Jamie Shea, zëvendës-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s thotë se Shqipëria është vend i sigurt dhe se është anëtar i dobishëm i Aleancës Veriatlantike.
Sipas tij vendi ka bërë përparime të dukshme në fushën e reformave dhe se NATO i këshillon Shqipërisë të zhvillohet në fushën e mbrojtjes, aftësitë e specializuara të ushtrisë, pasi për të tjerat Forcat e Armatosura mund të mbështeten të Aleanca.
“Shqipëria nuk është më një vend i pasigurt, e të gjithë e dimë këtë. Është një vend i dobishëm për mbrojtjen kolektive e solidaritetin dhe na kujton, sidomos tani që shohim situatën në Rusi e Krime, se detyra themelore e NATO-s qëndron së pari tek vlerat dhe siguria”, tha Shea për Top Channel.
Ai shtoi më tej se “Shqipëria na kujton se tashmë kemi paqe në ish-Jugosllavi, por ka ende shumë punë të pambaruara, si çështja e pajtimit dhe e stabilitetit në Kosovë, zgjerimi i ardhshëm i NATOs me 3 vende kandidate për anëtarësim, forcimi i bashkëpunimit me Serbinë”.
Sipas tij NATO ofron këshilla për mënyrën më të mirë të ristrukturimit të forcave tona dhe për aftësitë ku mund të fokusohet Shqipëria.
“Duke marrë parasysh shtrenjtësinë e madhe të pajisjeve ushatarake, trysnitë mbi buxhetin e mbrojtjes si pasojë e rënies ekonomike në Europë dhe zërave të tjerë si arsimi e sigurimet shoqërore, Shqipëria nuk mund të mbulojë gjithçka. Ndaj NATO në kuadër të mbrojtjes kolektive këshillon për aftësi të specializuara, duke patur parasysh se mund të mbështetet tek Aleanca për të tjerat”, tha Shea.
