Aktualisht është një nga sulmuesit më të mirë në botë.
Bëhet fjalë për yllin e Manchester United, Romelu Lukaku, i cili në një moshë të re është kthyer në një nga futbollistët kyç të “Djajve të Kuq” dhe kombëtares belge.
Këtë e tregoi dhe mbrëmë ku me dy golat e tij i dha fitoren e parë në grupe Belgjikës kundër Panamasë.
Por pavarësisht famës dhe arritjeve të tij, Lukaku rrëfen se ka kaluar një fëmijëri shumë të vështirë. Ai që e tregon historinë, pa harruar as edhe një detaj, është vetë sulmuesi, gjatë një artikulli autobiografik për “Players Tribune”.
Historia e të voglit Lukaku nis në Anversë, në një banesë ku mungonin shumë gjëra, thuajse gjithçka.
“Kujtoj shumë mirë momentin kur e kuptova që ishim të varfër. Më saktë ishim të mjerë. Isha gjashtë vjeç dhe kur u ktheva në shtëpi nga shkolla për të ngrënë drekë, pashë që mamaja ime po qante, sepse nuk kishte asgjë për të na dhënë. Faktikisht, një ditë më parë dhe të nesërmen e asaj dite ku nuk u ushqeva, menuja ishte ajo e zakonshmja, bukë dhe ujë. Vetëm kaq mund t’i lejonim vetes. Fotoja e mamasë time, që qëndron çdo ditë në frigorifer, më kujton sa herë e hap, vuajtjet që kemi kaluar”, thotë sulmuesi i Belgjikës.
Pikërisht varfëria e tejskajshme i ka dhënë stimujt për të punuar fort.
“Ishte ai momenti që bëra një premtim, duke i premtuar familjes që një ditë do të ndryshonte gjithçka dhe nuk do të jetonim më në kushte të tilla. Babai im kishte qenë futbollist, por nuk luante më dhe i kishim harxhuar të gjitha paràtë. Gjëja e parë që u zhduk nga shtëpia jonë ishte televizori. Nuk shikonim më futboll. Pastaj ikën dritat. Nuk kishim më elektricitet për muaj të tërë. Situata u përkeqësua kur na prenë edhe ujin e rrjedhshëm. Laheshim me ujë që mblidhnim jashtë. I thashë mamasë time që situata nuk do të ishte më e tillë kur të mbushja 16 vjeç dhe të mund të firmosja një kontratë si profesionist. Ashtu ndodhi.”

“Kur debutova në minutën e 63-të të ndeshjes me Anderlecht isha si në parajsë. Realizova ëndrrën dhe premtimin. Dy vjet më vonë erdhi oferta e Chelsea. Ishte momenti kur pas 20 vitesh mjerimi, familja ime u bë e pasur. Unë sot bëj shumë bamirësi sepse e di që varfëria është plaga më e madhe e njerëzimit”, përfundoi Lukaku.
a.s/dita
