Blerta DERHEMI, autorja e poezive të mëposhtëme ka lindur në Fier në një familje arsimtarësh me tradita. Pas diplomimit për shkenca politike në UT, në vitin 2006 ajo filloi dhe vijon punën si diplomate karriere në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më 2014-2019 shërbeu në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel.
Eshtë trajnuar në institute prestigjioze diplomatike në Vjenë, Hagë dhe Stamboll; ka master në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ekonomi. Gjatë gjithë kësaj periudhe, asaj i është dashur të përballojë një fluks të madh sfidash dhe përgjegjësish, brenda dhe jashtë vendit; krahas detyrimeve familjare si bijë, bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijve.
Në këtë rrugtim të gjatë, Blerta ka patur bashkëudhëtare poezinë, pasioni i kahhershëm i saj.
Siç e pohon në esenë « Pse shkruaj » « të shkruarit është aftësia për të zhbërë dhe ribërë hapësirën, kohën dhe vendin ku ndodhesh, duke e transformuar të zakontën në të pazakontë. Për më tepër të shkruarit është liri, është arratisje, është fluturim, është udhëtim, madje nga ato udhëtime ku nuk të shpie asnjë biletë apo avion….Shkrimi, por sidomos poezia fillimisht vjen në trajtën e një imazhi të cilin më duhet ta ‘pikturojë’ jo me penela por me fjalë. Nuk mbaron me kaq, sepse ky imazh në sajë të ngjyrave që mbart ka aftësinë të luajnë një melodi të caktuar, melodi e cila pret të shkruhet jo me nota muzikore, por me fjalë. Ndaj fjalën e shoh si një instrument kaq të fuqishëm. »
Poezitë e mëposhtëme janë shkëputur nga vëllimi i saj i parë poetik që pritet të promovohet së shpejti.
Jam Grua
Jam dashuria stolisur mbi kuaj të bardhë,
sythat e shpresës përkund
në djepin e ëndrrës ,
Jam luftëtare e heshtur,
dhimbjes i jap zë,
me foshnjën e njomë mëkuar në gji,
Botës i jap dritë me syrin e pagjumë,
Jam frymëmarrje e dehur netëve pa hënë,
zinxhirët e heshtjes kërkëllijnë
me dhimbjen e shekujt mbi shpinë,
Jam frymëmarrje e ngashëryer,
penelat vjeshtakë mi përskuqin mendimet,
Jam frymë e gjallë, zvarritur ndër dimra,
me zjarrin e jetës mbrujtur në gjak,
Jam fundi dhe fillimi,
Jam ikja dhe ardhja,
Jam rebelimi dhe durimi,
Jam mallkimi dhe bekimi,
Jam lufta dhe paqja,
Jam vdekja dhe jeta,
E, ç’gjëkënd tjetër të dua të jem!
Jam asgjëja dhe gjithçkaja!
Jam grua…
5.9.2018
Revoltë
Thëngjijtë yjorë shkrepin revoltën,
S’më shkon për shtat kjo jetë e trishtë,
as vdekja e ngadaltë me ditë bosh e plotë mërzi.
S’jam vajzë e brishtë!
As burrë nuk jam për fat, a për dreq!
Jam grua,
dehem gjersa humb në dashuri,
në thundrën e lirisë së munguar.
Dashuroj gjer në dehje,
me zërat helmues të ditëve gri.
Unë,
lindur thjesht njeri,
Revoltohem!
13.06.2020
Stacion
Sot,
rutinë,
stacioni i përdishtëm…
Rëndon në sup çanta prej zonjëze,
brenda ngjeshur ëndrrat,
planet,
pasionet,
dashuritë…
mjaftueshëm për vite pa limit!
Tramvaji ëndrrave të marra mbërrin…
Drejtim i çuditshëm “Askund-Gjithkund-Kurrkund”
Djall! Dilemat nuk m’u ndanë për dreq,
Ç’të marr me vete në arkë-mort?
Ata që më deshën e si desha dot?
Apo… ata që desha aq shumë por se kuptuan kurrë?
Të marr sukseset e vogla ?
Sa shkëndija shprese ndezën!
Ç’më ngatërrohen nëpër këmbë,
dështimet që më bënë edhe më të fortë…
Të marr puthjet e padhëna,
Apo, lotët mbrujtur e tretur pa dëshmimtarë?
Sa mirë paskësh qenë në kohë të lashta…
Lëkundur ndër ujëra me të ngratin Karont,
Pak kohë më shumë …të ndaj ç’të marr me vete atëbotë !
Tramvaji i ëndërrave të marra vjen e shkon kaq shpejt,
Timonierja vdekje përqesh me kokën pas…
Zbraz çantën njeri, ec, ec, ec mbush shpirtin,
ler gjurmë të bardhë,
iki e vij prapë,
stacionit tim askush nuk i shpëton dot…
5.2.2018
Më prit dheu im
Më prit tokë e zhuritur,
vij si rrjedhë lumi
me borën e shkrirë mallit,
Më prit tokë e vlagur,
me erërat vij,
mbjell farëzat e kujtimeve,
Blerohemi së bashku dheu im!
Me prit tokë e dashur,
si bërthamë fryti t’arrirë,
hedh rrënjë me frymën e parë të pranverës,
Përqafohemi pazgjidhshmërisht dheu im.
Më prit!
10.12.2018
Mall
Nga pesha e kujtimit tënd,
Rënkon përnatë nënkresë e bardhë.
Me shkarpa shprese, malli bashkë,
e djeg çdo gjurmë që ti le pas…
Kundroj në heshtje se si shkrumbohesh,
tretesh në çast si me magji….
Por s’gjej kuti ta nxerë krejt,
këtë hirin e kujtimit tënd,
Ndaj të mbjell ëndrra nëpër netë,
Netët thinjen bëhen ditë…
Me zgjimin tim si një Feniks rilindesh prapë,
Ti mall që djeg, po kurrë s’lëndon.
28.02.2018

Poetja ka nji tipare shume te vecante ,
qe ben te dallohet nga shume poete te tjere ,
e cila frymezohet jo nga nji fenomen ,nji pamje jashteme nji X – storie e qe impresionon ,
por ne gjithcka i referohet ndjenjave te brendeshme ,
Shpirtit te saj dhe ktu qendron bukuria e poezise e krijimtarise se saj .
Poezi qe pershkruhet ndjeshem nga ndjenja te forta ,
nga nji grua e fort ,qe emocionon kur e lexon ,
nji Femer qe s’le pasionin te vdes , qe do te sfidoj barrierat brenda gjoksit qe djeg , duke mos len shpirtin e ndrydhur te vajtoj ne denese .
Nji shpirt Rebel e poetik .
Rrespekt e shume shume suksese ne krijimtarine tuaj .