elegante, por edhe për artikulimin e qartë politik. Nëse Mehmeti zgjidhet deputete, ky do të jetë mandati i tretë për të. Ajo ka rrokur në këtë bisedë me “DITA” disa nga çështjet më pikante në shtetin fqinjë, marrëdhëniet mes shqiptarëve, a ka ardhur momenti që shteti të drejtohet nga shqiptarë dhe cili është raporti i saj me Tiranën…

 

Zonja Mehmeti jeni në një fushatë të ethshme politike për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni. Si po shkon fushata dhe cilat janë objektivat e partisë suaj?

Do kisha filluar duke thënë se vetë fakti se këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, i bën të jenë të ethshme për të gjitha subjektet politike në vend. Ne kemi filluar një fushatë me vizion dhe ide të qarta, kemi ofruar një program që përfshin mbi 1000 projekte zhvillimore, me vlerë mbi 2.5 miliard euro.  Kjo fushatë duket e ethshme ngase dy partitë opozitare – edhe ajo shqiptare PDSH, edhe ajo maqedonase LSDM, kanë shumë kohë në opozitë dhe kjo e bën betejën e tyre më të ashpër, shpeshherë dhe arrogante. Deri më tani, fushata po ecën mirë, dhe është akoma në korniza të mirësjelljes politike dhe jo fort ofenduese. Uroj të vazhdojë dhe të përfundojë në këtë frymë.

Jeni caktuar në një zonë që kërkon impenjim për të bindur votuesit. Pse duhet t’iu votojnë ju?

Sepse jam femër e emancipuar, përfaqësoj brezin e ri të shqiptarëve evropianë të Maqedonisë; sepse luftoj pa kompromise për bindjet e mia; sepse kam ofertë politike. Mbi të gjitha, sepse jam njëra nga shqiptarët, vij nga mjedisi dhe rrethi  i tyre, i njoh, kuptoj dhe ndaj bashkë me ta vlerat por edhe hallet e tyre.  Ky do të jetë mandati i tretë për mua. Në vitin 2011, unë isha deputete në zonën zgjedhore numër 2, dhe besoj se kam arritur që në një mënyrë shumë të denjë të përfaqësoj Bashkimin Demokratik për Integrim, si dhe zërin e fuqishëm për femrat shqiptare, dhe u pa se dolëm me një rezultat të mirë.  Jam shumë e bindur se edhe në këtë sfidë, bashkë me partinë të cilën përfaqësoj, me aktivistët dhe simpatizantët e mi, do ia dalim të korrim një fitore të fuqishme dhe kësaj radhe. Jam e vetmja femër shqiptare, bartëse e listës në tërë Maqedoninë, përballë 10 meshkujve shqiptarë bartës listash.

Keni apeluar kohëve të fundit që të shqyrtohet fenomeni i votuesve fiktiv nga komuna e Liqenasit të Shqipërisë, për të cilët ekzistojnë indikacione se po votojnë në dobi të VMRO-DPMNE-së gjatë proceseve zgjedhore. Si qëndron e vërteta?

Ky fenomen erdhi ne shprehje gjete zgjedhjeve lokale te vitit te kaluar. Disa qindra shtetas shqiptar, që në ndërkohë kishin marrë nënshtetësi maqedonase të gjithë të regjistruar në një adresë vendbanimi, u shfaqen si votues me ndikim gati se deçiziv në rezultatin zgjedhor. Këta votues, kësaj radhe të regjistruar në ambasadën e RM-së në Tiranë, rreth 450 sosh, do të votojnë për deputetin e Europës dhe mund të ndikojnë në fitoren e tij. Shqipëria zyrtare duhet ta trajtojë këtë fenomen me urgjencë, sepse bëhet manipulim politik me këta njerëz!

Është krijuar një ide se shqiptarët e Maqedonisë janë të përçarë ndër veti, dhe kjo jo për shkak të ndonjë strategjie të dikujt por për faj të vetë shqiptarëve. Jeni dakord me këtë ide?

Bashkimi Demokratik për Integrim, në këto zgjedhje garon me sloganin “Bashkë më mirë, bashkë më të fortë -Bashkë për Europë!”. Besoj se ky mesazh është mjaftueshëm i fuqishëm dhe shpjegon cili ka qenë dhe cili është angazhimi ynë që kur jemi themeluar. Punojmë kundër përçarjes, kundër konfliktualitetit, kundër zënkave brenda shqiptare. Për fat të keq, nuk mendoj se edhe opozita shqiptare ndan të njëjtat bindje në raport me ne.

Pse ka shumë sherre mes shqiptarëve në Maqedoni. Kujtoj këtu që sa herë liderët e partive shqiptare të Maqedonisë takohen shihet si një takim historik?

Kjo është çështje perceptimi. Për shembull, unë mund të ju pyes juve, pse ka shumë sherre mes shqiptarëve në Shqipëri, dhe është e pamundur që të takohen Kryeministri Rama dhe lideri i opozitës Basha?!  Nuk besoj se ka diçka që duhet trajtuar si të jashtëzakonshme ose historike.  Ne takohemi kur ka nevojë, edhe bashkëpunojmë kur ka nevojë.

Meqenëse kjo intervistë do të botohet në shtypin e Tiranës, mund t’u pyesim për raportet tuaja me Shqipërinë. Sa herë e vizitoni Tiranën dhe cilët janë miqtë apo njerëzit që takoni?

Unë Tiranën e dua shumë, atje ndjej dhe përjetoj atë emocion i cili na mungon neve si shqiptarë të ndarë nga trungu i kombit. Ndjehem e lirë pa komplekse dhe e integruar. Kam edhe një arsye shumë personale: djali im ka lindur ne Tiranë. Përveç kësaj, kam arritur të krijoj mjaftueshëm miq nga mediat dhe politika, për të cilët gjithmonë me kënaqësi vij në Tiranë.

Futja e femrave në politikë shihet ende si një proces i vështirë ku ende politika mbetet një ambient maskilist. Ndihet kjo në Maqedoni dhe sa të vështirë e keni ju te ecni përpara?

Maqedonia ka bërë ndryshime legjislative në këtë aspekt, në kuadër të harmonizimit të ligjeve me UE.  Ne për më shumë se dhjetë vite e kemi vendosur kuotën e përfaqësimit 30% të femrës në listat zgjedhore, ndërsa me ndryshimet që bëmë sivjet në Kodin Zgjedhor, parashihet që secila femër që pas zgjedhjeve mund të largohet në një pozicion në ekzekutiv apo edhe të tërhiqet fare, ajo të mund të zëvendësohet vetëm nga femra e ardhshme në listë. Ndryshimi i mentalitetit pastaj, është diçka që kërkon edhe shumë kohë. Por, le ta shikojmë në këndvështrimin pozitiv. Sivjet, betejën kryesore për mandate në Shkup e Kumanovë, në emër të BDI, janë duke e bërë kandidatet femra. Kjo flet mjaftueshëm për ndryshimet që po ndodhin ngadalë por sigurt.

E keni patur të vështirë?

Unë personalisht kam kaluar periudha dhe sfida të vështira, kam qenë e fortë, apo si e themi te neve e çeliktë ndaj shumë gjërave. Nuk është e lehtë që një zë i femrës të dëgjohet e të pushtojë ambiente me shumicë meshkuj, por unë ja kam arritur, dhe tani me shumë kënaqësi e përcjelli tek femrat e tjera, jap përkrahjen maksimale që i duhet një femre, për të ecur në sfidën politike.

Cili është raporti juaj me Ali Ahmetin? Si e shikoni rolin e tij në udhëheqjen e një pjese të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë?

Unë e kam njohur z. Ahmeti në vitin 2001, gjatë kohës së konfliktit. Kam qenë gjithmonë një bashkëpunëtore luajale dhe e përkushtuar, dhe kam plotësuar çdo obligim partiak në emër të idealeve. Përfaqësimi politik i shqiptarëve ne Maqedoni ka fituar në cilësi, sepse shqiptarët në Maqedoni kanë avancuar cilësinë e shkollimit, janë emancipuar, punojnë në administratë, etj. Kjo i rrit pritshmërinë nga lidershipi politik, dhe unë mendoj se kështu duhet të jetë, në mënyrë që lidershipi të përmirësojë punën e vet në vazhdimësi, dhe po ashtu të inkurajojë qarkullimin e elitave, diçka që z. Ahmeti e bën dhe e stimulon në BDI. Ai është një lider politik i cili me urtësi ka menaxhuar shumë procese të vështira politike në Maqedoni, por edhe në rajon. Përveç kësaj, beson shumë fuqishëm në idealet e veta, dhe për këtë arsye unë e mbështes dhe i besoj deri në fund!

Zonja Mehmeti mund të na jepni një përshkrim të shkurtër si e shikoni ju kryeministrin Edi Rama? Po ish kryeministrin Sali Berisha?

Për ne si shqiptarë të Maqedonisë, pra, pjesë e popullit shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë dhe është e ndarë nga trungu kombëtar, është me rëndësi që Kryeministri i Shqipërisë, pavarësisht cili është ai ose ajo, të tregojë përkujdesje dhe mbështetje të vazhdueshme për kauzat tona të drejta, që kanë për qëllim implementimin e plotë të dispozitave dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit.  Nuk mendoj se më takon të bëj vlerësime personale për njërin apo tjetrin. Ne kemi patur dhe kemi bashkëpunim konstruktiv, frytdhënës dhe në interes të të dyja palëve, edhe me njërin, edhe me tjetrin.

Kur mendoni se do të kemi një kryeministër shqiptar në Shkup?

ermira-mehmeti-mz-1-437x800Pikërisht kjo është arsyeja përse në këto zgjedhje ne promovuam idenë e Presidentit konsensual.  Ne besojmë se ka ardhur koha që Maqedoninë ta drejtojnë edhe shqiptarët dhe kjo nuk duhet të paraqesë as kërcënim, as frikë, as hezitim për maqedonasit. Për fat të keq, ata nuk ndjehen të gatshëm për të mbështetur një shqiptar në këtë post, apo në postin e kryetarit të Parlamentit, apo në postin e Presidentit.  Por, trendet janë pozitive dhe optimiste për shqiptarët.  Kthim prapa nuk ka. 

Kur mendoni se shqiptarët do të jenë të bashkuar nën qiellin e Bashkimit Europian?

Duke bërë një analizë të shkurtër do kisha thënë: Maqedonia do duhet të shkojë bashkë ne Bashkimin Europian me Shqipërinë, Kosovë, Serbinë, dhe kështu edhe vendet tjera ballkanike. Tranzicioni nëpër të cilin po kalojmë duhet të përfundojë dhe të na përgatisë të gjithëve që të integrohemi sa më shpejtë në BE.

Cili është qëllimi juaj në politikë. Ku doni të arrini?

Qëllimi im në politikë është që të arrij ta bëj Maqedoninë një vend më të mirë për jetesë për të gjithë ata që më votojnë.  Do të doja që puna ime të kurorëzohet me anëtarësimin e Maqedonisë në UE dhe NATO, që djali im të rritet në një shtet anëtar të këtyre organizatave dhe të mos rritet e edukohet në frymën e paragjykimeve, armiqësive dhe primitivizmave ballkanikë.  Nëse arrij që ta bëj këtë, besoj ta kem arritur qëllimin tim në politikë.

 

 

Femër e bukur? Kam dëshmuar dhe aftësi intelektuale

Ermira është nën e një djali që ka lindur në Tiranë dhe për këtë arsye, lidhjen më këtë qytet e ka të madh. Këtu ka miq jo vetëm në politikë, por edhe në fushën e medias. Pavarësisht angazhimeve në politik, ajo mundohet të jetë një nënë e përkryer për djalin e saj.

Ermira shpeshherë ju jeni bërë viktimë e thashethemeve por dhe akuzave politike në media. Ndodhin këto prej faktit që jeni femër apo nga kundërshtarët tuaj politik?

ermira-mehmeti1Unë këtë kapitull e kam mbyllur, dhe sidomos për shkak se jemi në fushatë, nuk do të doja të merrem më gjatë me të.  Sepse në këtë mënyrë vetëm do ua kryeja shërbimin më të dashur dhe më të nevojshëm rivalëve të mi politikë të cilët nuk kanë ide se si të më rrënojnë.

Është ky profesion apo një terren i vrazhdë për femra?

Politika nuk është profesion i lehtë për femrat. Aktivitet partiake zakonisht mbahen edhe jashtë orarit të punës, janë të gjata dhe zgjasin zakonisht shumë dhe deri vonë. Prandaj duhet mirë të përgatitesh për të qenë një femër e suksesshme për ta përballuar edhe atë ritëm të kohës dhe punës. Ajo është një aktivitet shumë dinamik, që kisha thënë se s’ke as vikende të lira, zakonisht edhe festat përgatiten për ndonjë aktivitet politik, sidomos tani para zgjedhjeve parlamentare. Ashtu që do kisha gjen se s’është aspak e lehtë duhet përkushtim i madh, nuk është e thjeshtë!

Ju jeni një politikane me hire femërore dhe e pashme. Bukuria ju ka ndihmuar në rrugën tuaj apo u ka penguar?

Besoj se një pyetje e tillë nuk i parashtrohet kurrë një politikani burrë. Prandaj, si një politikane që beson në barazinë gjinore në aktivizimin politik, do të kisha thënë se kjo pyetje nuk është fort relevante për garën politike.

Nga ana tjetër ju jeni një femër e zgjuar, por a ka patur nga ata që kanë dyshuar në intelektin tuaj, duke u nisur nga pamja?

Fare nuk merrem me paragjykime të tilla. Nuk jam e mësuar të logjikoj në atë mënyrë që do të ishte penguese për mua dhe ambiciet e mia.  Unë besoj se e kam dëshmuar aftësinë dhe kapacitetet e mia intelektuale dhe talentin politik.  Të tjerët lë të vazhdojnë të paragjykojnë po s’patën punë më të mençur.

Ermira, ju jeni edhe familjare e nënë, si e ndani kohën mes familjes dhe punës?

ermira nenPo edhe Ermira është nënë dhe grua si edhe gratë tjera. Mundohem maksimalisht kohën e lirë ta shfrytëzoj në prani të djalit tim, Albesit. Nuk mund të them se sidomos në kohë fushatë mund të bëj një organizim ideal të kohës dhe ditës, por për shembull, asnjëherë nuk mungoj në gjërat e rëndësishme për tim bir ose për familjen- për shembull, ishim në maskenball-in e 1 prillit para pak ditësh dhe ia kaluam shumë mirë. Jam me fat që kam mbështetjen e nënës time e cila është vënë 24 orë në shërbim të nevojave të mia dhe të djalit, përndryshe nuk do ia dilnim.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *